1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Policët serbë të Kosovës vazhdojnë të mos inkuadrohen në policinë e Kosovës

17 Mars 2009

Mbi 300 policë të Kosovës, pjesëtarë të komunitetit serb vazhdojnë të mos paraqiten në punë. Ministria e Brendshme e Kosovës do të marrë vendim këtë javë se çfarë do të bëhet me policët serbë të Kosovës.

https://p.dw.com/p/HEAu
Policë të Kosovës duke u stërvitur
Policë të Kosovës duke u stërviturFotografi: AP

Policët serbë nuk pranojnë të marrin urdhra nga komanda e policisë së Kosovës

Mbi 300 policë të Kosovës, pjesëtarë të komunitetit serb vazhdojnë të mos paraqiten në punë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Ata nuk pranojnë që të marrin urdhra nga komanda e policisë së Kosovës. Ata pranojnë që të mbajnë uniformat e policisë së Kosovës, por kërkojnë që kordinimi i operacioneve të tyre të bëhet vetëm me policinë ndërkombëtare. Ata kërkojnë edhe që të jenë të koncentruar në vendabanimet ku serbët janë shumicë.

Ministria e Brendshme ka krijuar një grup pune, për ta rivlerësuar problemin

Por këtë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës nuk ua ka ndërprerë ende kontratat e punës policëve serbë, të cilët qëndrojnë jashtë detyrës. Ata vazhdojnë të cilësohen policë të suspenduar me pagesë, masë kjo e ndërmarrë duke shpresuar gjithnjë që këta policë do të shërbejnë sërish në policinë e Kosovës, ashtu sic parashikon Kushtetuta e vendit.

Tani Ministria e Brendshme ka krijuar një grup pune, për ta vlerësuar edhe njëherë këtë situatë. Së shpejti ky grup do të dalë me rekomandime. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Zenun Pajaziti thotë se suspendimi me pagesë ishte një vendim politik. për shkak të rrethanave të krijuara në terren, si dhe një gjest i vullnetit të mirë nga ana e qeverisë së Kosovës.

Ministri Pajaziti: çështja e policëve serbë është politizuar tej mase

"Kemi dashur të tregojmë gatishmëri për kthimin e tyre, mirëpo nëse rrethanat dhe vlerësimet që do të bëhen nga Ministria e Brendshme tregojnë diçka tjetër, atëherë mund të ndryshojmë vendimin", thotë ministri Pajaziti.

Ai thotë më tej se çështja e policëve serbë është politizuar tej mase. Sipas tij ata janë tërësisht të manipuluar nga Beogradi. Ministri Pajaziti thotë se megjithatë ka pasur disa raste kur policët serbë janë kthyen në vendet e tyre të punës, e veçon patrullimet e përbashkëta të policëve serbë dhe shqiptarë edhe në veri të Kosovës. Shumë përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës, nuk janë në favor të thimit në punë të policëve serbë nën komandën e policisë së Kosovës. Dallohen në këto qëndrime përfaqësuesit serbë të veriut të Kosovës, ata të cilësuar të vijës së ashpër.

Plani gjashtëpikësh i OKB-së, që tematizon edhe problemin e policëve kundërshtohet nga Prishtina zyrtare

Mirëpo disa përfaqësues serbë të Kosovës qëndrore mendojnë se policët serbë duhet të kthehen në punë. Sipas tyre, detyrë parësore e Prishtinës dhe Beogradit duhet të jetë që të gjendet zgjidhje, një kompromis, që policët të kthehen në punë pa ndonjë pengesë.

Problemi i policëve serbë të Kosovës përfshihet edhe në planin gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, ku Prishtina dhe Beogradi duhet të bisedojnë dhe të gjejnë një zgjidhje. Mirëpo, plani gjashtë pikësh kundërshtohet nga Prishtina zyrtare dhe për një gjë të tillë autoritetet e Prishtinës as që duan të diskutojnë.

Shefi i misionit EULEX pritet ta diskutojë këtë problem edhe në Beograd

Administrata e mbetur e UNMIK-ut në Kosovë tashmë vazhdimisht po bën përpjekje që të ulë në tavolinën e bisedave Prishtinën dhe Beogradin, mirëpo përpjekjet e deritashme nuk kanë treguar rezultate. Nga mesi i kësaj jave, shefi i misionit EULEX, Yves de Kermabon do të vizitojë Beogradin. Nuk janë dhënë detaje zyrtare se çfarë do të bisedojë ai me autoritet serbe, por burime brenda EULEX-it thonë se gjatë bisedave do të flitet edhe për çështjen e policëve serbë të Kosovës.

Autor/ Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi