1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Festung Europa?

Aida Cama5 Tetor 2012

Kush mbërrin në Evropë mund të ketë fat të mirë ose të keq, në varësi të vendit ku zbret. Sepse midis vendeve të BE ekzistojnë ende dallime të mëdha në trajtimin e refugjatëve.

https://p.dw.com/p/16L2l
Refugjatë që largohen nga vendet e tyre duke vënë jetën në rrezik
Refugjatë që largohen nga vendet e tyre duke vënë jetën në rrezikFotografi: picture-alliance/dpa

Koha nuk pret. Deri në fund të vitit 2012 Bashkimi Evropian duhet të ketë një politikë të përbashkët evropiane për azilin. Sepse standarti i jetës së azilkërkuesve dhe kualiteti i strehimit të tyre vazhdon të jetë i ndryshëm në vende të ndryshme të BE-së. Edhe proceset e marrjes së azilit janë të ndryshme. Ekspertja për çështjet e migracionit të organizatës humanitare Amnesty International, Anneliese Baldaccini, nuk tregohet megjithatë e padurueshme. Do të duhet shumë kohë: "Ne kemi në nivel evropian standarte të përbashkëta dhe legjislacion të detyrueshëm. Por deri në zbatimin në praktikë dhe krijimin e një infrastrukture në vendet anëtare do të duhet kohë."  

"Telefonatë me të ëmën"

Greqia është aktualisht vendi me infrastrukturën më të dobët. Sipas të dhënave të ministrisë greke të Jashtme, kufirin greko-turk e kanë kaluar në vitin 2011 rreth 500 vetë në ditë. Edhe Komisarja e BE-së për politikën e Brendshme, Cecilia Malmström tregon: "Më kujtohet një djalë nga Afganistani që kishte mbërritur në Evros të Greqisë. Ai tha se ishte 14 vjeç dhe se kishte ardhur nga Afganistani më këmbë dhe makina të rastësishme." Ai ishte futur së bashku me 60, 70 të rinj të tjerë në një dhomë të vogël, tregon komisarja. Aty kishte vetëm dy toiletten, prej të cilave njëra ishte e prishur. "Dhe ai mu lut për disa euro, që të telefononte të ëmën e cila me siguri ishte bërë meriak," përshkruan Malmström për këtë takim.

Nga punimet e konferencës së BE me Unionin Afrikan për politikën e migracionit
Nga punimet e konferencës së BE me Unionin Afrikan për politikën e migracionitFotografi: picture-alliance/ dpa

700.000 refugjatë nga Siria?

Situata mund të keqësohet. Në arrati nga lufta civile në Siri, mendohet se deri në fund të vitit 2012 rreth 700 mijë vetë do të largohen nga vendi i tyre. Deri tani 300 mijë sirianë kanë shkuar në vendet fqinjë, Liban, Irak, Jordani dhe Turqi. Prej andej vjen vala më e madhe e refugjatëve për në Greqi. Ata përpiqen të futen në territorin e BE-së jo nga pikëkalimi i famshën Evros në veri, por nga ishujt lindorë të Egjeut.

Cecilia Malmström- Komisarja e BE-së për politikën e Brëndshme
Cecilia Malmström- Komisarja e BE-së për politikën e BrëndshmeFotografi: picture-alliance/dpa

Anneliese Baldaccini nga Amnesty International kundërshton: "Sa refugjatë kanë ardhur në BE që prej fillimit të krizës një vit e gjysëm më parë? Rreth 12.000. "Masa e sirianëve që kanë ardhur në BE nuk është e madhe", thotë ekspertja e migracionit. Shifrat janë rritur por nuk janë bërë shqetësuese. Disa vende duhet të marrin masa, thotë Baldaccini. Ajo i drejton një apel vendeve të BE, që të rrisin numrin e pranimeve.

Nuk shihet përparim në Greqi

Për shkak të krizës së borxheve Greqia ka probleme të mëdha financiare, të pranojë refugjatë në kushte të përshtatshme. Përveç kësaj, ky vend dikur vend prej nga largoheshin qytetarët e vetë, nuk ka ende ligje adekuate azili dhe për të huajt. Greqia është prej 20 vjetësh de facto vend emigrimi. Nga rreth 11 milionë banorë, gati një milionë janë me prejardhje të huaj.

Nga Dita e Refugjatëve në Berlin e organizuar nga organizata Amnesty International
Nga Dita e Refugjatëve në Berlin e organizuar nga organizata Amnesty InternationalFotografi: Axel Schmidt/dapd

"Autoritetet greke nuk janë aspak në gjendje të përmbushin nevojat bazë të këtyre refugjatëve, për strehim, ushqim dhe mbrojtje adekuate", thotë Anneliese Baldaccini nga Amnesty. Po ashtu në Greqi kërkohet shumë kohë të fillosh proces azili. Njerëzit janë trembur të parashtrojnë kërkesën e azilit, sepse gjatë procesit rrezikohen nga kohëzgjatje qëndrimi, pa status të rregullt, thotë ajo.

Standarte unike...

Ndihmë për këtë duhet të japë një sistem i përbashkët evropian azilimi. Bisedimet janë në fazën përfundimtare. Këtë javë (5./6.10.) kryetarët e shteteve të dhjetë vendeve mesdhetare takohen në Maltë, për tu këshilluar për një politikë të përbashkët sigurie dhe për refugjatët. 

Refugjatë nga Siria duke shkuar për në Jordani
Refugjatë nga Siria duke shkuar për në JordaniFotografi: Reuters