1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polonia del në rrugë

Rosalia Romaniec15 Dhjetor 2015

Polonia po përjeton një nga valët më të mëdha të protestave që nga viti 1989. Politika e qeverisë nacional-konservatore po e përçan vendin, thonë kritikët.

https://p.dw.com/p/1HNTJ
Polen Demonstration gegen die Regierung
Fotografi: DW/R. Romaniec

Mijëra demonstrues proeuropianë u mblodhën në fundjavë (12.12) para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese në Varshavë duke mbajtur në duar flamuj europianë dhe kombëtarë. "Shumica në Sejm nuk do të thotë pushtet diktatorial" u shpreh përmes megafonëve organizatori i demonstratës për demokraci, Mateusz Kijowski, ku morën pesë 50.000 vetë. Në pllakate lexoheshin deklarata elektorale të presidentit polak të zgjedhur në maj, Andrzej Duda: "Respektoje kushtetën!". Ky mesazh që demonstruesit i dërguan presidentit lidhet me emërimin e kontestuar të pesë gjykatësve të rinj kushtetues, megjithëse qeveria e mëparshme kishte emëruar pesë gjykatës të rinj. Duda nuk pranoi betimin e këtyre gjykatësve të qeverisë së mëparshme, ndërkohë pranoi emrat e pesë emërimeve të reja. Më pas Gjykata Kushtetuese deklaroi se kjo është antikushtetuese. Si reagim Duda porositi qeverinë e re për të formuluar ndryshime në ligj.

Zemërimi ndaj një presidenti që në disa raste ka lëvizur në zonat gri të ligjit e dha sinjalin e protestave që para disa javësh. Ato filluan në heshtje në facebook, por më pas Kijowski nisi një iniciativë në rrjet, e cila u përkrah vetëm brenda pak ditësh nga 40.000 vetë. "Komiteti për Mbrojtjen e Demokracisë" u quajt kjo iniciativë duke iu referuar "Komitetit për Mbrojtjen e Punëtorëve" të krijuar në vitin 1976 nga Jacek Kuron, një opozitar polak. E veja e tij ishte e para që e mbështeti iniciativën e këtyre ditëve.

Polen Demonstration pro-Regierung - Jaroslaw Kaczynski
Jaroslaw Kaczynski flet para përkrahësve të tijFotografi: Reuters/K. Pempel

Atmosferë e tensionuar

Tre javë pas themelimit të këtij komiteti u grumbulluan 50.000 protestues. Në anën tjetër nacionalistët, të cilët me fyerje, britma e me muzikën e ngritur lart kërkonin të prishnin protestën. Në mesin e tyre policia që siguroi distancën e duhur me s dy fronteve. Një ditë më pas u grumbulluan përkrahësit e Jarolaw Kaczynskit, kreut të Partisë për Lidh dhe Drejtësi (PiS), partisë ku bën pjesë edhe presidenti Duda. Kaczynski vërtet nuk ka poste në qeverinë e re, por ai është njeriu që bën politikën në partinë e tij, babai politik i kryeministres së re dhe presidentit të ri, duke siguruar me ta besnikërinë në ndjekjen e planeve të tij. "Ne jemi Polonia e vërtetë dhe jo hajdutët e komunistët që kanë qeverisur deri së fundmi" thërret Kaczynski para 20.000 përkrahësve të tij të dielën (13.12). Para demonstratës kritikët e tij ai i cilësoi "tradhtarë", "pjesa më e keqe e Polonisë".

Rikthehet Smolensku

Dy shembuj demonstratash, këtyre iu shtohet edhe marshimi përkujtimor i Kaczynskit dhe përkrahësve të tij para Pallatit Presidencial, që këtë herë u shoqërua nga garda e nderit e ushtrisë polake. Marshimi përkujtimor zhvillohet prej gjashtë vjetësh dhe synon të kujtojë viktimat e katastrofës së rrëzimit të avionit presidencial në Smolensk. Në prill 2010 humbën jetën kreu i atëhershëm i shtetit polak, Lech Kaczynski dhe 95 veta të stafit e qeverisë. Megjithëse disa hetime ia kanë dhënë fajin për këtë katastrofë pilotit, qeveria do ta rishqyrtojë edhe njëherë këtë çështje. Kaczynski u shpreh se do të ngrihet një memorial për viktimat dhe se "shpejt e vërteta e madhe do të dalë në dritë."

Fajin e ka bota

Një atmosferë të tillë Polonia nuk e ka përjetuar prej kohësh. Ajo që të shqetëson është fakti se sa pak flitet mes palëve, në vend të dialogut sulme dhe armiqësi edhe në mediat sociale. Në një kohë që që shumë kritikë fajësojnë PiS për përçarjen brenda shoqërisë polake, nacional-konservatorët ia hedhin fajin qeverisë paraardhëse, duke theksuar se Platforma qytetare duhet të përballet me humbjen e pushtetit dhe kjo të dhemb. Ndërsa kritikat në mediat e huaja janë thjesht "një provë se sa të forta janë lidhjet dhe rrjetet e liberalëve" - pra gjithçka një komplot kundër "Polonisë së vërtetë." Këtu nuk ndihmon as kritika e presidentit të Parlamentit Europian, Martin Schulz. Në radion gjermane "Deutschland funk" ai u shpreh se zhvillimet në Poloni kanë karakterin e një puçi shtetëror dhe janë dramatike. Kryeministrja polake Beata Szydlo tha se Schulz duhet të kërkojë falje për këto shprehje.

Polen Demonstration gegen Regierung
Fotografi: Reuters/K. Pempel

Lech Walesa paralajmëron

Por edhe personalitete të njohura paralajmërojnë nga një eskalim i situatës. "Kjo mund të përfundojë me luftë qytetare", tha ish-presidenti Lech Walesa në televizionin polak. Instrumentalizimin e Gjykatës Kushtetuese e kritikojnë edhe ish-krerë të tjerë të qeverisë polake e ish-presidentë. "Qeveritë shkojnë e vijnë, Polonia demokratike mbetet", shkruajnë ata në një deklaratë të përbashkët. Por PiS mbetet në kursin e saj. Tani po planifikohet edhe shndërrimi i radios e televizionit publik si edhe i agjencisë së shtypit, PAP në media kombëtare.

Shumë vetë pyesin si mund të arrinin punët deri këtu në Poloni. Arsyet nuk mund të kërkohen vetëm tek Partia për Ligj dhe Drejtësi, PiS. Edhe qeveria liberale e Platformës qytetare meriton kritika. Ajo ndoqi një politikë ekonomike neoliberale, humbi lidhjen me shtresën e mesme dhe qeverisi duke injoruar humbësit e transformimit polak. Në fokus ishte plotësimi i dëshirave të klientelës. Organizatori i protestës, Kijowski thotë se Polonia ka harruar në 25 vitet e fundit se sa e ndjeshme është demokracia, se ajo nuk është një sistem i dhënë njëherë e përgjithmonë. Dhe qeveritarët kanë harruar se "pushteti i shumicës nuk duhet ngatërruar me një diktaturë."