1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portugalia mbledh me sukses para

13 Janar 2011

Portugalisë do i duhet të paguajë përqindje në nivelin e 6,7 përqindshit për bonot shtetërore afatgjata. Shifra është më e ulët nga sa pritej. Megjithatë vendi mbetet nën presionin e krizës.

https://p.dw.com/p/zwpx
Fotografi: Detlef - Fotolia.com

Agjencia portugeze e borxheve bëri të ditur ditën e mërkurë më 12 janar se ka shitur në tregun e kapitaleve për 1,25 miliardë euro obligacione shtetërore. Kërkesa ka qenë më e madhe se oferta. Për obligacionet me kohëzgjatje deri në vitin 2020, Portugalia duhet t`i paguajë investitorëve përqindje prej 6,716 përqindësh. Kjo shifër është më e ulët se sa pritej prej ekspertëve. Kufiri më i durueshëm ndodhet sipas ministrit portugez të financave Fernando Teixeira dos Santos, tek 7 përqindshi. Para fundjavës së kaluar kjo shifër ndodhej ende tek 7 përqindshi, dhe ushqente spekullimet se Portugalisë do i duhet së shpejti të kërkojë ndihmat shpëtimtare të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të marrë para me përqindje të leverdisshme. Ndimat evropiane të paketës së shpëtimit kanë përqindjen prej 5,5 përqind.

Ministri portugez i financave Fernando Teixeira dos Santos
Ministri portugez i financave Fernando Teixeira dos SantosFotografi: picture alliance / dpa

Ministri i financave i kënaqur

Ministri portugez i financave Fernando Teixeira dos Santos tha pas shitjes së obligacioneve shtetërore: "Ky është një sukses prandaj ne nuk mendojmë se duhet të ndryshojmë strategjinë financiare."

Për obligacionet shtetërore me kohëzgjatje të shkurtër, Portugalisë i duhej të ofronte rendite prej 5,4 përqindësh. Kjo shifër është më e lartë se sa ishin bërë planifikimet. Shumë ekonomistë të bankave të mëdha parashikojnë se Portugalia do të vazhdojë të qëndrojë nën presion, megjithë vendosjen e suksesshme të bonove dhe dikur do t`i duhet të kërkojë paketën shpëtuese evropiane.

Portugal Präsident Jose Socrates
Kryeministri portugez Jose SocratesFotografi: AP

Paketa e shpëtimit mund të shtrëngohet

Nga qarqet e Bashkimit Evropian thuhet prej ditësh se BE ka bërë gati për Portugalinë kredi emergjente në nivelin e 50 deri 100 miliardë eurove. Në këtë mënyrë mund të ndalohen spekullimet që mund të bëhen me këtë vend të zonës së euros. Kryeministri portugez Jose Socrates, përsëriti me këmbëngulje ditën e martë më 11 janar se vendi i tij nuk ka nevojë për ndihma. Buxheti shtetëror ndodhet në rrugën e konsolidimit dhe marrja e borxheve të reja ndodhet brenda kuadrit të planifikuar. Portugalia shkurtoi shpenzimet shtetërore, sic ishte kërkuar më parë nga Komisioni Evvropian. Fuqia ekonomike ka arritur një rritje të lehtë.

Zyrtarisht Komisioni i BE-së i ka hedhur poshtë supozimet se janë duke u bërë bisedime për ndihmat për Portugalinë. Komisari i monedhës evropiane, Olli Rehn tha pas shitjes së suksesshme të obligacioneve shtetërore se Portugalia ndodhet në përgjithësi në rrugën e duhur.

BE ka bërë gati për Portugalinë kredi emergjente në nivelin e 50 deri 100 miliardë eurove
BE ka bërë gati për Portugalinë kredi emergjente në nivelin e 50 deri 100 miliardë euroveFotografi: Foto: AP

Ditën e hënë, më 17 janar ministrat e financave të 17 vendeve të zonës së euros do të këshillohen për gjendjen e Portugalisë dhe për shtrëngimin e kushteve të paketës evropiane të shpëtimit. Komisari Olli Rehn kërkon të zmadhojë paketën e shpëtimit në mënyrë që t`i demostrojë tregjeve financiare se BE nuk mund të lejojë falimentimin e asnjë vendi anëtar. Paketa e deritanishme e shpëtimit të BE-së dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar përmban 750 miliardë euro.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha pas një bisede me kryeministrin italian Silvio Berlusconi në Berlin, se Evropa ka nevojë për një politikë më të unifikuar ekonomike dhe financiare në mënyrë që të përballojë krizën e borxheve. Merkel kërkon një mekanizëm permanent shpëtimi, por refuzon obligacionet e përbashkëta të vendeve të forta dhe atyre të dobta ekonomikisht sepse ato i kushtojnë shtrenjtë Gjermanisë.

Autor: Bernd Riegert/ Aida Cama

Redaktoi: Esat Ahmeti