1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

010711 90 Jahre KP Chinas

1 Korrik 2011

PKK erdhi në pushtet në vitin 1949. Hapjen e parë të Kinës, kjo parti e lejoi para 30 vitesh. Që atëherë Kina ka përjetuar reforma të mëdha, vendi sot është superfuqi ekonomike. Por sistemi njëpartiak nuk ka ndryshuar.

https://p.dw.com/p/11nHd
Çekani dhe drapri - simbolet e partisë. Pamje nga një pllakat i Kongresit të Partisë Komuniste KinezeFotografi: AP

Ndjenjat për Kinën në Perëndim janë të përziera: nga admirimi deri tek frika. Vendi i udhëhequr nga Partia Komuniste ka renditur suksese të shumta ekonomike. Prej vitit 1980, prodhimi bruto është trefishuar. Kina ka tani ekonominë e dytë më të madhe në botë. FMN-ja llogarit që Kina deri në vitin 2020 do t'ia kalojë edhe SHBA-së. Qeveria në Pekin ka rezerva të devizave në vlerë prej tre bilionë dollarësh. Shuma është në rritje. Firmat kineze po blejnë me mbështetjen e qeverisë shumë sipërmarrje të huaja. Qeveria investon miliarda për hulumtime dhe zhvillim. Kina ka futur ekonominë e tregut. Atje tani jetojnë gati 400.000 milionerë. Më shumë ka vetëm në SHBA, Japoni dhe Gjermani.

Flash-Galerie China 90 Jahre KP Mao Tse-Tung schwimmt im Yangtze
Ideologu i partisë, Mao Ce Dun në vitin 1966 duke notuar në lumin JangtseFotografi: AP

Motoja: Lejohet ajo që sjell suksesin

Prej viteve 80-të, pragmatizmi ka zëvendësuar ideologjinë. Të gjitha që sjellin sukses janë të lejuara, pohon eksperti Joseph Cheng. „Udhëheqësia kineze nuk beson në ndonjë formulë të veçantë për reforma ekonomike. Edhe sot shumë projekte fillojnë si eksperimente në rajone të ndryshme", thotë ai.

Partia e dikurshme e punëtorëve dhe fshatarëve është shndërruar tani në një parti elitare. Nga 80 milionë anëtarët e partisë, vetëm 7 milionë janë punëtorë, që do të thotë më pak se 10 %. Prej vitit 2002 anëtarë partie mund të jenë edhe sipërmarrësit. Për t'u bërë anëtar duhet të kalosh teste të vështira. Vetëm kandidatët më të aftë mund të anëtarësohen.

Me Maon, Leninin dhe Marksin në kokë drejt rekordeve ekonomike

Masat, me të cilat Partia Komuniste qeveris vendin nuk përputhen me zhvillimet ekonomike. Sipërmarrjet e shtetit edhe më tej dominojnë ekonominë, shpesh në dëm të kapitalit privat. Në Kinë nuk mund të jesh pronar i tokave dhe trojeve, por vetëm mund t'i marrësh me qira. Edhe më tej janë në fuqi planet pesëvjeçare të hartuara nga qarqet politike dhe ekonomike. Shkollat edhe më tej dominohen nga ideologjia marksiste, leniniste dhe maoiste.

Flash-Galerie China 90 Jahre KP Mao Tse-tung Besuch von Richard Nixon in Peking
Hapja e Kinës: Vizita e Richard Nixonit në Pekin. Kreu i Partisë, Mao Ce Dun bisedon me presidentin Nixon në 21 shkurt 1972. Majtas kryeministri i atëhershëm Çu En Lai.Fotografi: AP

Njëkohësisht vendi po thyen të gjitha rekordet. Çdo vit ekonomia rritet me 10 %. Por megjithë zhvillimin, nuk duhen harruar problemet e jashtëzakonshme, thotë Eberhard Sandschneider, drejtor i Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme. „Mund të përmendim vetëm një prej tyre: Partia Komuniste nuk ka mundur të vendos barazinë sociale në vend. Dallimi mes të varfërve dhe të pasurve është rritur në mënyrë dramatike vitet e fundit.“

NEU China Volkskongress 2006 Dossierbild 2
Pamje nga një kongres popullor kinez. Në qendër presidenti aktual, Hu JintaoFotografi: AP

Kina eksperimentale

Ekonomisht Kina është fleksibël por jo edhe politikisht. Organet juridike ende janë nën ndikimin e ushtrisë dhe Partisë. Mediat janë të cenzuruara. Ai që konteston Partinë rrezikon të burgoset. Megjithatë Partia nuk ka shumë frikë nga destabilizimi politik, mendon Eberhard Sandschneider.

Partia Komuniste e Kinës ka nisur eksperimentin më të madh politik dhe social të shekullit 21. Modeli kinez me një ekonomi kapitaliste dhe sistem autoritar politik shihet prej shumë vendeve në transformim si një alternativë e demokracisë perëndimore. Por edhe shumë pushtetmbajtës në Pekin e kanë të qartë se këtij modeli shumë shpejt mund t'i vijë fundi.

Autor: Christoph Ricking/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi