1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prej dy ditësh protesta para selisë së UNMIK-ut në Mitrovicë

Beim Shehu3 Prill 2008

Protestuesit kërkojnë largimin nga posti të administratorit rajonal të Mitrovicës, Gerardo Gallucci. Situata në veri të Mitrovicës paraqitet e qetë, por tensionet vazhdojnë të jenë të larta, thonë zyrtarë të policisë.

https://p.dw.com/p/DbBq
Iniciativa e grave nga qyteti i Mitrovicës ka dy ditë që po proteston para selisë së UNMIK-ut në këtë qytet duke kërkuar largimin nga posti të administratorit rajonal të Mitrovicës.Fotografi: AP

Një iniciativë grash nga qyteti i Mitrovicës ka dy ditë që po protestojnë para selisë së UNMIK-ut në këtë qytet duke kërkuar largimin nga posti të administratorit rajonal të Mitrovicës, Gerardo Gallucci. Zoti Gallucci, vazhdon të mos pajtohet me qasjen që pati policia më 17 mars, kur ndërhyri për të larguar serbët protestues nga gjykatat në pjesën veriore të Mitrovicës. Ndërkohë, disa përfaqësues të serbëve të Kosovës, thonë se nëse serbët e veriut veprojnë sikurse vepruan më 17 mars, atëherë do të jetë një situatë e vështirë edhe për serbët në pjesët tjera të Kosovës.

Situata e sigurisë në veri të Mitrovicës paraqitet e qetë, mirëpo tensionet vazhdojnë të jenë të larta, thonë zyrtarë të policisë. Gjatë javës janë shënuar disa incidente të vogla në fshatin Suhodoll, i banuar më shumicë shqiptare, ku banoret e fshatit dhe disa serbë lokalë janë gjuajtur me gurë, të lënduar nuk ka pasur. Organet e rendit të ndihmuara edhe nga forcat paqeruajtëse vazhdojnë të mbajnë gjendjen nën kontroll në pjesën veriore të Mitrovicës. Incidentetet në pjesën veriore të Mitrovicës që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës ka bërë që marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve dhe sebëve dhe komunitetit ndërkombëtar të përkeqësohen. Njëri nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, thotë se eskalimet e situatës në Mitrovicë janë parandaluar pas ndërhyrjes së shpejtë të UNMIK-ut dhe KFOR-it. Ndërsa, reagimet e serbëve ndaj situatave të tilla, ai i cilëson si veprime shumë të dëmshme dhe se ato mund të ndikojnë edhe si shprehet në ekzistencën e serbëve në Kosovë. "Nëse diçka e tillë do të ndodhë edhe në të ardhmen, atëherë mendoj se muaji qershor do të jetë shumë i rëndësishëm për serbët që të vendosin se çka më tutje, të rrinë këtu apo të lëshojnë Kosovën." - thotë Ivanoviq.

Është edhe një një çështje tjetër në qytetin e Mitrovicës, që ka javë që ka pushtuar mediat vendore. Janë marrëdhëniet jo të mira ndërmjet, kryetarit të komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepit dhe administratorit rajonal të UNMIK-ut, në këtë qytet, Gerardo Galluqi. Ky i fundit nuk ishte pajtuar me ndërhyrjen e policisë me 17 mars për të larguar serbët protestues nga gjykatat në pjesën veriore të Mitrovicës. Ky qëndim i zotit Galluqi i cili bie ndesh edhe me qëndrimin e krerëve të UNMIK-ut, në Prishtinë, ka bërë që kryetari i komunës së Mitrovicës Bajram Rexhepi të ngrijë marrëdhëniet me të. Mediat në Kosovë shkruajnë se burime brenda UNMIK-ut, thonë se shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker dhe zëvëndësi i tij, Lari Rosin, janë të prerë për largimin e zotit Galluqi nga Mitrovica mirëpo, këtë nuk e pranon zyra ligjore e OKB-së në Nju Jork. Në Mitrovicë, ka dy ditë që një iniciativë e grave të qytetit po protestojnë para selisë së UNMIK-ut të cilat kërkojnë poashtu largimin e zotit Galluqi, nga posti i administratorit rajonal të Mitrovicës.