1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

President në një situatë ekstreme

Bernd Johann8 Qershor 2014

Asnjëherë më parë një president në Ukrainë nuk ka marrë besimin e kaq shumë njerëzve. Dhe kurrë më parë nuk i është dashur të zgjidhë probleme kaq të rënda. Poroshenko duhet të përmbushë shpresa të mëdha.

https://p.dw.com/p/1CE4q
Ukraine Präsident Petro Poroschenko Vereidigung 07.06.2014
Fotografi: Reuters

Megjithëse ende nuk e ka marrë zyrtarisht postin, Petro Poroshenko, Presidenti i ri i Ukrainës, ka folur tashmë me politikanët më të rëndësishëm evropianë. Më Presidentin e SHBA-së Barack Obama ai u takua në Varshavë. Kancelarja gjermane Angela Merkel e priti atë në një darkë në Berlin. Dhe në Normandinë franceze pati madje edhe një takim të shkurtër, edhe pse të akullt, me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin. Politika agresive e Putinit pas aneksimit të Krimesë, vë në pikëpyetje edhe kufijtë e Ukrainës në Lindje.

Të gjithë duan të flasin tani me Poroshenkon, kush me hir si Merkel dhe Obama, kush me pahir, si Putini. Asnjëherë më parë zgjedhjet presidenciale nuk kanë përfunduar me një rezultat të tillë të qartë: që në raundin e parë, sipërmarrësi dhe politikani me influencë shënoi fitore. Dhe ai mori shumicën në të gjitha pjesën e vendit me përjashtim të krahinës Donjeck, ku separatistët penguan me dhunë mbajtjen e zgjedhjeve thuajse kudo.

Vakuum pushteti në lindje të Ukrainës

Poroshenko është një njeri i politikës së qendrës. Legjitimimi i fortë demokratik mund ta bëjë atë një president të fortë. Dhe Ukraina ka nevojë urgjente për një burrë të fortë në krye të shtetit. Grupet e armatosura proruse me mbështetjen e Rusisë kanë ndezur një luftë në lindje të vendit, e cila merr viktima të reja çdo ditë. Rusia vazhdon të lejojë që luftëtarë të huaj dhe armë të hyjnë në Ukrainë përmes kufirit të përbashkët.

Kësaj i shtohet edhe situata e vështirë ekonomike në gjithë Ukrainën. Vetëm me ndihma financiare ndërkombëtare mund të shmanget falimentimi i shtetit. Reforma të gjera janë të nevojshme në mënyrë që Ukraina të marrë sërish veten. Në të njëjtën kohë Rusia ushtron trysni ndaj Ukrainës së varur nga livrimet e gazit në negociatat për gazin. Me ndërmjetësimin e komisionerit të BE-së për energjinë Oettinger u mundësia arritja e një kompromisi. Por për të nuk ka siguri.

Shpresa për një jetë më të mirë

Të gjitha këto probleme duhet tani t'i zgjidhë Poroshenko. Ai do të bëhet kreu i një vendi që gjendet në një situatë ekstreme. Paraardhësi i tij në post Janukoviç e kishte plaçkitur faktikisht Ukrainën dhe e kishte çuar politikisht buzë humnerës, derisa u formua një lëvizje e gjerë proteste kundër abuzimit me postin dhe presidenti i padëshëruar u largua.

Redaktori i Deutsche Welle-s, Bernd Johann.
Fotografi: DW/P. Henriksen

Njerëzit në Ukrainë janë me ndjenja të trazuara. Ata duan paqe dhe një jetë normale e cila të orientohet nga standarde evropiane. Të gjitha shpresat janë drejtuar tani tek Poroshenko. Ai duhet të kujdeset që besimi i qytetarëve tek shteti dhe institucionet e tij të rikthehet. Kjo është një detyrë tejet e vështirë.

Poroshenko ka për këtë mbështetjen e plotë të Perëndimit. Ai do ta drejtojë vendin e tij drejt BE-së. Në të njëjtën kohë ai kërkon edhe marrëdhënie të mira me Rusinë. Sepse pa Moskën një zgjidhje e konfliktit në lindje të Ukrainës është e pamundur. Me të drejtë Poroshenko është i gatshëm të veprojë me gjithë ashpërsinë e mundshme kundër separatistëve të gatshëm për dhunë. Por njerëzit në Donjeck dhe Luhansk - e në gjithë Ukrainën - Presidenti i ri duhet t'i bindë tani se politika e tij do të përmbushë shpresat për një jetë më të mirë.