1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti Wulff jep dorëheqjen për arsye të aferës me shtëpinë e re

17 Shkurt 2012

Presidenti gjerman Christian Wulff, i gjendur nën trysni, dha sot dorëheqjen. Prokuroria e Hanoverit pati kërkuar dje heqjen e imunitetit të presidentit, në mënyrë që të bëheshin të mundura hetimet.

https://p.dw.com/p/144ib
Presidenti Wulff jep dorëheqjen
Presidenti Wulff jep dorëheqjenFotografi: Reuters

Prokuroria deklaroi, se kundër Wulffit dhe sipërmarrësit financiar David Groenewold ekzistonin dyshime fillestare për përfitime prej detyrës ose për dhënie përfitimesh të tjerëve. 51 vjeçari Wulff ishte presidenti më i ri në këtë post. Ai detyrohet të largohet nga detyra në kështjellën Bellevue pas vetëm 19 muajsh, koha më e shkurtër në post për një president në historinë e Republikës Federale Gjermane.

Christian Wulff ishte përfshirë në një skandal kredie shtëpie, i cili e ka zanafillën në kohën kur Wulff pati qenë kryeministër i landit të Saksonisë së Ulët. Kryeministri pati pranuar fillimisht një kredi prej bashkëshortes së një sipërmarrësi dhe më pas e kishte shlyer atë duke siguruar një kredi të të njëjtave përmasa nga një bankë gjermane, por me kushte më të favorshme sesa ato për klientët e zakonshëm. Për t'u marrë me krizën e krijuar kancelarja Merkel anuloi sot një vizitë në Itali. Kryetarja e Partisë Demokristiane Merkel tha sot në Berlin, se ajo do një kandidat të përbashkët të koalicionit dhe të opozitës si pasardhës të Christian Wulffit.

Autor: DW/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama