1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bujar Nishani në Berlin

Pandeli Pani7 Qershor 2013

Gjermania ka pritshmëri të mëdha në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri dhe luftimi i korrupsionit është vendimtar për investimet e huaja, thekson Norbert Lammert.

https://p.dw.com/p/18lWg
Fotografi: DW/P. Pani

Tri ishin temat kryesore të takimeve që pati në Berlin me presidentin gjerman Joachim Gauck dhe me kryetarin e parlamentit gjerman Norbert Lammert presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani: zgjedhjet parlamentare ne Shqipëri, integrimi në BE dhe bashkëpunimi në fushën ekonomike dhe atë të investimeve.
 

Gjermania ka pritshmëri të mëdha në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri, tha kryetari i parlamentit gjerman Norbert Lammert, i cili qe bashkëbiseduesi i parë i presidentit të Shqipërisë Nishani. Lammert kujtoi problemet dhe dëmet politike që u shkatuan pas zgjedhjeve të vitit 2009 në Shqipëri dhe theksoi se veç objektivit për të zhvilluar zgjedhje të ndershme, e rëndësishme është para së gjithash edhe bindja e të gjithë pjesëmarrësve që zgjedhjet janë zhvilluar në mënyrë të ndershme.

Luftimi i korrupsionit vendimtar për investimet e huaja

Presidenti i Shqipërisë Nishani shprehu mirënjohjen për kontributin e veçantë që ka dhënë Gjermania për demokracinë dhe zhvillimin ekonomik në Shqipëri dhe kërkoi më tepër investime private gjermane në Shqipëri. Presidenti i Bundestag-ut tha se luftimi me vendosmëri i korrupsionit është parakusht vendimtar për investimet e huaja. Po ashtu Lammert theksoi se dyshimet për paqëndrueshmëri politike ndikojnë fort në pengimin e gatishmërisë për investime të huaja. Ai tha se ne Shqiperi ka zhvillime inkurajuese, por edhe zhvillime irrrituese, të cilat ndikojnë edhe në perceptimin që kanë investitorët në Gjermani për këtë vend.

Treffen in Berlin Bujar Nishani und Norbert Lammert
Presidenti Bujar Nishani dhe Kryetari i Bundestagut Norbert LammertFotografi: DW/P. Pani

Pjesë e Evropës

Edhe pse proceset integruese në Shqipëri kanë nevojë për shumë kohë, tha kryetari i parlamentit gjerman Norbert Lammert, vendi është pjesë e Evropës dhe në një perspektivë afatgjatë duhet të ketë një perspektivë anëtarësimi në BE. President i Shqipërisë Nishani theksoi se megjithë pengesat Shqipëria është e gatshme të vazhdojë rrugën e gjatë drejt Evropës dhe kursin e reformave për të arritur standardet evropiane.

Shqipërisë i nevojitet mbështjetja e miqve

Perspektiva evropiane e Shqipërisë qe edhe temë e bisedës mes presidentin gjerman Joachim Gauck. Presidenti shqiptar Nishani tha për DW se në bisedë me presidentin gjerman kishte kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për proceset integruese në Shqipëri. Shqipëria është e gatshme të bëjë të gjitha përpjekjet për të arritur standardet evropiane, por ajo ka nevojë edhe për mbështjetjen e miqve të saj në këtë rrugë, tha presidenti Nishani.Në bisedë me homolugun shqiptar presidenti gjerman Gauck shprehu interesimin e tij edhe në lidhje me përballjen e Shqipërisë me të kaluarën komuniste. Ai tregoi interes të veçantë edhe për liritë fetare në Shqipëri duke kujtuar se Shqipëria ka qenë vendi me regjimin më të ashpër diktatorial që ndaloi edhe fenë.

Thirrje për më tepër investime gjermane në Shqipëri

Në takimin e organizuar me përfaqësues të biznesit gjerman dhe të Shoqatës Ekonomike Shqipëri-Gjermani presidenti shqiptar bëri thirrje për më tepër investime gjermane në Shqipëri duke theksuar edhe rëndësinë e tyre për zhvillimin e vendit. Në intervistë me Deutsche Wellen ai tha se Gjermania zë vendin e parë sa u përket ndihmave për Shqipërine dhe ky pozicion duhet të reflektohet edhe në investimet gjermane në Shqipëri.

Deutsch-Albanisches Wirtschaftsformum Berlin
Pamje nga takimi në Forumin ekonomik gjermano-shqiptarFotografi: DW/P. Pani

Kryetari i Shoqatës ekonomike Gjermani-Shqipëri Hans-Jürgen Müller vuri në dukje, se firmat gjermane që janë të interesuara për investime afatgjata në Shqipëri deri tani për fat të keq nuk kanë fituar tendera për investime publike aty. Ai vuri në dukje dhe disa vështirësi dhe pasiguri me të cilat përballen investitorët e huaj në Shqipëri. Presidenti shqiptar theksoi se përmirësimi i vazhdueshëm i legjislacionit dhe vendimi për krijimin e Gjykatës Administrative do të ofrojnë më siguri për investimet e huaja në Shqipëri.