1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti pakistanez viziton Indinë

9 Prill 2012

Kjo nuk është një vizitë zyrtare shtetërore, por megjithatë një sinjal i rëndësishëm politik. Presidenti i Pakistanit Asif Ali Zardari arrriti të dielën (08.04.) për një vizitë të shkurtër në Indi.

https://p.dw.com/p/14ZYB

Presidenti Zardari ka udhëtuar si qytetar privat që së bashku me djalin e tij në shtetin federal Rajasthan të vizitojnë tempullin e famshëm të një shenjëtori sufi-musliman. Por në qoftë se për herë të parë pas shtatë vjetësh, një president pakistanez hyn në tokën indiane dhe drekon së bashku me kryeministrin indian, atëherë ky është një akt shumë i lartë simbolik. "Unë i jam mirënjohës kryeministrit indian Manmohan Singh për ftesën e bërë që të drekojmë së bashku, edhe pse unë ndodhem këtu privatisht. Bisedimet tona ishin të frytshme. India dhe Pakistani janë fqinjë. Ne duam të përmirësojmë marrëdhëniet tona me Indinë. Ne kemi biseduar për të gjitha temat e mundshme. Dhe unë shpresoj që ne së shpejti do të takohemi edhe në tokën pakistaneze."

Në foto, Asif Ali Zardari dhe Manmohan Singh
Në foto, Asif Ali Zardari dhe Manmohan SinghFotografi: AP

Të kërkohen zgjidhje taktike dhe pragmatike

Ndërkaq kryeministri indian Manmohan Sing tha në paraqitjen e përbashkët të shkurtër para kamerave se: "Presidenti Zardari ndodhet si një qytetar privat në Indi. Dhe unë e kam shfrytëzuar këtë rast që me të të diskutojmë për të gjitha temat e mundshme. Unë jam shumë i kënaqur me rezultatin. Edhe presidenti Zardari më ka ftuar mua në Pakistan. Unë do të jem shumë i lumtur për një vizitë të tillë në një kohë të përshtatshme për të dyja palët. Marrëdhëniet tona duhet të normalizohen, kjo është dëshira jonë e përbashkët. Ne duhet të flasim për shumë probleme, por ne jemi të gatshëm të kërkojmë zgjidhje taktike dhe pragmatike. Ky është mesazhi i takimit të sotëm."

Pas ditëve të terrorit në Mumbai, ku në vitin 2008 humbën jetën më shumë se 170 njerëz, erdhi deri tek ndërprerja e plotë e marrëdhnënieve mes Indisë dhe Pakistanit. India është e sigurtë se islamisti pakistanez Hafiz Saeed është organizator i sulmit terrrorist treditor. Tarun Vijav nga partia më e madhe opozitare indiane e thotë atë që e mendojnë shumë indianë: "Hafiz Saeed duhet të dalë para gjyqit në Indi. Ai është përgjegjësi kryesor për terrorin e Mumbait. Ai duhet të ekstradohet në Indi dhe këtu të dënohet. Kjo duhet t'i thuhet qartë presidentit Zardari."

Presidenti pakistanez arrin për vizitë në Indi
Presidenti pakistanez arrin për vizitë në IndiFotografi: AP

Megjithatë, Pakistani është akoma i mendimit se nuk ka prova të mjaftueshme, duke e lënë të qetë të akuzuarin i cili ka shumë përkrahës. Dhe siç duket kjo çështje nuk ka qenë temë diskutimi në takimin e djeshëm (08.04.)

Në qendër të armiqësive çështja e pazgjidhur e Kashmirit

Në bisedimet e zhvilluara në një atmosferë private është diskutuar më shumë për çështje pragmatike që mund të realizohen, për ndryshime përmes tregtisë. Pakistani ka kohë që vuan nga një krizë e rëndë energjitike dhe ka nevojë për ndihmën urgjente të shtetit fqinj. India nga ana tjetër do të përfitonte nga marrëdhëniet tregtare preferenciale dhe do të mund të eksportojë shumë më tepër se deri tani. Dy fuqitë fqinje bërthamore e shohin me mosbesim njëra tjetrën që nga pavarësimi nga Britania e Madhe në vitin 1947. Në qendër të armiqësive është çështja e pazgjidhur e Kashmirit. Të dyja vendet kanë pretendimet e tyre për këtë territor të banuar kryesisht me myslimanë dhe kanë zhvilluar deri tani disa luftëra për të. Prandaj i tërë ky rajon është militarizuar shumë dhe për këtë arsye është kthyer në një magnet për grupet radikale islamike terroriste.

Bisedime në atmosferë private
Bisedime në atmosferë privateFotografi: AP

Autorë: Sandra Petersmann / Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Cika Kelmendi