1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti Wulff kërkon falje dhe refuzon dorëheqjen

22 Dhjetor 2011

Presidenti i Gjermanisë, Christian Wulff, kërkoi falje për mënyrën se si e ka trajtuar deri tani aferën e kredisë private. Ai pranoi se ka bërë gabime, por bëri të ditur se nuk do të japë dorëheqje nga posti i tij.

https://p.dw.com/p/13Xw5
Christian Wulff
Christian Wulff - falje po, dorëheqje jo!Fotografi: picture alliance / dpa

Presidenti i Gjermanisë Christian Wulff tha se i merr shumë seriozisht të gjitha kritikat dhe informacionet që janë dëgjuar deri tani. Presidenti gjerman kërkoi falje ne deklaratën personale për shkak se nuk janë bërë publike me kohë të gjitha informacionet për kreditë e tij private.

Presidenti pranon gabimet

"Shpjegimet kanë mundur të jepen me kohë, por punë nuk është kryer si duhet. Për këtë më vjen shumë keq", tha Wulff duke shtuar se të gjitha iritimet rreth financimit kanë mundur të evitohen me kohë.

Christian Wulff, Bettina Wulff, Carsten Maschmeyer dhe Veronica Ferres.
Wulffi dhe kreditorët Maschmeyer - kredia është dashur të paraqitet.

"Unë e kam kuptuar se sa ky financim privat ka irituar njerëzit dhe opinionin. Kjo ka mundur dhe është dashur të evitohet. Për marrjen e kredisë private është dashur ta informojë me kohë parlamentin e landit Saksonisë së Poshtme. Me vjen keq që këtë nuk e kam bërë. Unë e kam të qartë se jo të gjitha gjërat janë bërë sipas rregullave juridike dhe si duhet", theksoi Wulff.

Presidenti refuzon dorëheqjen

Presidenti gjerman pranoi se gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit ka bërë disa gabime, por kundërshtoi të gjitha kërkesat për dorëheqjen e tij, që kohët e fundit janë dëgjuar prej disa qarqeve opozitare. Wulff bëri të qartë se nuk mendon fare për dorëheqje, por për vazhdimin e bashkëpunimit.

„Edhe gjatë vitit 2012 d otë kemi një bashkëpunim të mirë, të paktën kështu mendoj unë.“

Wulffi tha se për dallim prej informacioneve për kredinë private, me kohë ka treguar për pushimet e kaluara te shokët e tij në vende të ndryshme. Ai tha se i është përgjigjur 250 pyetjeve të veçanta të çdo lloji. Por kundërshtoi të gjitha pohimet se gjatë ushtrimit të posteve të deritanishme i ka mundësuar përfitim ndonjë miku apo personi që e ka ndihmuar në fushata.

"Askujt nuk i është dhënë përparësi"

"E them shumë qartë se në asnjë kohë të ushtrimit të detyrave publike nuk i kam mundësuar dikujt ndonjë përparësi. Miqësitë personale janë për mua si njeri shumë të rëndësishme. Por ato nuk kanë të bëjnë asgjë me punën time dhe nuk kanë pasur ndonjë influencë në këtë punë. Këtë e them me plot përgjegësi", theksoi presidenti Wulff.

Christian Wulff
Që të mos bjerë hija mbi fjalimin e festave të fundvitit.Fotografi: picture-alliance/dpa

Ndërkohë edhe prokuroria e Hanoverit ka bërë të ditur se marrëdhëniet private të Wulffit me huadhënësin e tij, nuk japin "mbështetje për pohimin e blerjes së qëndrimit dashamirës duke qenë në post".

Me këtë deklaratë personale, presidenti i Gjermanisë ka dashur të sqarojë gjërat rreth jetës së tij private dhe punëve që ka bërë më parë - sepse në fjalën e tij për festat e fundvitit, nuk përmendet fare kjo çështje. Politikanët opozitarë ishin të mendimit se presidenti gjerman duhet të japë sqarime për gabimet e mëparshme dhe për punët private që mund të lidhen me ushtrimin e deyrës së mëparshme të kryeministrit apo të tanishme të presidentit. Majtistët kërkonin madje edhe dorëheqjen e tij.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica