1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtinë : Gjykata shpall gjermanët të pafajshëm

Bekim Shehu / Prishtinë29 Nëntor 2008

Një panel i gjykatësve ndërkombëtarë të administratës së KB-së, liroi nga paraburgimi tre shtetasit gjermanë që dyshoheshin të ishin përfshirë në sulmin me një mjet eksploziv në zyrën civile ndërkombëtare me 14 nëntor.

https://p.dw.com/p/G5mr
Andreas Jackel arrestohet nga policia në Kosovë, 22 nëntor 2008
Andreas Jackel arrestohet nga policia në Kosovë, 22 nëntor 2008Fotografi: AP

Paneli i gjykatësve ndërkombëtarë, pas një seance e cila zgjati disa orë, vendosi të pranojë ankesën e mbrojtjes që tre shtetasit gjermanë, agjentë të shërbimit të fshehtë gjerman të mbrohen në liri.

Prokuroria e qarkut në Prishtinë i akuzonte tre shtetasit gjermanë për terrorizëm. Mirëpo, në aktvendimin e panelit të gjykatësve ndërkombëtarë askund nuk thuhet nëse ata lirohen nga të gjitha akuzat apo lirohen që të mbrohen në liri. Para së çështja të kalojë në duar të gjykatësve ndërkombëtarë, prokurorët kosovarë thanë se nga hetimet e deritashme ata nuk kanë gjetur prova që tre shtetasit gjermanë të kenë hedhur mjetin shpërthyes në oborrin e zyrës civile ndërkombëtare.

Pas lirimit të tyre që ndodhi rreth orës tetë e tridhjetë të mbrëmjes së shkuar aktvendimin e shkurtër të gjykatësit ndërkombëtar Vinod Bolello, i cili liroi tre gjermanët e lexoi Fetie Bytyçi avokatja e njerit nga të arrestuarve. "Të tri ankesat e tre të pandehurve janë pranuar dhe paraburgimi për secilin prej të dyshuarve ndërpritet. Të pandehurit duhet të lirohen menjëherë nga qendrat e paraburgimit ku ata ndodhen, " tha Fetie Bytyçi.

Asnjëri nga avokatët mbrojtjes të tre gjermanëve të arrestuar nuk ishte në gjendje të thoshte se kur do të largohen tre gjermanët nga Kosova edhe pse një aeroplan special gjerman ka ateruar që nga orët e mëngjesit të ditës së premte në aeroportin e Prishtinës, në pritje që t'i dërgonte tre gjërmanët në vendin e tyre. Shpërthimi i datës 14 nëntor në ndërtesën e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë pati ndodhur në një fazë të ndjeshme politike në Kosovë, pikërisht në kohën kur po zhvilloheshin bisedime për shtrirjen e misionit evropian për sundimin e ligjit, Eulex në Kosovë. Menjëherë pas marrjes së pajtimit të misionit EULEX nga KS-it, që të dislokohet në Kosovë në bazë të një plani gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, një organizatë që vetën e quan Armata e Republikës së Kosovës, nëpërmjet një letre elektronike mori përsipër sulmin mbi zyrën civile ndërkombëtare. Policia nuk e morri këtë seriozisht, madje as nuk ka filluar hetimet.