1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina: Dy mekanizma ndërkombëtare nuk ndihmojnë demokracinë

Bekim Shehu / Prishtinë14 Qershor 2008

Autoritetet në Prishtinë, thonë se prania e dy mekanizmave ndërkombëtar në Kosovë, kombeve të bashkuara dhe BE-së, është sfidë për bashkësinë ndërkombëtare. Kjo formë nuk i shërben demokracisë.

https://p.dw.com/p/EJEf
Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i KosovësFotografi: AP

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, porosit Kombet e Bashkuara, që mos të frikësohen nga pavarësia e Kosovës, sepse sipas tij, Kosova do të jetë faktor stabiliteti në rajon. Jakup Krasniqi, është udhëheqësi i parë në Kosovë që pranoi ta komentojë letrën që sekretari i përgjitshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, dërgoi në Prishtinë dhe ku sqaron shkurt se cili do të jetë roli i UNMIK-ut, pas datës 15 qeshor kur hynë në fuqi Kushtetuta e Kosovës.

"Nuk duhet askush, as Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, të frikësohet nga paragjykimi i statusit të Kosovës. Statusi i Kosovës tashmë është i përfunduar dhe është i përfunduar mbi bazën e dokumenteve ndërkombëtare, mbi bazën e deklaratave të grupit të kontaktit, në bazë të planit të emisarit të OKB-së, presidentit, Ahtisari dhe mbi bazën e vullnetit të qytetarëve të Kosovës", thotë Jakup Krasniqi.

Zoti Krasniqi, thotë se letra e zotit Ban Ki Mun, e cila flet për prani të dy mekanzimave ndërkombëtar në Kosovë, të UNMIK-ut dhe EULEX-it, është një sfidë jo vetëm për institucionet e Kosovës po edhe për vet komunitetin ndërkombëtar.

"Ne jemi të mendimit që sfida që po i bëhet faktorit ndërkombëtar nuk është në shërbim të demokracisë dhe të zhvillimeve politike që janë duke ndodhur në Kosovë. Kjo është një sfidë me të cilën do të përballet edhe BE-ja", thotë Jakup Krasniqi.

Presidenca e Kosovës dhe qeveria, akoma nuk kanë dalë me qëndrimin e tyre zyrtar për letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun. Presidenti Sejdiu, ka thënë se, institucionet e Kosovës do të dalin me një përgjigje të peshuar mirë ndaj letrës së Sekretarit të Përgjithshëm, pas një analize të gjithanshme të përmbajtjes së saj. Letra e zotit Ban Ki Mun, akoma po analizohet në Prishtinë, sidomos pjesa ku flitet për bashkëpunimin e UNMIK-ut me autoritet e Beogradit, në polici, gjyqësi, dogana, kontroll kufitar dhe trashëgimi kulturore e fetare serbe. Sidoqoftë, autoritetet në Prishtinë, më herët janë shprehur se autoritet e Beogradit, nuk mund të angazhohen më për proceset në Kosovë dhe UNMIK-u duhet t'i bartë të gjitha përgjegjësitë tek institucionet e Kosovës dhe tek misioni i ri i BE-së. Ata janë pajtuar që në Kosovë edhe për një kohë te ketë dy mekanizma ndërkombëtar, misioni i UNMIK-ut dhe ai i BE-së, mirëpo që UNMIK-u më së largu deri në vjeshtë të këtij viti, përfundimisht të largohet nga Kosova dhe në vend të ketë vetëm një prani civile ndërkombëtare, misoni i BE-së.