1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina e gatshme të rinisë dialogun me Beogradin vetëm për serbët në Kosovë

Bekim Shehu23 Qershor 2008

Sipas autoriteteve të Prishtinës bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, mund të bëhen vetëm në cilësinë e dy vendeve fqinjë, ku do të përfshihet edhe UNMIK-u.

https://p.dw.com/p/EOiz
Pamje nga PrishtinaFotografi: DW/ Pandeli Pani

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se Kosova mund të  bisedojë me autoritet e Beogradit për çështjen e serbëve të Kosovës dhe problemet në vendbanimet e tyre, mirëpo, vetëm brenda kornizave të planit të Marti Ahtisarit. Presidenti hodhi poshtë çdo  mundësi, që për çështjen e statusit të bisedojë me Beogradin zyrtar. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, në  planin e tij për rikonfigurimin e UNMIK-ut, ka autorizuar misionin, që të përkujdeset për disa çështje që kanë të bëjnë me serbët e Kosovës, siç janë, çështja e policisë, gjyqësisë, trashigimia kulturore e  fetare dhe  vijat e reja administrative. Me këtë, janë pajtuar edhe autoritetet e Prishtinës, mirëpo, theksojnë se çdo marrëveshje e UNMIK-ut me serbët e Kosovës, duhet të ketë miratimin edhe të qeverisë së Kosovës. Presidenti, Fatmir Sejdiu: "Ne kemi nevojë të komunikojmë me Beogradin si një vend fqinjë, por edhe për disa pjesë praktike që lidhen me projektin, Ahtisari, mirëpo vetëm në frymën e këtij plani.  Në këtë kuadër dëshirojmë që të ketë një rol mbështetës edhe faktori ndërkombëtar, në këtë rast UNMIK-u, mirëpo ne nuk do të pranojmë tendenca që Beogradi mund t'i paraqes, qoftë në përzierjen e Beogradit në punët e brendshme të Kosovës apo shtrirjen e legjislacionit të Serbisë në Kosovë", thotë Sejdiu.


Këtë deklaratë, presidenti Sejdiu e bëri pas një takimi që së bashku me kryeministerin zhvilluan me shefin e ri të UNMIK-ut, Lamberto Zannieri. Ky i fundit  tha se do të jetë i hapur që të bisedojë për cdo cështje që kërkon zgjidhje:                                 

"Janë një numër problemesh që kanë nëvojë të zgjidhen, pra padyshim se do të nisë një ribesedim brenda Kosovës për shumë çështje në radhë të parë që kanë të bëjnë më serbët e Kosovës në përmirësimin e jetës. Pra, unë jam një njeri pargmatik, jam gati të bisedojë me këdo që shpreh gatishmëri për të zgjidhur problemet", tha Lamberto  Zannieri.


Sidoqoftë, prania e administratës së Kombeve të Bashkuara dhe përfshirja e saj në shumë çështje në Kosovë  do të ndjehet edhe për një kohë. UNMIK-u, qysh në këtë javë do të nisë procesin e rikonfigurmit, mirëpo nuk dihet se sa do të zgjasë, sepse nuk ka një datë përfundimtare. Megjithatë, autoritetet e Prishtinës sipas presidentit Fatmir Sejdiu, tashmë kanë kërkuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, që UNMIK-u të përfundojë mandatin sa më shpejtë, kjo nënkupton brenda  këtij viti dhe të bartë të gjitha përgjegjësitë tek  institucionet e Kosovës dhe tek misioni i ri i BE-së, EULEX.