1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina: Me Koshtunicën largohet edhe mentaliteti i së kaluarës

Bekim Shehu / Prishtinë10 Mars 2008

Autoritetet më të larta në Kosovë thonë se me rënien e qeverisë së kryeministrit Vojisllav Koshtunica, ndoshta do t'i mundësohet Serbisë të shikojë drejt së ardhmes së saj evropiane.

https://p.dw.com/p/DLlj
Parlamenti i PrishtinësFotografi: AP

Udhëheqësit politik kosovarë, thonë se me rënien e qeverisë se Serbisë nën udhëheqjen e kryeministrit Vojisllav Koshtunica, ka rënë edhe mentaliteti i së kaluarës në Serbi. Ata shpresojnë se tash do t'i mundësohet Serbisë të shikojë drejt së ardhmes së saj evropiane.

Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës:
"Zhvillimet historike dhe vendimtare që kemi marrë në Kosovë, gjithmonë kanë ndikuar edhe në demokratizimin e Serbisë. Në vitin 1999 kur e kemi larguar ushtrinë, policinë dhe administratën e Serbisë nga Kosova ka filluar rënia e Millosheviçit, ndërsa tash me pavarësinë e Kosovës ka rënë edhe Koshtunica, pra ka rënë mentaliteti i së kaluarës në Serbi."


Edhe kryetari i parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, shpreson që në Serbi të vijnë në pushtet forcat demokratike pro evropiane dhe në këtë mënyrë, Serbia do të lerë prapa të kaluarën e saj.

Ndërkohë edhe disa pëfaqësues të serbëve të Kosovës, të cilësuar të vijës së butë, e vlerësojnë pozitivisht rënien e qeverisë aktuale në Serbi dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Njëri nga përfaqësuesit e serbëve Rangjel Nojkiq, thotë se ajo çfarë po ndodhë në Serbi është mirë, sepse do
të profilizohet qartë cili është blloku që në zgjedhjet e ardhshme do të ketë shumicën parlamentare. Sipas tij, në këtë mënyrë do të rritet mundësia që serbët përmes institucioneve ndërkombëtare të mbrojnë interesat e tyre në Kosovë.

Sidoqoftë, autoritetet e larta në Prishtinë, thonë se se politika shtetërore e Kosovës është politikë e fqinjësisë së mirë. Mbi këtë bazë, ata shpresojnë që Kosova dhe Serbia si dy shtete të ndara, në një të ardhme të afërt do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.