1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

041209 Rumänien Präsidentschaftswahl

5 Dhjetor 2009

Më 6 dhjetor rumunët vendosin në zgjedhjet e balotazhit për presidentin e ardhshëm të vendit. Pas raundit të parë, në garë mbetën mbajtësi aktual i postit Traian Basescu dhe sfiduesi socialdemokrat, Mircea Geoana.

https://p.dw.com/p/Kqx0
Postera zgjedhorë
Shance për të fituar kanë të dy politikanët, fushata zgjedhore ka polarizuar shoqërinë.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Rezultati pothuajse i njëjtë i raundit të parë të zgjedhjeve, me 30 përqind të votave për Traian Basescu dhe sfiduesin e tij Mircea Geoana – ka polarizuar klasën politike të Rumanisë, pjesërisht edhe në mënyrë radikale. Në njërën anë ndodhet Partia Liberale Demokratike (PDL) dhe kandidati i saj, Presidenti aktual Traian Basescu. Kundërshtare e tij, Partia Konservative druhet se në rast se fiton, Basescu mund të ushtrojë i vetëm kontrollin mbi politikën dhe ekonominë.

Në anën tjetër ndodhet Mircea Geoana, aktualisht kryetar i Senatit dhe i socialdemokratëve ish - komunistë. Kandidatura e tij përkrahet nga një aleancë e gjerë, që ka si synim të deklaruar heqjen e Basescut nga posti. Përkrahëse prominente e kandidatit socialdemokrat është Partia Liberale, partnere besnike e Basescut në zgjedhjet e vitit 2004.

Basescu dëshiron vazhdimin e refomave të planifikuara.
Basescu dëshiron vazhdimin e refomave të planifikuara.Fotografi: AP

Fushata elektorale sundohet nga sharjet kundër Presidentit, Basescu përgjigjet me agresivitet dhe temat e rëndësishme si kriza ekonomike, papunësia në rritje e mungesa e stabilitetit politik përmenden vetëm kalimthi.

Presidenti këmbëngul në refomimin e shtetit. Në referendumin e fundit, i cili u mbajt njëkohësisht me raundin e parë të zgjedhjeve më 22 nëntor, 80 përqind e zgjedhësve përkrahën propozimin e tij për të hequr Senatin, Dhomën e Lartë të parlamentit, dhe për të ulur numrin e deputetëve (nga 471 në 300). Rezultati nuk është i detyrueshëm por tregon qartë mosbesimin e zgjedhësve për përfaqësuesit politikë.

Basescu dëshiron vazhdimin e refomave të planifikuara: „Për Rumaninë është e rëndësishme reforma e shtetit. Pa këtë reformë ulen shancet për të siguruar burimet financiare për investitorët, për punonjësit me rroga të ulta dhe pensione shumë të vogla të sektorit publik. Shumë të ulta do të mbeten edhe mjetet financiare për arsimin dhe shëndetësinë."

Presidenti aktual Traian Basescu.
Presidenti aktual Traian Basescu.Fotografi: AP

Por rezultati i 6 dhjetorit është një vendim që nuk ka të bëjë vetëm me çështjen e presidentit të ardhshëm. Që prej muajit tetor, Rumania qeveriset prej një qeverie të përkohshme, të krijuar pas krijimit të aleancës së madhe të socialdemokratëve me PDL-në. Emërimi i kryeministrit të ri, prej Basescut dështoi në parlamentin e riformuar me shumicë socialdemokrate dhe liberale.

Kurse propozimi i liberalëve u pranua menjëherë nga aleanca e re: Klaus Johannis, kryetari i suksesshëm i bashkisë së qytetit Sibiu (Hermannstadt), me origjinë gjermane, duhet të bëhet kryeministër nëse garën e fiton Geoana. Johannis, i zgjedhur për herë të tretë kryetar bashkie me më shumë se 80 përqind të votave vlerësohet si simbol i "virtyteve gjermane" që kanë koniukturë në Rumani, rregullit, disiplinës dhe pragmatizmit. Kandidati për president Mircea Geoana shpreson që nëpërmjet "projektit Johannis" të ketë pozicion më të mirë në fushatë dhe stabilitet politik: „Ne do të sjellim pas 6 dhjetorit stabilitet politik. Me gjithë forcat tona ne do të tregojmë se në Rumani është e mundshme edhe një lloj politike tjetër. Kompetencë dhe transparencë, kjo është motoja e kësaj qeverie. Ne luftojmë për qeverisje të mirë të Rumanisë."

Mircea Geoana
Edhe 20 vjet pas ndryshimeve politike, në zgjedhje ndodhen dy kandidatë që kanë lidhje me të kaluarën komuniste të vendit.Fotografi: AP

Në këtë mënyrë Klaus Johannis mund të ndryshojë situatën. Popullariteti i tij, 70 përqind e rumunëve janë për emërimin e tij kryeministër, suksesi i tij dhe kompetenca në nivel lokal mund të bëhen vendimtare për zgjedhjet në balotazh midis Basescut dhe Geoanas. Johannis është premtimi zgjedhor i aleancës së sapoformuar, në të cilën bën pjesë edhe pakica hungareze. Vetë Johannis e ka pranuar këtë rol dhe premton se duke qenë në krye të qeverisë mund ta nxjerrë vendin nga kriza: „Ne jemi një ekip, dhe ne besojmë në këtë, që mund të zgjidhë problemet që ka Rumania në këtë kohë.

Partitë që bëjnë pjesë në këtë ekip kanë shumicën e parlamentit, kështu që ne do të kemi nje qeveri me stabilitet politik. Ne jemi duke premtuar këtu një partneritet që zgjat më shumë se një legjislacion."

Sondazhet e fundit nxjerrin Geoanas para Basescut. E paqartë mbetet nëse zgjedhësit liberalë guxojnë të bëjnë një kapërcim ideologjik për t`ia dhënë votën socialdemokratëve ish - komunistë. Gjatë diktaturës komuniste e gjithë elita liberale nga politika, ekonomia dhe kultura u shua me plot kuptimin e fjalës. Sot politikanët socialdemokratë dhe liberalë flasin për pajtim, zgjedhjet e 6 dhjetorit do të tregojnë nëse ky mesazh do të pranohet.

Autor : Cristian Stefanescu / Aida Cama

Redaktoi : Bahri Cani