1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Siguria e produkteve ushqimore në Shqipëri

Arben Muka29 Janar 2014

Konsumatorët ankohen për ekzistencën e tregjeve rrethanore, të improvizuara buzë rrugëve, në trotuare a sheshe urbane, ku produktet mbahen nën ndikimin e drejtëpërdrejtë të kushteve atmosferike.

https://p.dw.com/p/1Aykj
Fotografi: DW/A. Muka

Kryetari i shoqatës “Për mbrojtjen e konsumatorit”, dr. Islam Cani, thotë se gjatë vitit 2013 kanë mbërritur në mjediset e kësaj organizate rreth 2400 ankesa dhe sinjalizime për shkelje të standardeve në sigurinë ushqimore. Më shumë, sipas tij, ato ishin të lidhura me produkte bazë që kanë nivel të lartë konsumimi nga qytetarët, si qumështi, mishi, vezët dhe nënproduktet të tyre, në trajtën e bulmetrave, sallameve, konservimeve etj. Shqetësimet nuk janë thjesht nga kushtet e përshtatshme të tregëtimit dhe trajtimit të produkteve ushqimore, thotë dr. Cani për DW.

“Ka raste të problemeve që krijohen nga përmbajtja mikrobike e tyre, ku origjina është nga sëmundje ose infeksione të kafshëve. Qytetarët na kanë raportuar dhe për prezencën e elementëve toksikë në ushqime, që vjen nga efektet e metaleve ose përbërësit e tjerë në infrastrukturën e përpunimit, magazinimit, set-i i enëve ku ruhen këto produkte etj. Një shkak për elementët e dëmshëm janë dhe pesticidet që injektohen për të stimuluar prodhimin, ose prania e lëndëve të rrezikshme kimike në vendet ku prodhohen, magazinohen ose tregëtohen produktet ushqimore. Për këto dhe raste të tjera, Shqipëria ka një legjislacion të standardit europian, por mendoj se çalon zbatueshmëria në terren. Diku me neglizhencë, diku me mosdije dhe diku tjetër me papërgjegjshmëri, shkelet ligji duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve, për interesa thjesht biznesi.”

Albanien Lebensmittelindustrie Islam Cani
Dr. Islam CaniFotografi: DW/A. Muka

Siguria ushqimore, si standard për afrimin në BE

Dr.Islam Cani nga Shoqata për “Për mbrojtjen e konsumatorit” thotë siguria ushqimore është ndër standardet që Shqipëria duhet të përmbushi për afrimin në BE dhe për këtë sipas tij nuk mund të ketë tregues që arrihen përkohësisht ose me fushata, por në mënyrë të qëndrueshme. Ankesat dhe denoncimet konkrete të qytetarëve pasi verifikohen nga ekspertët e shoqatës përcillen në institucionet e të gjitha niveleve, thotë dr. Cani. “Prioritet kanë rastet e përsëritura ose ato fenomene që prekin në rreze të gjerë, sikundër janë trajtimet me ushqime në kopshe, çerdhe, shkolla e deri tek lokalet brenda sipërmarrjeve, njësive ushtarake etj”.

Një kategori ankesash lidhet me tregjet rrethanore, të improvizuara buzë rrugëve dhe trotuareve, ose në sheshet urbane, ku produktet ushqimore qëndrojnë në vende të hapura, nën ndikimin e drejtëpërdrejtë të kushteve atmosferike, të nxehtit, pluhurit, gazrave që çlirojnë automjetet etj. Një ndër shkeljet e rënda në sytë dhe vëmendjen e opinionit publik mbetet trajtimi dhe shitja në vende të hapura e mishit.

Vetëm në Tiranë para pak muajsh ka pasur aktive mbi 170 pika si therrtore mishi, një strukturë që nuk mund të mbahej nën kontroll nga njësitë e veterinerëve. Duke qenë në pjesën më të madhe të palicencuara nga autoritetet, aktiviteti përbënte një rrezik real për konsumatorët. Me kontrollet në nivel qëndror dhe lokal numri i therrtoreve ka rënë në mënyrë drastike dhe kryeqyteti ka aktualisht 3-4 të tilla. Por gjithësesi mbetet të shikohet nëse bëhet fjalë për fushatë, që do të thotë se zgjidhja është e përkohshme, apo për zgjidhje të qëndrueshme kundër tregut informal dhe të dëmshëm për shëndetin e qytetarëve.

Albanien Lebensmittelindustrie Alban Zusi
Alban ZusiFotografi: DW/A. Muka

Zëvendësministri i bujqësisë, zhvillimit rural dhe administrimit të ujërave, Alban Zusi, thotë se siguria ushqimore është një sfidë për shoqërinë shqiptare, pasi në më shumë se dy dekada janë krijuar boshllëqe dhe precendetë negative. Situata është drejt normalizimit, por nga analizat që janë bërë mbi gjendjen është konstatuar një lloj decentralizimi dhe dublimi në përgjegjësinë e sigurisë ushqimore, thotë Zusi për DW.

Reformimi i procesit të monitorimit

“Porcesi i manipulimit dhe tregëtimit të mishit është në ndjekje nga tre institucione që në fakt janë krejt të pavarur nga njeri tjetri, që operojnë në hesap të vet, gjë që sjell dhe moskoordinimin e mbikqyrjes së tregut. Sepse për lëvizjen e kafshëve përgjegjësia është e Ministrisë së Bujqësisë, për procesin e therrjes është pushteti lokal dhe pas daljes së produktit në treg është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, AKU, që ka kopetenca. Pra, jemi përballë një realiteti që nuk mund të përcaktojmë përgjegjësitë konkrete, në këto tre institucione të ndryshme nga njeri tjetri. Ne jemi duke menduar dhe diskutuar me grupet e interesit për të parë mundësitë të reformimit të sistemit veterinar, për caktimin e përgjegjësive në zinxhirin e sigurisë ushqimore, për të evituar dublimin e angazhimin, fshehjen e përgjegjësive, feninomenin e ‘ping-pong-ut' në kopetenca, që shkakton moseficencë dhe dobësim të strukturës.”

Albanien Lebensmittelindustrie Markt Tirana
Fotografi: DW/A. Muka

Iljazi, një tregëtar produktesh ushqimore thotë se qëndron në një mjedis të improvizuar, sepse vendi i miratuar nga bashkia është larg zones së banuar. “Atje ka kushte, por vijnë pak njerëz. Ne duhet të rrimë afër blerësve dhe jo në distancë se ky është falimentim për biznesin tonë.” Por tregëtarët që ushtrojnë aktivitetin në tregjet e kontrolluara ankohen për konklurrencë të pandershme nga kolegët e tyre të palicencuar dhe që nuk paguajnë asnjë taksë. Zëvendësministri i bujqësisë, zhvillimit rural dhe administrimit të ujërave shton se reformimi hap perspektivën dhe shfrytëzimin me kriter dhe proporcional të burimeve njerëzore, të ekspertëve që janë në varësi të pushtetit lokal apo atij qendror.

“Ka pasur një mendësi që AKU nuk mund të ndërhyjë tek subjektet që ushtrojnë aktivitet pa licencë në industrinë ushqimore. Ky nonsens është zgjidhur tashmë dhe zbatimi i ligjit ka dhënë efekte konkrete. Mjaft operatorë të tregut janë detyruar të ndjekin procedimin e licencimit të tyre, pas paralajmërimeve dhe këshillimeve që kanë marrë nga ekipet e AKU-së. Edhe në rastin e trajtimit të mishit ka subjekte që janë futur në sistem duke bërë legalizim të aktivitetit. Pikërisht legalizimi ndikon në mbarrëvajtjen e zinxhirit të sigurisë ushqimore. Kjo strategji do të gjejë zbatim edhe në rastin e peshkut, pasi dhe aty ka nevoja për ndërhyrje dhe stabilizim në kapjen e standardeve të kërkuara.”Paralelisht me veprimet në terren, Zusi thotë se ekspertët po shikojnë mundësitë në përmirësimin ligjor, si një mbështetje për reformat e ndërmarra.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi