1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Problemet dhe përparësitë e investimeve në Serbi

Ivan Djerkovic28 Mars 2016

Pse dikush nga Gjermania duhet të investojë në Serbi? Kapitali kërkon siguri e kushtet në Serbi nuk janë gjithmonë të parashikueshme. Por duket se kjo po ndryshon.

https://p.dw.com/p/1IKu6
Symbolbild Währung serbische Dinar und Euro
Fotografi: Fotolia/Comugnero Silvana

Thomas Maasen punon prej dy vjetësh në Serbi. Sipërmarrja e tij „Renus logistik“ e ka përfaqësinë në Beograd dhe ai është i kënaqur. Ai është vetëm një prej investorëve që mori pjesë në konferencën e javës së kaluar në Frankfurt, kushtuar investimeve gjermane nga landi i Hesenit në Serbi. Landi Hesen ka gati të njëjtin numër banorësh sa Serbia, por të ardhurat bruto të këtij landi janë gati dhjetëfish më të mëdha se në Serbi. Po pse pra dikush nga një land kaq i pasur investon në Serbi? Mbase për vetë faktin se produkti social bruto për frymë në Hesen është rreth 45.000 euro, ndërsa në Serbi rreth 5000 euro. "Kjo do të thotë se Serbia është nëntë herë më e lirë", thotë ministri i Financave Dushan Vujoviq. Thomas Maasen nuk foli për fuqi të lirë punëtore, por për "fuqi të kualifikuar dhe motivuar punëtore“.

Rritja e investimeve dhe eksportit

Parë nga interesimi i investorëve gjermanë - në Dhomën Ekonomike të Frankfurtit të mërkurën (23.3.) ishin përfaqësuesit e 200 firmave - Serbia ofron më shumë se vetëm fuqi të lirë punëtore. "Në Serbi janë rritur jo vetëm shpenzimet, por edhe investimet dhe eksporti", thotë kryetar i Dhomës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh. "Serbia po shënon rritje stabile ekonomike, më stabile se shumë vende të BE-së", pohon kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. "Me paratë e investuara në Serbi do të shënoni përfitimë më të larta se në çdo vend tjetër“.

Vuçiq tha se "Serbia nuk është një vend ku buron vetëm qumësht dhe mjaltë, por kemi bërë shumë reforma". "Ne kemi bërë konsolidimin fiskal dhe kemi ulur rrogat dhe pensionet. Nëse dikush nga investorët ka problem, ne do ta zgjidhim", theksoi Vuçiq në Franfkurt.

Bashkëpunimi mes landit të Hesenit dhe Serbisë është dyfishuar në pesë vitet e fundit. "Kjo është në interesin tonë", tha ministri i Hesenit për Ekonomi, Tarek al Vazir, „por edhe në interesin e Serbisë, ku hap pas hapi po përmirësohet standardi i jetës.“

Ndërsa Marko Çadezh tha se Serbia dallon nga vendet tjera në procesin e integrimeve evropiane: "Për Serbinë nuk është me rëndësi se kur do të anëtarësohet në BE, por është me rëndësi që të jetë plotësisht e gatshme për këtë anëtarësim. Sepse nëse nuk jeni të gatshëm për konkurrencë në treg, vetë anëtarësimi në BE nuk ju ndihmon.“

Eksporti dhe problemet

Shikuar nga të dhënat e fundit, 90% e gjermanëve që investojnë në Serbi, e vazhdojnë punën atje, që do të thotë se përvojat janë pozitive. Një prej tyre është edhe "Stada Groupp", i cili prej vitit 2009 është pronar i "Hemofarm-it", punëdhënësit më të madh në Banat të Vojvodinës.

Drejtori i përgjithshëm i „Hemofarm“ Ronald Seliger thotë se ka probleme me të cilat përballet firma e tij, për shembull me pronësinë në Serbi. Ka probleme edhe me korrupsionin. Selinger e ka konstatuar këtë në bisedë me të tjerët, sepse „Hemofarm“ si një sipërmarrje e madhe nuk ka aq shumë probleme me korrupsionin. Ndërsa sa i përket shitjes, "Hemofarm" ka probleme më të mëdha në Serbi. "Kur keni rroga mesatare prej 300-400 euro, fuqia blerëse është më e vogël", pohon ekonomisti gjerman.