1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prognozë optimiste e rritjes ekonomike të Kinës në Kongresin Kombëtar Popullor

9 Mars 2009

Kina nuk e njeh thuajse aspak problemin e ngushticës së kredive. Kriza financiare ndërkombëtare në Kinë ka prekur para së gjithash eksportet. Por udhëheqja e Kinës përhap optimizëm në Kongresin Kombëtar Popullor

https://p.dw.com/p/H8aR
Udhëheqja kineze është optimiste për rritjen ekonomike të vendit
Udhëheqja kineze është optimiste për rritjen ekonomike të venditFotografi: AP

Dy orë zgjati fjalimi i kryeministrit kinez Wen Jiabao të enjten e kaluar (5.3.) në hapje të punimeve të Kongresit Popullor. Një pjesë e mirë e fjalimit i kushtohej krizës ekonomike. Kina ka filluar t'i ndiejë pasojat e krizës financiare globale qysh në muajin shtator, deklaroi Wen-i. Viti 2009 do të jetë një vit i vështirë. Weni njoftoi se Kina do t'i japë impulse ekonomisë me shpenzime të tjera shtetërore. Kryeministri kinez parashikoi një rritje prej 8 për qind për këtë vit. Rastësisht Kinës sipas vlerësimeve të përgjithshme i duhet pikërisht një rritje prej 8 përqindësh për të ofruar numrin e mjaftueshëm të vendeve të punës. Për këtë arsye vëzhguesit e vlerësuan prognozën ekonomike të Wen-it si një optimizëm të qëllimshëm.

Të premten (6.3.) edhe shefi i Bankës Qëndrore, Zhao Xiaochuan në një konferencë shtypi u shpreh optimist lidhur me zhvillimin ekonomik:

"Statistikat tregojnë se një pjesë e sektorëve të ekonomisë po stabilizohen dhe po marrin veten. Kjo tregon se politika jonë në ndihmë të ekonomisë ka filluar të ketë efekt. Këshilli shtetëror ka bërë të qartë se reagimi ynë ndaj krizës duhet të jetë i shpejtë dhe i vendosur."

Kina ka nevojë për këtë optimizëm. Vërtet asaj nuk i duhet të përballet me krizë bankare, pasi sistemi i saj bankar nuk preket thuajse aspak direkt nga kriza financiare. Por pasojat në ekonominë reale janë edhe më të rënda. Doris Fischer, eksperte për Kinën pranë Institutit Gjerman për Politikat e Zhvillimit shpjegon përse:

Optimizëm i bazuar? Presidenti kinez Hu Jintao i shtrëngon dorën në Kongres kryeministrit Wen Jiabao
Optimizëm i bazuar? Presidenti kinez Hu Jintao i shtrëngon dorën në Kongres kryeministrit Wen JiabaoFotografi: AP

"Kina preket direkt përmes strukturave të importit dhe eksportit. Eksportet e Kinës shkojnë kryesisht në Perëndim në vendet e industrializuara. Në një kohë kur kërkesa në këto vende është në rënie, kinezët e ndiejnë këtë në ekonominë e tyre. Kjo ka bërë që të mbyllen fabrika dhe të rritet papunësia. Këto zhvillime mund të kenë si pasojë probleme sociale dhe politike dhe ky është shqetësimi kryesor i Kinës, pasi sistemi politik atje e mbështet stabilitetin e tij në sukseset ekonomike."

Prej katër muajsh tashmë eksportet e Kinës janë në rënie. Gjatë muajit janar rënia shënoi 17 për qind. Të parët që janë prekur nga kriza janë punëtorët shëtitës. Edhe vetë vlerësimet zyrtare flasin për 20 milionë vetë që kanë humbur vendet e punës, por numri i saktë duhet të jetë shumë më i lartë. Meqenëse situata sociale në këtë rast do të ishte shpërthyese, shpenzimet shtetërore për sigurinë publike janë rritur me thuajse një të tretën. Veç kësaj kohët e fundit zëvendëskryeministri Xi Jinping u emërua i ngarkuar i posaçëm për paqen sociale. Dhe që nga shkëndijat e vogla të mos shpërthejnë zjarre të mëdha, edhe protestat e vogla njoftohen direkt në Pekin.

Por në një pikë Kina është e pajisur më mirë së vendet e tjera për përballimin e krizës ekonomike. Gjatë vitete të kaluara të bumit ekonomik Pekini ka patur një buxhet thuajse të balancuar. Në vitin 2008 deficiti buxhetor ishte vetëm 0,4 për qind e produktit të brendshëm bruto. Me shpenzimet buxhetore të planifikuara tani për stimulimin e ekonomisë vërtet do të shënohet deficiti më i lartë në historinë e Republikës Popullore, por edhe atëherë ai nuk do të jetë më i lartë se 3 për qind të produktit të brendshëm bruto. Pra brenda kufirit të përcaktuar nga pakti për stabilitetin e euros në Eurozonë. Kësaj i shtohen edhe rezervat në valutë të huaj të mbledhura gjatë viteve të fundit. Kina ka rreth 2 bilionë dollarë rezerva në valutë, ndërkohë që SHBA-ja qëndron mbi rreth 10 bilionë dollarë borxhe.

Pekini i përdor në mënyrë strategjike paratë. Fondet shtetërore kineze përdoren tani për shembull për të blerë më çmime të lira pjesë në kapitalet e sipërmarrjeve austrialiane të lëndëve të para. Dhe në fundjavë një delegacion kinez me përfaqësues të lartë u nis për në Evropë me një mision të qartë: blerjen e pjesëve të kapitalit në sipërmarrjet evropiane.

Autor: Mathias von Hein

Përshtatja: Eliana Xhani

Redaktor: Auron Dodi