1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projektligj i diskutueshëm - Qeveria në Berlin planifikon një bankë paralajmëruse të dhënash lidhur me vizat

Marsel Fürstenau4 Mars 2009

Qeveria të mërkurën (4.3.) miraton projektligjin për një bankë paralajmëruse të dhënash për vizat. Me këtë synohet kufizimi i rasteve të abuzimeve me vizat, siç ka ndodhur kur ndiqej një praktikë dorëlëshuar vizash.

https://p.dw.com/p/H5Nj
Formulari i aplikimit për vizë Shengen nga Gjermania.Fotografi: dpa

Në projektligj, të cilin e ka në dorë edhe Deutsche Welle, domosdoshmëria për një bankë të tillë të dhënash argumentohet me "kërcënimin për sigurinë e brendëshme" të Gjermanisë. Si rreziqe të mundshme përmenden udhëtimi ilegalisht, kriminaliteti i kontrabandistëve dhe terrorizmi. Ndaj kësaj banke të dhënash, që synohet të krijohet ka mjaft kritika, kjo edhe sepse në të do të regjistrohen në Entin Federal të Administrimit personat që ftojnë njerëz në Gjermani. Akses në këto të dhëna nuk do të kenë vetëm ambasadat, por edhe policia dhe shërbimet sekrete.


Viza anullohet, hyrja në Gjermani e padëshirueshme. Një lajm, që mund të prekë si ekspertët e informatikës nga Idnia, ashtu edhe studentët e Kimisë nga Kina, apo punonjës të ndihmës së zhvillimit nga Uganda. Një sërë shembujsh të hamendësuar këto, që edhe kanë ndodhur në mënyrë të ngjashme, apo edhe mund të ndodhin në të ardhmen me ndihmën e bankës paralajmëruese të të dhënave për vizat. Planet e qeverisë hasin në rezervat parimore si të degës së bamirësisë të Kishës Evangjeliste, ashtu edhe të partive të unionit kristiandemokrat/kristiansocial dhe të asaj socialdemokrate.


Në një pozicionim të Ministrisë federale të Punëve të Brendëshme, që e ka në dorë edhe Deutsche Welle, thuhet se në kohët e globalizimit për një shoqëri pluraliste dhe të hapur është `e pashmangshme dhe e domosdoshme` të ruhen kontaktet e shumëllojshme me qytetaret dhe qytetarët e shteteve të tjera dhe që ata të ftohen shpesh në Gjermani "me qëllim të shkëmbimeve familjare dhe të marrdhënieve të punës e të kulturës."


Edhe pa bankën e të dhënave për vizat organizatat fetare si "Bukë për botën" e të tjera e kanë të vështirë të ftojnë në Gjermani bashkëpunëtorë të organizatave të ndihmës për zhvillimin nga vende të tjera thotë zëdhënësi i shtypit Rainer Lang: "Kur bëhet fjalë për vende si Somalia apo Sudani, shumë shpejt lind dyshimi, se këta persona duan të mbeten këtu. Për ne mbetet shpesh pezull deri në minutën e fundit nëse personat e ftuar do të marrin vërtetë vizën apo jo."


Që një shtet ndërmerr masa kundër keqpërdorimit të vizave kjo është e kuptueshme, thotë Rainer Lang nga shoqata ‚Bukë për botën‘. Për kontrabandistët e njerëzve dhe bandat e kriminelëve në të shkuarën ka qenë si një lojë fëmijësh sjellja në Gjermani e punëtorëve ilegalë apo e grave për prostitucion. Arësyeja kishte bënte me atë, që në vitin 1999 qeveria e drejtuar nga koalicioni mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve per dekret i kish udhëzuar ambasadat që t´i shqyrtonin me zemërgjerësi aplikimet për viza.


Praktika ‚In dubio pro libertate‘ (në rast dyshimi për lirinë) i përket periudhës kur ministër i Jashtëm ishte Joschka Fischer. Pasi në vitin 2004 u zbuluan një sërë rastesh të abuzimeve me dhënien e vizave kryesisht në Ukrainë, u krijua një komision hetimor parlamentar për shqyrtimin e rasteve. Ministri Fischer mori mbi vete përgjegjësinë politike: "Në periudhën që kam qenë ministër i jashtëm në vitin 1999 u lëshuan dy dekrete, që këtë instrument, i cili lë hapësira për abuzime e bënë edhe më të prekshëm."


Pasoja e skandalit ishte një praktikë e rreptë për dhënien e vizave: ‚In dubio pro securitate‘ (Në rast dyshimi për sigurinë). Ministri i Jashtëm Joschka Fischer nuk morri masa në personel, pavarësisht kërkesës përkatëse nga ish-drejtuesja e opozitës, sot kancelarja Angela Merkel: "Ministri federal i ka shkaktuar një dëm të madh vendit. Në Gjermani kanë dhënë dorëheqjen shumë ministra për arësye krejt të ndryshme nga kjo."


Ndërkohë kanë kaluar pesë vjet qysh prej skandalit të vizave. Unioni kristiandemokrat/kristiansocial e ka pasur prejkohësh idenë për krijimin e një banke sinjalizuese. Por për këtë duhet të bindeshin edhe socialdemokratët që bashkëqeverisin me unionin konservator qysh nga vitit 2005. Të dy kampet politike kanë rënë dakord për krijimin e një të ashtuquajture banka e të dhënave për ata që japin garancitë. Në këtë bankë duhet të regjistrohen ndër të tjera emri, nënshtetësia dhe nëse bëhet fjalë për vizë jo private, duhet regjistruar organizata që fton.


Nëse dikush brenda dy vjetësh dërgon të paktën pesë garanci automatikisht ndaj tij mund të lindë dyshim. Në një rast të tillë vihet nën mbikqyrje të posaçme "ai që lëshon shpesh herë garanci". Një ndër shumë pika, kjo që refuzohen prej mbrojtësve të sekretit të të dhënave. Edhe Hellmut Königshaus nuk e vlerëson një praktikë të tillë. Ai ka qenë përfaqësues i partisë liberale në komisionin hetimor për aferën e vizave dhe e njeh mirë këtë lëndë. Königshaus është kundër bankës së të dhënave për ata që lëshojnë garanci, sepse kushdo që regjistrohet në këtë bankë të dhënash konsiderohet "parimisht si i dyshimtë":


Königshaus: "Kjo do të thotë, që p.sh. një mësues në Gjermani në të ardhmen duhet të mendohet mirë, nëse mund ta ftojë klasën partnere nga një vend i huaj, sepse në këtë mënyrë ai mund të regjistrohet në bankën e të dhënave sinjalizuese. Kjo mund të ndodhë vite të tëra njëri pas tjetrit duke i krijuar personit një situatë të vështirë dyshimesh. Kjo vçenarisht për faktin, se të gjitha autoritetet e mundshme mund të kenë akses tek kjo bankë, madje bazuar në kritere jo të përkufizuara saktë. Rrethana të tilla mundësojnë një dendësi kontrolli edhe për rastet, kur një gjë e tillë është e panevojshme."


Hellmut Königshaus theksoi për Deutsche Welle-n, se do të ketë rezistencë nga ana e opozitës kundër këtij projektligji. Bankë sinjalizuese të dhënash po, por jo një bankë të dhënash për ata që lëshojnë garancitë, është motoja e kundërshtimit. Deputeti berlinez i Bundestagut për këtë i referohet unionit kristiandemokrat/kristiansocial, i cili pas skandalit të vizave kërkoi një projektligj pa bankën e të dhënave për ata që lëshojnë garancitë. Nuk është aspak e pranueshme, që tani unioni ka ndryshuar "rrënjësisht kursin në dëm të të drejtave të lirisë së qytetarëve".