1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prokuroria kërkon gjashtë vjet burg për Berlusconin

Eliana Xhani (dpa, rtr)14 Maj 2013

Gjashtë vjet heqje lirie dhe kurrë më poste politike: kryeprokurorja në Milano flet për "prostitucion sistematik" në vilat e Berlusconit. Veç kësaj bëhet fjalë për abuzim të postit.

https://p.dw.com/p/18XF2
Silvio Berlusconi
Fotografi: Reuters

Një tjetër kapitull në luftën e tij disavjeçare me drejtësinë italiane: ish-kryeministri dhe multimiliarderi Silvio Berlusconi dështoi me ankimimet ndaj trupit gjykues dhe tani i duhet të dëgjojë pikat e akuzës të prokurorisë së Milanos. Për kryeprokuroren Ilda Bocassini, faji i Berlusconit është i qartë. Nën akuzën e marrëdhënieve seksuale me një prostitutë të mitur ajo kërkon gjashtë vjet heqje lirie kundër ish-kryeministrit konservator. Veç kësaj 76-vjeçarit i ndalohet për gjithë jetë të mbajë poste publike.

Në pleduajenë e saj, Boccassini ngriti akuza të rënda. Në vilën e Berlusconit Arcore, është ushtruar "prostitucion sistematik", tha ajo. Në qendër të procesit është marokenia asokohe 17-vjeçare Karima El Marhoug, e quajtur "Ruby" Rubacuori, me të cilën Berlusconi akuzohet se ka pasur marrëdhënie kundrejt pagesës. Të dy e hedhin poshtë këtë.

Miliona për seks

Moguli i medieve e ka ditur shumë mirë se "Ruby" në atë kohë ka qenë e mitur, thotë padia. Për mbrëmjet në Arcore gruaja e re është paguar direkt prej tij. Më shumë se katër milionë e gjysmë euro i ka paguar Berlusconi "Ruby-t", deklaroi Bocassini. Kjo rezulton nga telefonatat e kontrolluara, shënimet e sekuestruara dhe të dhënat bankare të siguruara. Prokuroria e akuzon veç kësaj ish-kryeministrin për abuzim me postit, pasi në pranverë 2010 ka provuar të çlirojë nga problemet me drejtësinë "Ruby-n" me një telefonatë në Milano.

Influencim i drejtësisë?

Berlusconi është mbrojtur duke thënë se gruan e re e kishte kujtuar për një të afërme të ish-presidentit egjiptian Husni Mubarak dhe ka dashur të shmangë ndërlikime diplomatike me Kajron. Prokuroria flet për një teatër të shëmtuar me të cilin është bërë përpjekje të mashtrohen nëpunësit e shtetit. Mbrojtja e Berlusconit pritet të kërkojë çlirimin nga të gjitha akuzat. Vendimi mund të merret në 24 qershor. Avokati i Berlusconit, Nicolò Ghedini, foli të hënën (13.5.) për një masë ndëshkimore ekstrem të lartë të kërkuar nga prokurorja. Në rast se shpallet fajtor Berlusconi sipas ligjit italian ka mundësi të apelojë dy herë.

Procesi "Ruby" me vendimin në instancë të parë në qershor është njëri nga një numër procesesh në të cilat ai gjendet në bankën e të akuzuarve. Vetëm një javë më parë ai mori një tjetër dënim për mashtrim fiskal.