1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të dalë ish-presidenti Wulff në gjyq?

(dpa / dw) Mimoza Cika-Kelmendi12 Prill 2013

Prokuroria e Hanoverit ngriti padi për dyshime për ryshfet ndaj ish-presidentit të Gjermanisë Christian Wulff. Këtë e konfirmojnë hetuesit. A do të duhet që Wulff të dalë para gjyqit?

https://p.dw.com/p/18EqS
Fotografi: picture-alliance/dpa

Prokuroria në Hanover ngriti padi kundër ish-presidentit të Gjermanisë, Christian Wulff për shkak të dyshimeve për korrupsion. Menaxheri i prodhimit të filmave David Groenewold është gjithashtu i akuzuar për korrupsion, bëri të ditur institucioni i hetimeve. Në bazë të dëshmive të prokurorisë Groenewald në 2008 i pagoi me rastin e një vizite për Festën e Tetorit në Mynih çiftit bashkëshortor Wulff hotelin prej 754 euro, me qëllim që ish-kryeministri i atëhershëm i Saksonisë së Poshtme ta ndihmonte duke ndërhyrë për një projekt të tij filmi. Vetëm një ditë pasi prokuroria më 16 shkurt 2012 kishte hapur formalisht procesin e hetimeve kundër Wulff-it, ky dha dorëheqjen nga posti i presidentit.

Christian Wulff dhe David Groenewold
Christian Wulff dhe David GroenewoldFotografi: picture alliance / Eventpress Herrmann

Të martën (09.04.2013) Wulff dhe Groenewold refuzuan një ofertë të prokurorisë për mbylljen e procesit përkundrejt një gjobe. Ata e konsiderojnë veten si të pafajshëm në këtë ngjarje. Tani Gjykata e Hanoverit duhet të vendosë nëse akuzat e ngritura janë të mjaftueshme për hapjen e procesit. Marrja e këtij vendimi mund të zgjasë me muaj. Deri më sot në Gjermani asnjë ish-president nuk është akuzuar nga drejtësia.