1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protestë e heshtur në Turqi

Senada Sokollu / Eliana Xhani19 Qershor 2013

Në heshtje dhe në këmbë demonstrojnë mijëra vetë në gjithë vendin kundër kryeministrit Erdogan. Kështu protestuesit reagojnë ndaj sjelljes agresive të policisë javët e kaluara.

https://p.dw.com/p/18svS
Fotografi: DW/S. Sokollu

Të arrestuar, qindra të plagosur dhe katër të vdekur - ky është bilanci i përkohshëm i lëvizjes së protestës në Turqi. Prej më shumë se dy javësh mijëra turq demonstrojnë për më shumë të drejta dhe liri në vendin e tyre. Në shënjestër të protestave ishte në radhë të parë kryeministri Rexhep Taip Erdogan: "Tayyip istifa!" ("Taip jep dorëheqjen!"), ishte një nga sloganet e dëgjuara më shpesh.

Demonstruesit marshuan në rrugët e Stambollit, shkruajtën parrulla kritike ndaj qeverisë në mure dhe u përleshën disa herë ashpër me policinë. Parku Gezi u bë simbol i lëvizjes së protestës. Atje protestuesit kërcyen, kënduan, hëngrën dhe fjetën në çadra. Pas zbrazjes së dhunshme të parkut nga policia, duket se e gjitha kjo ka marrë fund. Në vend të thirrjeve mbizotëron heshtja, në vend të njerëzve që marshojnë shihet qendrim në vend.

Heshtja si formë e re e protestës

Më shumë se pesë orë qendroi koreografi Erdem Gündüz në të njëjtën pozë në sheshin Taksim
Më shumë se pesë orë qendroi koreografi Erdem Gündüz në të njëjtën pozë në sheshin TaksimFotografi: Reuters

Zhurma me tenxhere mbrëmjeve, fishkëllimat e bilbilëve, përplasja e duarve dhe ndezja e fikja e dritave, ishin qysh javët e kaluara në gjithë vendin një formë alternative e demonstrimit. Por protesta me qëndrimin në këmbë në heshtje është e re. Ajo filloi të hënën (17.6.2013) me një burrë, i cili thjesht qëndroi ashtu në këmbë. Në heshtje, me duart në xhepat e pantallonave. Vështrimi i fiksuar në drejtim të një protreti të themeluesit të shtetit turk, Mustafa Kemal Atatürk. Më shumë se pesë orë qendroi koreografi Erdem Gündüz në të njëjtën pozë në sheshin Taksim. Shpejt u dallua nga demonstruesit, dhe gjithnjë e më shumë ndoqën në mënyrë spontane shembullin e tij.

Gjatë natës rreth protestuesit fillimisht të vetmuar ishin grumbulluar shumë njerëz. Në heshtje. Një protestë paqësore në këmbë. Policia turke nuk ishte e sigurt, se çfarë duhej të bënte. Demonstrimet në sheshin Taksim, janë ndaluar nga Erdogan. Kushdo, që do të vazhdojë të demonstrojë, do të trajtohet si terrorist, deklaroi qeveria e tij. Në fund policia e shpërndau masën e heshtur të njerëzve. Gündüz u arrestua dhe u mor në pyetje, por pastaj u la sërish i lirë.

Burri në këmbë mobilizon masën

Brenda pak orësh pamjet dhe informacionet për protestën e heshtur të burrit në këmbë (turqisht: duran adam), në sheshin Taksim, u shpërndanë në të gjithë botën përmes Twitter. Në shumë qytete turke demonstruesit morën shembull nga protesta e heshtur në këmbë. Në Stamboll protesta e heshtur është zhvendosur ndërkohë në lagje të tjera të qytetit. Kështu në lagjen Besiktas demonstruesit qëndrojnë në këmbë kundër qeverisë së Erdoganit. Një burrë u vendos para redaksisë së gazetës Sabah, e cila konsiderohet e afërt me qeverinë. Nëpërmjet rrjeteve sociale njerëzit merren vesh për orare fikse, kur i gjithë kombi turk të heshtë për pesë minuta. Si të martën në mbrëmje: në orën 20 i gjithë vendi heshti.

Pamje nga protestat
Pamje nga protestatFotografi: Reuters

Për fat të keq ditët e fundit, të reagosh ndaj gjërave që ndodhin në këtë vend, është kthyer në krim, thotë demonstruesja 26-vjeçare Eylem Özkan në bisedë me DW: "Në parkun Gezi të rinjtë u përpoqën të bënin qëndresë me kulturën dhe humorin e tyre. Por të gjitha pa sukses. Tani vendosëm për heshtjen. Nganjëherë heshtja është reagimi më i mirë."

"Ne jemi më të zgjuar dhe më të fortë se ata"

Në sheshin Taksim vështrimet drejtohen para së gjithash mbi qendrën kulturore Atatürk, e cila është dënuar të shembet nga Erdogan. Të ulur, duke u falur dhe duke medituar, shprehin njerëzit protestën e tyre. Vështrimet drejtohen edhe mbi policinë, e cila mban të pushtuar me bllokime parkun Gezi. Për orë të tëra njerëzit qendrojnë përballë policëve. I shohin në sy pa asnjë shprehje në fytyrë. "Kjo është rruga më e mirë për t'u treguar se ne jemi më të zgjuar dhe më të fortë se ata. Ata na godasin dhe na shtyjnë. Ne duhet të gjejmë rrugë më të zgjuara për të demonstruar", thotë demonstruesja Gökce Isilsen. Një tjetër demonstrues ka ndezur katër qirinj, në shenjë kujtimi për katër të vrarët, tre demonstrues dhe një polic. "Nëse do të shpreheshim me tinguj, do të përballeshim me dhimbje, kur jemi pa zë, jo", thotë demonstruesi që qëndron ulur.

Në foto, Gazetari dhe sociologu Hüseyin Günes
Në foto, gazetari dhe sociologu Hüseyin GünesFotografi: DW/S. Sokollu

Gazetari dhe sociologu Hüseyin Günes është që nga dita e parë në lëvizjen e protestës. "Një plumb plastik më ka goditur në dorë, u qëllova nga një bombë me gaz lotsjellës dhe me ujëhedhës", thotë Günes në bisedë me Deutsche Welle-n. Kjo formë e heshtur e protestës është një britmë dhe ai do që ta bëjë atë më të fortë me pjesëmarrjen e vet.