1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protesta me pasoja të rënda në Jemen, Libi dhe Bahrejn

18 Shkurt 2011

Gjatë protestave antiqeveritare në Libi, Bahrejn dhe Jemen ka pasur shumë të vrarë dhe qindra të plagosur.

https://p.dw.com/p/10JGD
Protestat në Jemen.Fotografi: AP

Varfëria, papunësia, ndarja e pjesës jugore të vendit, kryengritësit në veri dhe Al Kaida - janë problemet më të mëdha me të cilat po përballet aktualisht Jemeni. Në vendin më të varfër të botës arabe, ka sa të duash shkaqe për protesta kundër presidentit Saleh, i cili është në pushtet për 32 vite me radhë. Kundërshtarët dhe mbështetësit e presidentit u përleshën në shumë qytete. Ndërkohë që përleshjet në këtë vend janë jashtëzakonisht të rrezikshme, sepse çdo i dyti qytetar i Jemenit posedon armë.

Jemen Demonstration gegen die Regierung in Aden Polizeikugeln
Argumentet për përdorimin e armëve.Fotografi: picture alliance/dpa

Por për dallim prej Tunizisë dhe Egjiptit, duket se regjimi i presidentit Saleh është përgatitur mirë për trazira të këtilla, mendon eksperti për çështje të sigurisë Valid Valaji.

„Opozita ka mësuar nga përvojat e vendeve të tjera, por tani po mësojnë edhe pushtetmbajtësit. Ata po ndërmarrin masa preventive dhe po përgatiten për protesta. Rajoni po përjeton një valë të ngjarjeve që mund të kenë pasoja për mbarë bashkësinë ndërkombëtare", thotë ai.

Solidarizimi i pushtetmbajtësve

Presidenti Saleh në mënyrë demonstrative ka mbështetur edhe mbretin e Bahrainit Hamad al-Khalifa, i cili poashtu gjendet nën presionin e trazirave në rrugë. Ai kërkoi që t'i bëhet rrezistencë protestuesve, me shpjegimin se nuk duhet lejuar futja e tërë rajonit në kaos. Në Jemen po dëgjohen gjithnjë e më shumë kërkesa për liri, por edhe për shkëputjen e pjesës jugore të vendit nga ajo veriore.

„Jugu nuk do të mbetet pjesë e një Jemeni të bashkuar“, shpjegon Mohammed al-Masri nga universiteti në Aman, duke shtuar se "jugu ka kërkuar pavarësi dy vitet e fundit."

Prandaj edhe nuk befason fakti që gjatë protestave në Aden, në kryeqyatetin e pjesës jugore, pati edhe të vdekur dhe të plagosur. Të vdekur dhe të plagosur ka pasur edhe në Bahrejn.

Bani i shqetësuar me zhvillimet

UN Generalsekretär Ban Ki Moon bei einer Pressekonferenz mit Bundespräsident Christian Wulff in Berlin zu den Ereignissen in Ägypten Kairo Mubarak
Bani i shqetësuar.Fotografi: AP

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon kërkoi që të mos përdoret dhuna ndaj demonstruesve paqësor. "Raportet e fundit nga Bahrejni janë shumë shqetësuese. Këtu dhe askund tjetër nuk duhet të përdoret dhuna ndaj demonstruesve paqësor dhe gazetarëve. Dhuna duhet të ndërpritet ndërsa përgjegjësit të nxirren para drejtësisë. Në protestat e qeta, pushtetmbajtësit e kanë përgjegjësinë e respektimit të të dretjave të njeriut. Kombet e Bashkuara kanë kërkuar prej liderëve në këtë rajon që sikur edhe në të gjitha vendet tjera të botës, të dëgjojnë me vëmendje kërkesat legjitime të popullit", theksoi ai.

Reagimet nga Gjermani

Guido Westerwelle Pressekonferenz Ägypten
Guido Westerwelle - jo dhunës.Fotografi: AP

Ngjarjet në Jemen, Bahrejn dhe Libi kanë shkaktuar reagime edhe në Gjermani. Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle dha një deklaratë të posaçme me rastin e protestave të fundit. "Është shumë e qartë që jehona e lirisë ka mbërritur nga Tunizia dhe Egjipti në vendet tjera të rajonit. Më e rëndësishmja është që qeveritë e atjeshme të mos përdorin dhunën. Jo dhunës, është kërkesa kryesore e qeverisë gjermane, që ua kemi dërguar edhe partnerëve tanë në këtë rajon", theksoi ministri i Jashtëm gjerman.

Ndërsa ish-ambasadori i Libisë Ali Zeidan, i cili tani është politikan opozitar dhe zëdhënës në ekzil i Ligës për të drejtat e njeriut në Libi (LLHR) shprehet: "Shpresojmë se do të ketë ndryshime, por rruga ëshë e gjatë. Gaddafi ka shumë më shumë përvojë me ngjarje të tilla se sa Tunizia, apo Egjipti dhe do të përdorë të gjitha mundësitë për të evituar rënien nga pushteti. Ne nuk e dimë si është gjendja brenda forcave të sigurisë, të cilat kanë ndërmarrë masa të dhunshme në Benghaz."

Autor: Ulrich Leidholdt, DW/ Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica