1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita ruse njofton protesta të reja

Utte Schäffer/Elona Elezi30 Nëntor 2012

Opozita ruse ka njoftuar shtim të protestave masive për muajin dhjetor. Moska është e gatshme për t´u përballur me demonstratat pa marrë parasysh atë që mund të ndodhë. Duket se shteti rus i trembet qytetarëve të vet..

https://p.dw.com/p/16srC
Fotografi: picture-alliance/dpa

Është një garë pushteti. Kush i drejton të shtënat në Rusi, të ashtuquajturat strukturat Siloviki? Ushtria, policia dhe shërbimet inteligjente, apo opozita? Beteja nuk është shumë e ndershme. Në njërën anë qëndron fuqia shtetërore nën udhëheqjen e presidentit Vladimir Putin, ndërsa nga ana tjetër lëvizjet e protestave. Në përpjekjen për një koordinim më të mirë dhe një zë të vetëm, opozita ka zgjedhur nëpërmjet internetit Këshillin Koordinues.

Kurajoze, por e përçarë

Është rinia ruse, mbi të gjitha, e cila thotë se do një të ardhme pa ndërhyrje të autoriteteve, një të ardhme pa Putin.  21-vjeçarja Isabelle Magkoeva iu bashkua lëvizjes së protestave në dhjetor të vitit 2011. Sot, ajo është nga drejtuesit e lëvizjes "Occupy Moscow“ dhe ka mbështetur qartazi shpresat tek kolegët e saj. "Ne po përgatisim revolucionin!" i tha DW-së mësuesja japoneze, duke shtuar se ajo nuk ndan bindjet jo-politike të prindërve të saj. "Ka njerëz të brezit tim që nuk dinë asgjë rreth Bashkimit Sovjetik. Por në ndryshim nga brezi i prindërve të mi, ne nuk kemi frikë dhe nuk jemi cinikë. Ne besojmë se ndryshimi në këtë vend është i mundshëm."

Në të vërtetë, demonstruesit e rinj janë të patrembur. Ata gjithashtu kanë një platformë të qartë dhe një sfond konceptual të përbashkët. Opozita ka në radhët e saj aktivistë ambientalistë dhe liberalë ekonomikë, si dhe nacionalistë të krahut të djathtë. Lideri nacionalist Dmitry Dyomushkin thuhet se ka kontakte të ngushta me kritikët e njohur ndaj qeverisë, si për shembull ish-zëvendëskryeministrin Boris Nemtsov dhe Sergei Udaltsov, lideri i lëvizjes të Frontit të Majtë.

Modeli gjerman i lëvizjes ambjentaliste

Edhe mes Këshillit Koordinues ka mosmarrëveshje. Yevgeniya Chirikova, aktiviste ambientaliste e së Gjelbrës dhe anëtare e Këshillit të sapoformuar, kritikon bashkë-aktivistin e spikatur Alexei Navalny për fshehje dhe ndryshim të bindjeve të tij.

Chirikova tha se lëvizjet e Gjelbra në Evropë dhe Gjermani e kanë frymëzuar atë dhe i kanë dhënë kurajo për të nisur një lëvizje të ngjashme në Rusi.  "Nuk kishte asgjë të krahasueshme në Rusi," i thotë ajo DW. "Por në Gjermani, për shembull, kam parë njerëz që luftojnë për idetë e tyre, që dalin në rrugë dhe nisin lëvizje. Lëvizje në nivel lokal, që nuk marrin udhra nga qeveria."

Megjithatë, shumicës së rusëve u mungon kurajoja e Chirikova-s. Edhe pse protestat janë shpërndarë nga Shën Peterburgu e Moska dhe deri në qytetet e tjera, shtresa e mesme kryesisht ka qëndruar larg lëvizjeve të opozitës. Në moshën 35 ose 40 vjeç, shumë njerëz janë plotësisht të zënë me punën dhe familjet e tyre. Mungesa e kohës, frika nga represioni shtetëror dhe gjetja e emrave të tyre në "listat e zeza" i ka mbajtur ata larg rrugëve. Shumica e shtresës së mesme ruse nuk dëshiron të rrezikojë sigurinë e saj, të fituar me aq shumë kujdes.

Russland Moskau Demonstration Oppositionsführer Festnahme
Udhëheqësi i opozitës Aleksei Navalny gjatë një protetste në Moskë më 27 tetor 2012Fotografi: Reuters

Presionet nga shteti

Anastassia Mesheryakova menaxhon dy restorante në Moskë. Nëna beqare me dy fëmijë, ka vetëm një qëllim: ligjet në vendin e saj të vlejnë vërtet për diçka. "Nuk ka rëndësi e Majta, e Djathta apo Social-Demokratikja. Sinqerisht nuk më intereson," i tha ajo DW. "Nuk më intereson ideologjia. Duhet të ketë ligje për këdo. Për shtetin, institucionet dhe njerëzit. Ata e bëjnë jetën më të lehtë."

Mesheryakova tha se ajo beson se eventualisht shtresa e mesme mund të jetë më e përfshirë në politikë në kuadër të kufizimeve të të drejtave të tyre civile. "Dhjetë vite më parë ne as që flisnim për politikë. Gjërat kanë ndryshuar," thotë ajo. "Kur takohemi me miqtë, politika është një nga temat që diskutojmë."

Shteti rus bëri më të mirën e tij për të mbajtur njerëz si Mesherykova larg protestave. Arrestime, dënime të ashpra për demonstruesit si dhe kufizimet e të drejtave të tubimit në sheshet madhore të Moskës parandaluan grumbullimet e njerëzve. Legjislacioni i ri përfshin një ligj spiunazhi që e bën më të lehtë etiketimin e rusëve të cilët punojnë si spiunë për organizmat e huaja. Edhe përballë këtyre ligjeve që interpretohen si të nevojshëm nga ana e prokurorëve për të ngritur akuza, opozita lajmëroi ndërmarrjen e protestave në muajin dhjetor.

Një zë nga shtresa e mesme

Ka një rrugë tjetër për të protestuar kundër regjimit. Navalny krijoi një parti të re, Aleanca Popullore, e planifikuar të mbajë takimin e saj të parë në dhjetor. Vladimir Ashurkov, këshilltar i Navalny dhe ish-drejtor i Grupit të Menaxhimit dhe Kontrollit Portfolio, në Konsorciumin Alfa Group, tha se partia ka si qëllim t´i japë një zë asaj pjesë popullsie që është e pakënaqur  me regjimin aktual autoritar dhe të korruptuar. "Platforma e partisë konsiston në dy parime themeltare," thotë ai. "Ne e shikojmë Rusinë si një shtet evropian dhe përfaqësojmë interesat e shtresës së mesme."

Të gjithë grupet opozitare, me përjashtim të Komunistëve, e refuzojnë qeverisjen e stilit "padron" të Putinit. Ata refuzojnë të jenë nën patronazh, të ngacmuar dhe të sanksionuar, dukuri të cilat kanë ardhur gjithnjë e në rritje që nga rizgjedhja e Putin. Ata po luftojnë për një Rusi ndryshe, me më shumë liri të brendshme dhe një orientim më të qartë drejt Evropës. "Kemi ndjesinë se Rusia nuk ka pse të gjejë rrugën e saj të veçantë," thotë Ashurkov. "Rusia është një vend evropian dhe nga një pikëpamje kulturore, historike dhe fetare, ne jemi pjesë e civilizimit Perëndimor."

Dita kur Rusia do të jetë pjesë e Evropës është shumë afër, shton Ashurkov. Por qëllimi nuk është domosdoshmërisht një aleancë ekonomike, politike ose ushtarake, thotë politikani opozitar. "Qëllimi është ligjshmëria kushtetuese, liria e shtypit dhe një shtet efikas."