1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protesta në Venezuelë, Maduro akuzon SHBA

aud (jm/rc/AP)24 Shkurt 2014

Grumbuj njerëzish u mblodhën sërish të dielën në qytete të Venezuelës, në mitingje pro dhe kundër qeverisë. Inflacioni i lartë dhe krimi i kanë ushqyer protestat, në një kohë kur qeveria vazhdon të akuzojë SHBA.

https://p.dw.com/p/1BEA8
Studenten demonstrieren auf dem Plaza Alfredo Sadel
Fotografi: DW/Oscar Schlenker

Grupet pro dhe kundër qeverisë akuzojnë njëri-tjetrin se përdorin dhunë. Të paktën tetë vetë kanë humbur jetën dhe më shumë se 100 të tjerë janë plagosur në dhunën e lidhur me protestat. Ajo filloi me një demonstratë të madhe antiqeveritare në 12 shkurt, kundër mungesës së veprimit të qeverisë përballë krimit e inflacionit.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry e kritikoi qeverinë e Venezuelës se u është përgjigjur me dhunë demonstruesve, ka futur në burg studentë, ka kufizuar lirinë e shprehjes dhe të mbledhjes dhe ka ndaluar të punojnë reporterë të CNN-it.

"Kjo nuk është mënyra e sjelljes së demokracive", tha Kerry, duke kërkuar nga të gjitha palët, duke përfshirë protestuesit, që të përmbahen e të mos përdorin dhunë.

Komentet e tij u pasuan me një përgjigje të menjëhershme nga Maduro. "John Kerry e kërcënon Venezuelën me më tepër dhunë, me deklaratat e tij ai u jep dritë të gjelbër grupeve të dhunshme që të sulmojnë njerëzit tanë", shkroi presidenti të shtunën në llogarinë e tij në Twitter.

Manifestimet

Një manifestim proqeveritar u organizua të shtunën në kryeqytetin e vendit, Caracas, nën moton "gratë kundër dhunës fashiste". Kjo i referohej pretendimit të përsëritur dendur nga Maduro se protestat janë pjesë e një përpjekjeje të krahut të djathtë, për të rrëzuar qeverinë e tij socialiste.

Autoritetet kanë akuzuar figurën e shquar të opozitës dhe ekonomistin e edukuar në Harvard, Leopoldo Lopez se ka frymëzuar dhunën. Atë e kanë burgosur me akuzat e nxitjes, duke shkaktuar zemërim te mbështetësit e tij dhe kritika në botë.

Ish-kandidati për president, Henrique Capriles, aktualisht guvernator i shtetit Miranda, bëri thirrje të shtunën për protesta kundër grupeve që akuzohen se shpifin për demonstruesit antiqeveritarë dhe i sulmojnë ata. Dhjetëra mijëra vetë dolën në qytet në demonstratën më të madhe deri tani kundër qeverisë së Maduros, që prej 10 muajsh në pushtet.

"Kur do t'i zgjidhësh problemet tona, kur të jemi të gjithë në varreza?" pyeti Capriles para kundërshtarëve të qeverisë. "Nëqoftëse ti, Maduro, nuk je në gjendje, është koha për t'u larguar."