1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protesta ndaj vendimit në çështjen Zimmerman

wl/sti (dpa, afp, rtr) / Ahmeti, Esat15 Korrik 2013

Pas shpalljes së pafajësisë nga trupi gjykues në rastin e vrasjes së adoleshentit afro-amerikan Trayvon Martin, në SHBA kanë protestuar sërish mijëra njerëz. Ndaj vrasësit mund të hapet një proces i ri.

https://p.dw.com/p/197gP
Fotografi: Reuters

"Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe," thërrisnin me mijëra njerëz gjatë një demonstrate në Nju Jork. "Populli e ka shpallur atë fajtor", thërriste turma. Bëhet fjalë për rojen private, George Zimmerman, i cili në shkurt 2012 kishte vrarë 17-vjeçarin e paarmatosur Trayvon Martin. George Zimmerman, gjatë një patrullimi vullnetar të lagjes ku banonte, pa 17-vjeçarin Trayvon Martin duke ecur nëpër lagje. Të dy ata u ngacmuan me fjalë, gjë që çoi në ballafaqim, si rezultat ata u përleshën dhe incidenti përfundoi me vrasjen e adoleshentit. Zimmerman u shpall të shtunën (13.07.) nga një trup gjykues në shtetin federal Florida si i pafajshëm. Zimmerman është thirrur gjatë tërë kohës se ka vepruar në vetë-mbrojtje. Ai ka mohuar gjithashtu se ka ndjekur adoloshentin afro-amerikan për shkak të ngjyrës së tij të lëkurës. Prokuroria në mënyrë të tërthortë megjithatë kishte paraqitur si motiv racizimin.

Pamje nga protestat
Pamje nga protestatFotografi: Reuters

Demonstrata kundër aktgjykimit ka pasur ndër të tjera edhe në Boston, San Francisco, San Diego dhe Sacramento. Gjatë protestave në qytetin e Nju Jorkut një folës deklaroi se SHBA-të kishin një problem të madh me racën dhe kanë një problem tjetër me armët. "Nëse Zimmerman nuk do kishte armë atëherë nuk do të mund ta vriste Trayvon Martinin." Edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, i cili lufton prej një kohe të gjatë për ligje më të rrepa për armët, ka shprehur kritika ndaj rregullave si ligji "mbroje truallin tënd" i cili u jep qytetarëve në Florida një të drejtë të veçantë për të mbrojtur veten me armë zjarri. "Për fat të keq, ndoshta asnjëherë nuk do të bëhen të ditura të gjitha faktet në këtë rast tragjik, por një fakt ka kohë që është i qartë si kristali: Ligjet të tilla si këto në Florida, mund të çojnë në një vetëdrejtësi të rrezikshme dhe të mbrojnë ata të cilët merren me armë në formë të shkujdesur", thuhet në një deklaratë të Bloomberg-ut.

Në foto, Barack Obama
Në foto, Barack ObamaFotografi: picture alliance/Photoshot

Presidenti Barak Obama bëri thirrje për qetësi pas shpalljes së vendimit. Në një deklaratë me shkrim, Obama e cilëson vdekjen e adoleshentit Trayvon Martin një tragjedi si për familjen ashtu edhe për mbarë Amerikën. Por ai bëri thirrje për reflektim paqësor duke shtuar se: “ne jemi një vend ku sundon ligji, dhe trupi gjykues e tha fjalën e tij”. Gjithkush duhet të pyes veten tani se si tragjedi të tilla mund të parandalohen në të ardhmen. "Kjo është mënyra për të nderuar Trayvon Martin", shtoi Obama. "Ne duhet të pyesim veten nëse ne jemi duke bërë mjaft për të ndalur valën e dhunës me armë zjarri." Përpjekjet nga ana e Presidentit për të imponuar ligjet e rrepta armë kanë dështuar deri tani në Kongres.