1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse protestojnë gjermanët kundër migrantëve?

4 Janar 2015

Protestat kundër migrantëve janë një problem i papritur për Gjermaninë. Politika qendrore gjermane distancohet prej tyre. Auron Dodi përgatiti këtë informacion në përgjigje të pyetjeve të televizionit News 24.

https://p.dw.com/p/1EEvH
News24
Fotografi: News24

Në fjalimin e Vitit të Ri, kancelarja Angela Merkel bëri thirrjen më direkte deri tani, që të bojkotohen manifestimet kundër të ashtuquajturit "islamizim" të Gjermanisë. Ajo tha se synimi i organizatorëve të protestave është që të nxisin ndjenja kundër njerëzve me fe dhe kombësi tjetër. "Sot disa thërrasin "ne jemi populli"."Por ajo që mendojnë me të vërtetë është: ju nuk bëni pjesë në këtë popull, për shkak të ngjyrës së lëkurës ose fesë", tha kancelarja. Prandaj Merkeli u bëri thirrje të gjithëve, që shkojnë në këto protesta që të mos i dëgjojnë organizatorët. Sepse në zemrat e tyre, siç u shpreh kancelarja, "shumë shpesh ka paragjykime, ftohtësi dhe madje urrejtje."

2014: NË GJERMANI ERDHËN 200.000 MIGRANTË TË RINJ

Protestat janë kthyer në një problem të papritur për Gjermaninë. Ajo që i habit politikanët gjermanë është numri i madh i protestuesve. 17.500 vetë protestuan së fundi para Krishtlindjeve në Dresden, në Lindje të Gjermanisë. Kjo në një kohë kur Gjermania mbetet një vend tolerant. Edhe kjo është një arsye, pse Gjermania është vendi i dytë në botë i preferuar nga të huajt, pas SHBA. Prandaj në vitin 2013, në Gjermani mbërritën mbi 460 mijë migrantë. Rreth 200 mijë migrantë mbërritën vitin e kaluar.

Nga ana tjetër, numri i madh i të ardhurve shkakton edhe pakënaqësi. Por kancelarja kujtoi se numri i refugjatëve është rritur sa asnjëherë që prej Luftës së Dytë Botërore, në të gjithë botën. Dhe se është e vetëkuptueshme që Gjermania të pranojë njerëz që kërkojnë strehim.

SHKAK PËR PROTESTAT: FRIKA, JO GJENDJA FAKTIKE

Protestat më të mëdha janë në Dresden, ku ka numri i të huajve është i vogël. Vetëm 0,1 përqind e banorëve janë myslimanë. Ky fakt është tregues se organizuesit e protestave shfrytëzojnë frikërat iracionale, që kanë njerëzit. Pra se njerëzit nuk i shtyn presioni i gjendjes në terren.

Ata që protestojnë, janë që nga neonazistët, deri në njerëz të shtresës së mesme. Ka njerëz që ardhja e refugjatëve, me kulturë e fe tjetër i frikëson. Se Gjermania nuk do të mbetet më "gjermane". Ka të tjerë që mendojnë se refugjatët jetojnë me paratë gjermane të shtetit social. Dhe se vetë gjermanët do të kenë si rrjedhim më pak para. Ka edhe pakënaqësi me partitë e ndryshme. Ata kanë ndjesinë se partitë nuk i dëgjojnë mendimet e njerëzve, kur ata flasin për migrimin.

Organizatori i protestave, 41 vjeçari Lutz Bachman, ka një agjenci publicitare. Ai nuk pranon të japë intervista e shpjegime për lëvizjen e protestës. "Sepse mediet do t'a manipulojnë", thotë ai. Edhe protestues të tjerë i quajnë mediat gjermane "gënjeshtare". Ka mosbesim në disa shtresa, veçanërisht në Gjermaninë Lindore.

GJERMANOLINDORËT NDIHEN JO TË RESPEKTUAR SA DUHET

Probleme specifike për Gjermaninë Lindore? Protestues kundër të huajve ka pasur muajt e fundit edhe në Perëndim të Gjermanisë. Po në Lindje ka më shumë protestues.

Ndoshta janë probleme që e kanë fillesën në mënyrën si u bashkuan dy Gjermanitë. Bashkimi gjerman qe shkrirje e një Gjermanie, asaj Lindore, brenda Gjermanisë tjetër, Perëndimores. Brenda natës, si të thuash, vlerat dhe botëkuptimet e Gjermanisë Perëndimore u shpallën "e vërteta e vetme" edhe për gjermanolindorët. Nuk pati një evoluim gradual të raportit me shtetin "e ri", një proces ku të mësohej. Këtu Gjermania Lindore dallohet edhe nga shtetet e tjera ish-komuniste. Tek ato patëm një emancipim gradual kombëtar, social dhe psikologjik. Veç kësaj, disa gjermanolindorë i kanë ndierë si arrogantë Perëndimorët, në analizën e Gjermanisë ish-komuniste. Pse duhet t'u besojnë tani politikanëve e medieve, në analizën e fenomeve si migracioni? Kjo ndoshta i shpjegon disi parullat "mediat gënjejnë", në protestat aktuale. Por nuk i justifikon ato parulla.

265.000 GJERMANË I KUNDERSHTOJNË NË PETICION PROTESTAT

Një nga sloganet e shpeshta të protestuesve është "ne jemi populli". Një përsëritje pa vend, e fjalëve që demonstruesit e vitit 1989 i drejtonin udhëheqjes komuniste të Gjermanisë Lindore.
Paralelja që synojnë të heqin çalon. Protestuesit e 25 viteve më parë donin të rrëzonin një Mur. Kurse këta sot duhen të ngrenë një Mur - përballë të huajve. Protestuesit e 1989-ës ishin homogjenë në synimin për rrëzimin e komunizmit. Protestuesit e sotëm janë heterogjenë, kanë synime shumë të ndryshme: dikush ka frikë islamizimin, dikush ka frikë varfërimin e shtetit, dikush ka pakënaqësi me partitë.

SHFRYTËZOHET GËRRYERJA E „SOVRANITETIT“ SOCIAL

Një faktor që hedh një vello unifikimi mbi synimet e protestuesve: kufijtë në shtetet e BE sot janë simbolikë. Këta kufij më parë mbroheshin ushtarakisht dhe me to mbrohej edhe sovraniteti social i një vendi. Por sovraniteti nacional është zvogëluar dhe kjo ka gërryer edhe "sovranitetin" social të shteteve. Po gërryerja e "sovranitetit"social të shteteve me politika mbarëevropiane pro-refugjatëve,"dorëzimi" i këtij sovraniteti Brukselit nuk mbështetet nga të gjithë njerëzit.
Këtë pikë e shfrytëzojnë organizatorët demagogë të protestave. Ka ndërkohë shumë gjermanë që i kundërshtojnë demagogët. 265.000 vetë e kanë nënshkruar në internet një peticion kundër protestave.