1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trazira në Tunizi

11 Shkurt 2013

Tunizia zjen. Vrasja e një udhëheqësi opozitar u bë shkak për daljen e mijëra njerëzve në rrugë. Opozita akuzon qeverinë, se nuk lufton sa duhet ekstremistët.

https://p.dw.com/p/17c3S
Ennahada - demonstrate
Ennahada - demonstrateFotografi: picture-alliance/dpa

Të premten me (08.02.2013) në Tunis, ndërpriteshin vazhdimisht linjat telefonike, lidhja e internetit ishte aq e keqe, sa që e-mailet vinin rallë. "Nuk ka qenë një natë shumë e qetë", thotë Mabrouka Khedir, korrespondente e DW në Tunis, disi shkurt. Vendi zien që prej vrasjes së Choukri Belaid-it. Politikani i Lëvizjes Patriotike Demokrate, një kritik i njohur i qeverisë, u qëllua para shtëpisë së tij të mërkurën nga persona deri tani të panjohur. Sindikata më e madhe e Tunizisë UGTT bëri menjëherë thirrje për grevë të përgjithshme.

"Ka muaj që konfliktet në Tunizi po ashpërsohen", thotë Khedir. Sindikata UGTT ishte forca lëvizëse në revolucionin tunizian. Për katër javë demonstratat e vazhdueshme bënë që në janar 2011 Ben Ali të largohej. Autokrati kishte sunduar më shumë se njëzet vjet në Tunizi

"Ennahda luan një lojë të dyfishtë"

Në zgjedhjet e mëvonshme fitoi Ennahda, një degë e Vëllazërisë Myslimane, e cila në Tunizinë kryesisht laike të Ben Aliut ishte përndjekur dhe vepronte në ilegalitet. Partia islamike është e moderuar dhe e krahason veten me AKP-në turke. "Partia është duke luajtur një lojë të dyfishtë", tha Berny Sebe nga Universiteti i Birmingamit: "Nga njëra anë ajo e paraqet veten si parti të moderuar, në anën tjetër, ajo bën pak për të penguar që pasuesit e saj të sulmojnë anëtarët e opozitës."

Në shumë pjesë të Tunizisë ka raste të përsëritura të sulmeve ndaj anëtarëve të opozitës laike, edhe studentët në bare dhe kafene janë sulmuar. Sulmuesit, thotë Sebe, janë pasuesit e salafistëve, një grupim i islamistëve radikalë, disa prej të cilëve janë të prirur për dhunë. "Këto akte nuk janë ndëshkuar thuajse aspak nga qeveria. Kjo është shumë shqetësuese." Sepse kështu qeveria dërgon një sinjal, se ajo mbështet indirekt grupin radikal. Sepse Ennahda sheh tek dorasit dhe mbështetësit e tyre votues potencialë.

Papunësia radikalizon vendin

Nëse vrasjen e Belaidit e kanë kryer salafistët, apo të tjerë, nuk e di askush deri tani. Të afërmit e tij dhe pjesë të opozitës fajësojnë Ennahdën, e cila i hedh poshtë vazhdimisht akuzat. "Megjithatë Ennahda ka një pjesë të fajit", thotë Sebe. "Ata kanë bërë shumë pak, për të mbrojtur politikanët e opozitës."

Trazira në Tunis
Trazira në TunisFotografi: Reuters

Që prej disa muajsh opozita kërkon një kabinet të ri. Sepse qeveria nuk arrin të zgjidhë problemet politike. "Papunësia është më e lartë se 20 përqind, por këto probleme qeveria nuk i ka zgjidhur ende", thotë Khedir. Qeveria nuk ka përpiluar ende një program. Nëse kriza vazhdon, nuk do të vijnë turistët, që janë burimi kryesor i të ardhurave. Ministria e Jashtme në Berlin ka porositur turistët gjermanë, që të kenë kujdes.

Një mundësi tjetër është që kriza të ushqejë ekstremizmin politik. "Nga përvoja ne e dimë se varfëria dhe ekstremizmi janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin", thotë Sebe.

Zgjidhja një qeveri teknokratike?

Tani kryeministri Hamadi Jebali ka propozuar një qeveri teknokratësh. Por pjesë të partisë së tij janë kundër. "Me sa duket nën etiketën Ennahda veprojnë dy krahë të ndryshëm", thotë Sebe. Nga njëra anë krahu i moderuar nën Jebali-n. "Dhe ai është më radikali, që është më pranë interesave të salafistëve." Është e mundshme që grupi i dytë të marrë dikur më shumë fuqi.

Sebe ka shumë shpresë se Tunizia dikur do ta kapërcejë krizën. Ai e sheh zgjidhjen në një qeveri teknokratike. Kjo do ta qetësonte krizën politike dhe do t'i jepte qeverisë hapësirën e duhur, për të çuar përpara reformat ekonomike dhe për të punuar për kushtetutën e re. "Unë jam optimist“, thotë ai dhe qesh. Pastaj bëhet prapë serioz. "Nga Tunizia del një sinjal i rëndësishëm në të gjithë rajonin." Në Tunizi nisi vala e revolucioneve, që sot përmblidhen shpesh me emrin pranvera arabe. Vendi është një shembull i një kalimi të suksesshëm nga një diktaturë në demokraci. "Deri tani së paku", shton Sebe mendueshëm.

Autor: Naomi Conrad/ Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi