1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putini thotë „Mbyllni sytë dhe përpara“

2 Dhjetor 2011

Putini është tani zyrtarisht kandidat në zgjedhjet presidenciale. Nuk ka dyshim se ai do të fitojë më 2 mars 2012 për të vazhduar si deri tani, në krye të shtetit rus.

https://p.dw.com/p/13L02

Në aparencë duket se çdo gjë po ecën sipas planit për Vladimir Putinin. Në teatrin e zhvilluar pa probleme, 614 delegatët e partisë së tij "Rusia e bashkuar" e zgjodhën (të dielën më 27.11. 2011) në unanimitet kandidatin e tyre për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen mbas tre muajsh. Nëntë javë më parë, Putini dhe presidenti aktual rus Medwedew njoftuan se do të këmbejnë postet vitin e ardhshëm. 

Përcaktimi zyrtar i bërë në kongres ishte hapi i fundit i domosdoshëm, në mënyrë që Putini të mund të vendoset pas verës së 2012, sërish në krye të shtetit rus. Tani mungon vetëm konfirmimi zyrtar i kandidaturës së tij nga Komisioni i Zgjedhjeve, si dhe fitorja në zgjedhjet e 4 marsit 2012. Nuk ekziston asnjë dyshim për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare ruse: Partia e Putinit, "Rusia e Bashkuar" do të dalë prej tyre si forca kryesore.

Atmosferë shoqërore dhe burime administrative

Shkaqet dhe arsyet pse rezultati i zgjedhjeve ruse dihet janë të njohura: Shoqëria ruse, pjesa më e madhe e të cilës është apolitike ka mall për stabilitet, një gjë që Putini e garanton ta ofrojë prej vitesh nëpërmjet strategjisë se komunikimit me publikun. Përveç kësaj i gjithë procesi politik në Rusi është monopolizuar në duart e Kremlinit.

Sidomos zgjedhjet drejtohen deri në detajet më të imta. Politikanët dhe grupimet që kritikojnë sistemin margjinalozohen duke filluar që herët, dhe duke i përjashtuar nga procesi politik dhe nga prania mediale në publik.

Të ashtuquajturat burime administrative, pra përdorimi i strukturave shtetërore në favor të partisë në pushtet, garanton marrjen e rezultatit të duhur në instancën e fundit. Aktualisht ka pak shenja që të thonë se në zgjedhjet parlamentare që zhvillohen tani dhe në ato presidenciale që zhvillohen në muajin mars, rezultati do të jetë ndryshe.

Defekte në makinerinë politike të Putinit

Por, edhe nëse makineria politike e Kremlinit do të prodhojë rezultatin e dëshiruar në të dy zgjedhjet, në sistemin e Putinit janë shfaqur të çarat e para. Sondazhet ruse dokumentojnë javët dhe muajt e fundit humbjen e vazhdueshme të besimit jo vetëm tek partia e Putinit "Rusia e bashkuar", por edhe tek ai vetë. Veçanërisht në shtresën e mesme me moshë të re, të qyteteve të mëdha si dhe tek qytetarët e arsimuar, inteligjenca, është duke u rritur pakënaqësia ndaj Putinit dhe partisë së tij.

Kremlini është përpjekur të ndalojë këtë proces nëpërmjet projekteve politike, por nuk ia ka dalë mbanë. "Fronti popullore mbarë rus", i krijuar nga Putini gjatë muajve të verës nuk e ka rritur inkurajimin e shoqërisë. Edhe krijimi i një partie liberale të djathtë rreth miliarderit Michail Prochorow, për të mbledhur rreth saj shtresën e mesme ka dështuar. Një shikim në bllogjet ruse tregon se sa e madhe është pakënaqësia në disa pjesë të shoqërisë ruse ndaj zhvillimeve politike në Rusi

Autor: Ingo Mannteufel

Redaktoi: Aida Cama