1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Moska nuk është në lartësinë e një superfuqie

Michael Knigge27 Mars 2014

Rusia është fuqi rajonale, tha Barack Obama dhe këto fjalë shkaktuan zemërimin tek disa. Por Presidenti amerikan ka të drejtë, mendon redaktori i Deutsche Welle-s, Michael Knigge.

https://p.dw.com/p/1BWeN

Barack Obama zakonisht nuk flet pa peshuar, pra fjalët e tij në konferencën për shtyp në Holandë duhet t'i ketë me menduar kujdes më parë.

Deklaratat e Presidentit të SHBA sinjalizuan një ndryshim strategjie: deri tani qeveria Obama e ka trajtuar Rusinë pak a shumë si të barabartë në skenën ndërkombëtare, megjithëse Moska ka kohë që nuk është në një lartësi me SHBA.

Kjo tashmë i takon së kaluarës. Strategjinë për të përfshirë Rusinë në një rend të ri botëror të krijuar që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, Obama e sheh të dështuar. Kjo strategji është ndjekur edhe nga qeveria gjermane. Dhe në favor të Obamës mund të thuhet se ka bërë gjithçka për të. Por për shkak të ofertës së tij për një rinovim të marrëdhënieve me Rusinë në vitin 2009, ai u sulmua ashpër jo vetëm nga republikanët. Edhe Putin nuk iu përgjigj ftesës.

Sipas këndvështrimit të Obamës aneksimi i Krimesë ishte vetëm pika që çoi në derdhjen e kupës. Pasoja: këtej e tutje Uashingtoni do ta trajtojë Rusinë sipas rëndësisë së saj të vërtetë në skenën ndërkombëtare, si fuqi rajonale, por jo si konkurrent global për SHBA.

Analiza e Obamës është e goditur: nuk ka rëndësi me çfarë kriteresh matet statusi i një fuqie botërore - Rusia nuk luan në të njëjtën ligë me SHBA.

Rusia nuk është konkurrencë

Produkti i brendshëm bruto i Rusisë në vitin 2012 i përgjigjet atij të SHBA të vitit 1981. Në listën e re botërore të aftësisë konkurruese globale, Rusia zë vendin e 64, para Sri Lankës, ndërkohë që SHBA është në vend të pestë. Në indeksin e korrupsionit të Transparency International Rusia gjendet në vend të 127, SHBA në vend të 19. Edhe në regjistrimin e patentave SHBA është shumë më përpara. Më shumë se dhjetë herë më tepër regjistrime patentash vijnë nga SHBA në krahasim me Rusinë.

Redaktori i DW, Michael Knigge
Redaktori i DW, Michael Knigge

Në aspektin ushtarak Rusia gjithashtu nuk luan në të njëjtën ligë me SHBA, por duhet thënë se kjo vlen edhe për të gjitha vendet e tjera të botës. Shpenzimet ushtarake të SHBA janë më të larta se të dhjetë vendeve që e pasojnë të renditje, të marra së bashku; rrezja globale e veprimit dhe aftësitë e forcave të armatosura të SHBA janë unike në botë.

Por edhe po të shohësh vetëm aspektet sociale dhe shoqërore, të cilat nuk janë patjetër ana e fortë e SHBA, Rusia është në pozicion më të keq. Norma e vdekshmërisë foshnjore është më e lartë, jetëgjatësia shumë më e ulët se në SHBA. Gjatë viteve të kaluara Rusia madje ia ka kaluar SHBA-së edhe në pabarazinë e të ardhurave.

Zgjedhje e sjellshme fjalësh

Këta tregues, lidhur edhe me problemet demografike të Rusisë dhe tkurrjen dramatike të sferave të interesit të vendit që prej rënies së Murit të Berlinit, dëshmojnë fare qartë se Obama ka të drejtë. Edhe pse rusëve nuk u pëlqen ta dëgjojnë, Obama madje është treguar i përmbajtur. Vërtet i ligë do ishte treguar nëse do ta kishte cilësuar Rusinë si fuqi në rënie.

Vlerësimi i Presidentit se kërcënimet e Rusisë dhe masat kundër fqinjëve të vet nuk janë shfaqje e forcës por e dobësisë, është shumë i saktë. Fakti që Vladimit Putin mendonte se me anë të kërcënimeve me dhunë duhej të gllabëronte Krimenë e vogël me bazën e saj ushtarake, ishte më shumë një akt dëshpërimi se sa shenjë e fuqisë globale.

Mesazh për Moskën

Në ditët e sotme lufta për supremaci nuk bëhet më me mjete ushtarake por ekonomike. Nëse një superfuqi kërkon të tregojë forcë, dërgimi i trupave është mjeti i fundit: ajo ka shumë armë të tjera në arsenal. Kjo vlen për SHBA por jo për Rusinë. Për ta bërë Putinin të reflektojë, Uashingtoni duhet të kujdeset vetëm që të bllokojë kartat e kreditit Mastercard dhe Visa të klientëve të një banke të caktuar moskovite, të preferuar nga elita ruse.

Mesazhi ishte i qartë: vetëm me një 'klick', Uashingtoni mund ta godasë Kremlinin dhe pushtetarët e tij aty ku iu dhemb më shumë: në kuletën e tyre. E ardhmja do të tregojë nëse Putini këtë herë do ta kuptojë mesazhin. Jo vetëm në interes të vet por në interes të popullit dhe të fqinjëve. Një tjetër shans nuk do të ketë.