1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përse Gjermania flet papritur për "terrorizëm të djathtë"?

15 Nëntor 2011

Të paktën dhjetë vrasje, grabitje bankash dhe një shpërthim bombe: të gjitha këto krime që i ngarkohen një grupi neonazist. Qeveria gjermane flet për herë të parë për terrorizëm të djathtë.

https://p.dw.com/p/13AkJ
Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich
"Formë e re e ekstremizmit të djathtë" - Ministri i Brendshëm gjerman Friedrich paralajmëronFotografi: picture alliance/dpa

Ngjarjet e kanë tronditur republikën: prokuroria federale, organi më i lartë i ndjekjes penale në Gjermani, hetojnë "nën dyshimin e fortë të themelimit dhe anëtarësisë në një shoqatë terroriste". Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich paralajmëroi ndaj "një forme të re të terrorit ekstremist të djathtë". Terror i së djathtës ekstreme në Gjermani? Për këtë vitet e kaluara nuk ka folur askush. Çfarë ka ndodhur?

Të dielën në mbrëmje autoritetet lëshuan një urdhër-arresti ndaj 36-vjeçares Beate Z. Ajo akuzohet se qysh në vitin 1998 bashkë me dy bashkëpunëtorë, kanë themeluar grupimin e ekstremit të djathtë "Ilegaliteti Nacionalsocialist". Treshja akuzohet se ka marrë pjesë në një numër vrasjesh në shumë qytete gjermane. Të hënën (14.11.2011) do të kërkohet lëshimi i një urdhërarresti edhe ndaj një personi tjetër.

Neonazistët Uwe Mundlos, Beate Zschäpe dhe Uwe Böhnhardt
Sa vrasje rëndojnë mbi ta? - Neonazistët Uwe Mundlos, Beate Zschäpe dhe Uwe BöhnhardtFotografi: picture alliance/dpa/Polizeidirektion Suedwestsachsen/dapd/DW Fotomontage

Pranim i autorësisë në DVD

Pjesëmarrja e grupit në akte të dhunshme ekstremiste të djathta, është thuajse e sigurt. Në një DVD dërguar revistëts informative "Der Spiegel", grupi pranon kryerjen e shumë vrasjeve. Në qendër është një seri vrasjesh mes viteve 2000 dhe 2006, për të cilat gazetat gjermane kanë informuar me epitetin "vrasjet dëner". Viktima ishin tetë sipërmarrës të vegjël turq dhe një grek. Tri vrasje ndodhën në Nürenberg, dy të tjera në Mynih, përkatësisht nga një vrasje në Hamburg, Rostock, Dortmund dhe Kassel. Në të gjitha krimet është përdorur e njëjta armë.

I pashpjegueshëm ishte edhe rasti i një policeje të vrarë në Heilbronn. Në prill të 2007-s, 22-vjeçarja Michelle K. u vra me një plumb në kokë në mes të ditës në një lëndinë ku mbahej një festë. Kolegu i saj i patrullës, atëherë 24-vjeçar u plagos rëndë dhe qendroi për disa javë në koma. Për zbardhjen e këtij rasti hetuesit katër vjet me radhë nuk arritën asnjë rezultat. Muaj me radhë ata kërkonin një "grua pa fytyrë", gjurmët e ADN-së të së cilës ishin gjetur në më shumë se 35 vepra penale. Në mars të 2009 u zbulua se gjurma e ADN-së buronte nga shkopinj të ndotur pambuku.

Zbulime sinjalizuese armësh në Turingji

Vetëm në fillim të nëntorit 2011 u ndez një dritë në errësirën e hetimeve. Armët e shërbimit të dy policëve u gjetën në një rulo të djegur pranë Eisenach-ut në Turingji. Në makinë kishin kryer më parë vetëvrasje Uwe M. dhe Uwe B. Të dy burrat akuzoheshin edhe për një numër grabitjesh në banka.

Ndërkohë në Zwickau të Saksonisë digjej shtëpia në të cilën kishin jetuar dy grabitësit e dyshuar të bankave me shoqen e tyre Beate Z. 36-vjeçarja u dorëzua pak ditë më vonë në policinë e Jenas. Në rrënojat e shtëpisë u gjet pistoleta me të cilën ishin kryer vrasjet "dëner". Në landin e Rinit Verior-Vestfalisë, policia po heton ndërkohë nëse neonazistët janë përgjegjës edhe për atentatin me bombë me gozhda në një rrugë të banuar kryesisht nga turq në Köln në vitin 2004. Si pasojë e atentatit atëherë ishin plagosur 22 vetë.

Politikanët tejet të shqetësuar

Lajmi se në mes të Gjermanisë një shoqatë terroriste ka kryer pa u zbuluar për vite krime të përgjakshme, ra si një bombë. Ministri i Brendshëm Friedrich tha për gazetën "Bild" se "është shumë shqetësuese, që nuk u kuptua asnjë lidhje mes serisë së vrasjeve në gjithë Gjermaninë dhe skenës së djathtë në Turingji".

Në këtë kontekst është i paqartë në radhë të parë roli i autoritetit për mbrojtjen e kushtetutës. Fjala është se përse ekstremistët e djathtë, të cilët janë nën vëzhgim të paktën që prej vitit 1998, arritën të zhdukeshin nga sytë e hetuesve dhe mbetën të pazbuluar deri para pak ditësh.

Opozita e akuzon qeverinë gjermane për dështim: eksperti i SPD-së për sigurinë Dieter Wiefelspütz, tha për gazetën "Hamburger Abendblatt", se ky rast "është një katastrofë e paimagjinueshme për autoritetet gjermane të sigurisë. Përfaqësues të policisë dhe mbrojtjes së kushtetutës, na kanë thënë vazhdimisht ne parlamentarëve se ka ekstremistë të gatshëm për dhunë, por nuk ka kërcënim terrorizmi".

Me këtë rast do të merret të martën (15.11.) instanca e parlamentit federal (Bundestag) për kontrollin e shërbimeve sekrete. Në të gjithë Gjermaninë hetuesit kanë rihapur dosjet për shumë atentate të tjera të pasqaruara. Edhe kancelarja Merkel premtoi sqarim: "të afërmit e viktimave mund të kenë besim se shteti ligjor do të bëjë gjithçka për të zbuluar se cili është sfondi". Kancelarja e cilësoi "të turpshme" serinë e krimeve terroriste.

Autor: Martin Muno / Elert Ajazaj

Redaktoi: E. Xhani