1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qendra për emergjencat në gatishmëri

Christoph Hasselbach12 Gusht 2013

Qendra evropiane për mbrojtjen nga katastrofat është tani 24 orë në gatishmëri. Se sa e rëndësishme është kjo qendër koordinimi e tregojnë zjarret e fundit në pyje në Ballkan.

https://p.dw.com/p/19NQR
Qendra për emergjencat ERC në Bruksel
Fotografi: DW/C.Hasselbach

Qendra në një ndërtesë të BE-së në lagjen Evropës në Bruksel, nuk bie në sy: një dhomë prej rreth 50 metra katrorë me muri qelqi. Përreth ndodhen zyrat. Nga njëra anë një radhë hartash elektronike dhe monitorë televizorësh. Aktualisht shtatë punonjës të qendrës janë ulur para kompjuterave. Ky numër është pak më i madh se zakonisht, pasi në jug të Evropës digjen zjarre të shumta. Qendra e krizës ka marrë një kërkesë për ndihmë nga Bosnje-Hercegovina, pasi vendi nuk arrin t'i përballojë vetë zjarret. Me ndërmjetësim, vendi fqinjë Kroacia, ka dërguar në Bosnje dy avionë për shuarjen e zjarreve. Në monitorë shihen pamje nga aksioni i tyre.

Vendet anëtarë kanë fjalën e fundit

Peter Billing është zv/drejtor i ERC (Emergency Response Centre), qendrës për mbrojtjen nga emergjencat. Ai flet për tri detyra kryesore të qendrës: punonjësit vëzhgojnë së pari fenomenet natyrore në gjithë botën, për të tërhequr sa më parë vëmendjen për rreziqe të mundshme si zjarre në pyje, përmbytje apo tërmete. Këtu bëjnë pjesë edhe katastrofat teknike. Së dyti, qendra mbledh informacione për katastrofat dhe krizat dhe i shkëmben ato me vendet anëtare, në mënyrë që këta të marrin masat e duhura. Së treti, qendra koordinon misionet, për të shmangur p.sh. punën e dyfishtë. Megjithatë fjalën e fundit për çdo mision e ka gjithnjë shteti anëtar. Por qendra në Bruksel nuk bëhet aktive në çdo katastroë natyrore apo aksident të rëndë. Kriteri është që vendi i prekur të mos jetë në gjendje ta përballojë vetë situatën. Çdo vit nga Brukseli koordinohen rreth 30 misione.

Pamje nga një mision për shuarje zjarri në Majorka
Pamje nga një mision për shuarje zjarri në MajorkaFotografi: Jaime Reina/AFP/Getty Images

Çdo minutë vlen

Është e vërtetë se BE ka më shumë se dhjetë vjet përvojë me këtë koordinim. Por ngritja e ERC-së në maj të këtij viti e ngriti shumë cilësinë e punës, edhe në aspektin e personelit. "Aktualisht kemi një sistem gatishmërie me dy kolegë, të cilët nëse thirren, vijnë në zyrë", thotë Peter Billing. Kështu qendra është që tani në dispozicion në çdo kohë. Por mqs në luftimin e katastrofave çdo minutë është jetike, nga 1 tetori do të ketë ndryshime dhe "në zyrë do të jenë të pranishëm të paktën dy kolegë, 24 orë, 365 ditët e vitit." Dhe kush ulet këtu, shpjegon Billing, mund të kontaktojë në shpejtësi sekondash qendrat për mbrojtjen nga katastrofat në 32 shtetet anëtare: Kur merrni në dorë receptorin, mund të shtypni një sustë dhe në linjë keni finlandezët ose francezët. E gjitha është e paraprogramuar për të reaguar në rast nevoje shumë shpejt dhe me eficiencë." Por, një moment: 32 shtete? BE pas anëtarësimit të Kroacisë ka vetëm 28 anëtarë. Kjo është e vërtetë, por sistemit i janë bashkuar edhe Islanda, Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Maqedonia.

Sistemi ka nevojë për përmirësime të mëtejshme

Dhe misionet nuk kufizohen aspak në Evropë. Çdo shtet në botë mund të kërkojë mbështetje. Madje pjesa më e madhe e misioneve zhvillohet jashtë Bashkimit Evropian. Një dobësi të sistemit Peter Billing e sheh në faktin që ai varet nga kontribute vullnetare të shteteve anëtare sipas situatës. "Kjo mund të ketë si pasojë që të mos jemi në gjendje të parashikojmë nëse i përgjigjemi vërtet një kërkese për ndihmë." P.sh. në rastin e zjarrit në pyje në Bosnje, qendra nuk mund t'i planifikonte që më parë avionët kroatë për shuarjen e zjarreve. Për këtë arsye ERC propozon që shtetet të vënë në dispozicion njësi ndërhyrjeje, ekspertë dhe aparatura, tek të cilat qendra të ketë në çdo kohë qasje. Edhe kjo do të kursente kohë të çmuar.

Peter Billing (djathtas) dhe kolegu i tij Marc Rhodes diskutojnë situatën
Peter Billing (djathtas) dhe kolegu i tij Marc Rhodes diskutojnë situatënFotografi: DW/C.Hasselbach

Telefonata në tre të mëngjesit

Në qendrën në Bruksel punojnë aktualisht 40 vetë. Ata vijnë nga vende të ndryshme evropiane, edhe thjesht për të mbuluar gjuhët e ndryshme dhe veçoritë rajonale. Një pjesë e tyre janë zyrtarë të Komsionit, të tjerë dërgohen për një kohë të caktuar nga shtetet e veçanta. Edhe profesionalisht vijnë nga fusha të ndryshme. Janë seizmologë, gjeografë, gjeologë por edhe sociologë dhe politologë si Peter Billing. Për Billing është e rëndësishme që ata të ngrenë me kontaktet e tyre një rrjet të madh në vendet nga vijnë. Për të puna është nganjëherë e lodhshme por i jep edhe shumë kënaqësi: "Të bjerë telefoni në tre të mëngjesit kur je në gjumë nuk është shumë e këndshme. Por kur ke ndjenjën se mund t'u vish në ndihmë viktimave të katastrofave, kur mund të kontribuosh për të shpëtuar jetë apo mbrojtur objekte kulture, mendoj se është një punë që të kënaq shumë."