1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qetësia në republikën kaukaziane është e rreme

17 Prill 2009

Shtypi gjerman i së premtes trajton ndër të tjera heqjen e gjendjes së shtetrrethimit në Çeçeni.

https://p.dw.com/p/HYpR
Tank rus në Grozni
Tank rus në Grozni - Rusia vendos heqjen e shtetrrethimit nga ÇeçeniaFotografi: picture-alliance / dpa

Në lidhje me këtë "Berliner Zeitung" vëren:


"Ky hap duhet të ishte ndërmarrë me kohë. Duke shpallur një republikë të tërë territor lufte anti-terror u pezulluan të drejtat civile atje, iu garantua pandëshkueshmëria pushtetit shtetëror. Por, sado për t'u përshendetur qoftë pezullimi i operacionit, aq pak edhe duhet pritur prej tij. Ramzan Kadirovi, presidenti i Çeçenisë, vendosi vërtet qetësi në republikën e tij, dhe në krahasim me luftën e mëparshme civile ky është një përparim gjigant. Por sundimi i tij mbështetet në rezerva gjigante frike, të grumbulluara prej shoqërisë çeçene gjatë dekadës së të ashtuquajturit "Operacion Antiterror" dhe vetë njerëzit e Kadirovit kanë prodhuar me zell frikë të re."


Për të njëjtën temë lexojmë në gazetën "Dresdner Neueste Nachrichten":


"Qetësia që mbizotëron në republikën kaukaziane është e rreme. Ajo vendoset me dhunë prej presidentit Kadirov kundër kundërshtarëve politikë, mëkëmbës për hir të Moskës. Nëse vjen rasti që milicët e tij privatë nuk mjaftojnë, Moska mund të vazhdojë të mbështetet tek 30 000 ushtarët që mbeten në republikë. Por para së gjithash mbetet pyetja, nëse presidenti Medvedev do t'i vërë para përgjegjësisë personat përgjegjës për luftën dhe për pothuajse 100.000 civilët e vrarë. Në fund të fundit pretendimi se Kremlini luftonte në Çeçeni kundër terrorizmit ndërkombëtar, nuk ishte kurrë i vërtetë. Pa përpunimin e luftërave, të nevojshëm edhe për Rusinë, do të mbeteshin fasadë edhe vetë sukseset e padiskutueshme të rindërtimit në Çeçeni, suvaja e të cilave shumë shpejt do të fillonte të thërrmohej." (ea/aca/dpa)