1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papadhimos, Zgjedhje Opozita Partite

24 Nëntor 2011

Qeveria greke tripartiake e Papadhimos nuk mund të ketë asnjë shans pa mbështetjen esenciale të partive që e përbëjnë. Mosfiksimi ndërkohë i datës së zgjedhjeve ngjall mosbesim dhe nervozizëm në stabilitetin e vendit.

https://p.dw.com/p/13GZc
Llukas Papadhimos, kryeministri i ri i Greqisë
Llukas Papadhimos, kryeministri i ri i GreqisëFotografi: dapd

Pas votëbesimit në parlament, kryeministri i ri i Greqisë Llukas Papadhimos me turneun e tij këte javë në Bruksel, Luksemburg dhe Frankfurt, ku u takua me zotërinjtë Barroso, Juncker dhe Draghi, mori edhe “votëbesimin” e troikës për kabinetin e tij qeveritar tripartiak.

Një kabinet me vepër konkrete dhe mandat të kufizuar kohor: të shpëtojë vendin nga falimentimi përmes zbatimit të përpiktë të marrëveshjes së 26 tetorit dhe të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Për sa kohë parlamenti grek do të më besojë përgjegjësinë e kryeministrit do të kryej detyrat e mia duke pasur si synim eksluziv interesin e vendit”, deklaroi Papadhimos, i cili edhe një herë nuk përmendi datën konkrete të zgjedhjeve që, sipas marrëveshjes ndërpartiake të 6 nëntorit, thuhet se është 19 shkurti.

Mosfiksimi i datës së zgjedhjeve “nervozon” klasën politike

Antonis Samaras, kreu i partisë konservatore, Demokracia e Re
Antonis Samaras, kreu i partisë konservatore, Demokracia e ReFotografi: dapd

Evitimi i fiksimit të datës së zgjedhjeve nga kreu qeveritar krijoi një “nervozizëm” në klasën politike greke, veçanërisht në radhët e partisë konservatore të Demokracisë së Re të Andonis Samaras që nuk lë rast pa kujtuar se bëhet fjalë për “një zgjidhje emergjente” dhe se kusht bazë i konsensusit  të dhënë është mbajtja e zgjedhjeve në krye të tre muajve.

“Të gjithë ata që përpiqen të zgjasin mandatin dhe rolin e saj në mungesë të popullit grek e sabotojnë, nuk e ndihmojnë këtë qeveri. Të gjithë ata që përpiqen të evitojnë zgjedhjet në krye të tremujorit nuk i shërbëjnë kryeministrit të ri”, deklaroi në parlament  kreu konservator Samaras për të shtuar se një zgjatje e mandatit të limituar mund të nxisë “revoltën e popullit ” që nuk mund të tolerojë për një kohë të gjatë ndaj një qeverie të palegjitimuar prej tij.

Opozita: Nuk bashkëqeverisim, thjesht mbështesim qeverinë

Në të njejtën frekuencë, sigurisht, edhe deklaratat e mjaft deputetëve të tij që e kanë të vështirë t'i shpjegojnë elektoratit kthesën në politikën e deritanishme kundër kursit të troikës dhe përsërisin në të gjitha tonet se “nuk bashkëqeverisim”,  por thjesht “mbështesim” skemën e re qeveritare me figura politike dhe jo parlamentare.

“Nuk bëhet fjalë për asnjë bashkëqeverisje, nuk bëhet fjalë për asnjë marrëveshje afatgjatë”, theksoi deputeti dhe sekretari i Programimit Politik të Demokracisë së Re, Maksimos Harakopullos duke polemizuar me kolegët të tij të pozitës socialiste. Këta të fundit mendojnë se me ujdinë ndërpartiake kanë futur në “kornizën e politikës së memorandumeve të troikës” edhe opozitën e djathtë, duke i hequr avantazhin politik të duelit të ardhshëm elektoral.

Socialistët, të priviligjuar me poste, luajnë me shtyrjen e zgjedhjeve

George Papandreou, ish kryeministri socialist i Greqisë
George Papandreou, ish kryeministri socialist i GreqisëFotografi: picture-alliance/ dpa

Socialistët e Papandreut, që mbajnë 42 nga 49 postet qeveritare dhe e shohin skemën e re jo si dështim, por si “akt të lartë përgjegjësie” të kreut të tyre, nuk duket se kanë të njejtin ankth për datën e zgjedhjeve. Ministrat kryesorë madje, të të ashtuquajturit dhe “bllok i modernistëve”, që flirtojnë edhe me idenë e mbajtjes së zgjedhjeve për kryetarin e ri të partisë, lënë të kuptohet se mund të ketë edhe një zgjatje të mandatit qeveritar.

“Ekziston një program që e kemi firmosur në mënyrë të përsëritur”, deklaroi ministri i Financave, Evangjellos Venizellos, i cili 19 shkurtin e cilësoi një “datë konvencionale” dhe sqaroi se “sa më shumë vonohet livrimi i këstit të 6-të dhe negociatat e materializimit të PSI do të shtyhet edhe data e zgjedhjeve”. Për datë “indikative” foli të marten nga Luksemburgu edhe vetë kryeministri Papadhimos, i cili për tu paraprirë reagimeve negative partiake në Athinë nuk mungoi të theksojë “karakterin provizor” të kabinetit të tij.

Analistët: “Mbështetje jo e sinqertë” e partive qeverisëse

Giorgos Karatzaferis, nga Lëvizja popullore ortodokse dhe krerë të tjerë të politikës greke
Giorgos Karatzaferis, nga Lëvizja popullore ortodokse dhe krerë të tjerë të politikës grekeFotografi: picture-alliance/dpa

Provizore, por për sa kohë?  - është pyetja munduese e partnerëve partiakë në qeveri që për analistët “nuk duken dhe aq të sinqertë” në mbështetjen e tyre. Akoma edhe nacionalistët e Karaxhaferis që mburren Papadhimos se ishte propozimi i tij që në vitin 2009 dhe sheh te dështimi i mundshëm i qeverisë rrezikun e ardhjes në pushtet të së majtës “që mund të krijojë një Kubë mesdhetare”.

Kështu, nuk përjashton një “zgjatje të shkurtër” të mandatit të saj. “Kemi një qeveri nga tri parti që secila më vete ka arsyen e veçantë për të sharruar veprën e qeverisë”, i thotë DW analisti Fotis Papulias, i cili  sheh “tri lojëra politike të veçanta”: “PASOK-u, me çështjen e kreut partiak të hapur, do të donte një sukses të cunguar sa për të kujtuar rolin e tij konstruktiv.

Samaras, që bëri mjaft kollotumba politike, dëshiron të shkojë sa më shpejt në zgjedhje sa pa u zbehur fare imazhi i tij anti-trojkë. Karaxhaferis dhe partia e tij LAOS, që hyri nga dritarja në këtë qeveri, synon të tërheqë sa më shumë në qerren e trojkës Demokracinë e Re për të marrë me vete segmentin e saj populist”.

Parlamenti i Greqisë
Parlamenti i GreqisëFotografi: dapd

Një sukses i mundshëm i qeverisë së Papadhimos mund të shënojë edhe fillimin e fundit të sistemit politik dypartiak në Greqi, që ndodhet në krizë të thellë. “Asgjë nuk përjashtohet që të shohim së afërmi krijimin e një partie modernistësh evropianë, pa qenë sigurisht e nevojshme që të kryesohet nga Papadhimos, e cila do të krijojë kushte të reja në skenën politike greke”, thotë analisti grek.

Në kushtet e jashtëzakonshme të krizës dhe me  kohën politike shumë të ngjeshur, është e natyrshme që me sfond zgjedhjet partitë të kenë axhendën e tyre të veçantë. Mjafton që të shohin pyllin dhe jo pemën, pra të mos harrojnë axhendën e veçantë të vendit.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Mimoza Kelmendi