1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria federale është më e mirë se reputacioni i saj

12 Shtator 2023

Lëvdata për kancelarin Olaf Scholz dhe koalicionin e tij që po vepron me vendosmëri: një studim i Fondacionit Bertelsmann u jep atyre një vlerësim të përkohshëm tepër premtues.

https://p.dw.com/p/4WFNZ
Bundestag Haushaltsdebatte | Scholz Habeck und Lindner
Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Çfarë kuptimi ka kjo? Në sondazhin e fundit Deutschlandtrend, vetëm 19 për qind e të anketuarve janë të kënaqur me qeverinë federale të përbërë nga Socialdemokratët (SPD), Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë (FDP), por në një studim të sapo publikuar treshja në pushtet që nga dhjetori 2021, konsiderohet se po bën punë të mirë në përgjithësi.

Në shqyrtim: marrëveshja e koalicionit

Kjo kontradiktë, e cila duket flagrante në shikim të parë, megjithatë mund të zgjidhet shpejt duke parë më nga afër: Studimi, i iniciuar nga fondacioni privat Bertelsmann, është një analizë shkencore e marrëveshjes së koalicionit dhe premtimeve elektorale të formuluara në të. Ai u plotësua nga një sondazh përfaqësues.

"Kjo procedurë na mundësoi të krahasonim shkallën e respektimit real dhe të perceptuar me premtimet e koalicionit”, thuhet në tekstin hyrës të studimit. Ajo u krye nga instituti demoskopik Allensbach. Në intervista personale, u anketuan në të gjithë Gjermaninë 1011 votues mbi 16 vjeç. Dyshja përgjegjëse për studimin, Robert Vehrkamp (Fondacioni Bertelsmann) dhe Theres Matthieß (Universiteti i Trier-it), shqyrtuan 453 premtimet pak a shumë të rëndësishme të qeverisë federale dhe kontrolluan se çfarë ka ndodhur me to deri tani.

Më shumë para për fëmijët dhe nënshtetësi më e shpejtë

Mes tyre janë premtime të mëdha si lufta kundër varfërisë së fëmijëve dhe garancia bazë financiare për këtë qëllim, për të cilat koalicioni qeveritar ka debatuar publikisht prej javësh. Ndërkohë, është arritur një kompromis. Ose e drejta e re e garancisë shtetërore për të marrë më shpejt pasaportën gjermane. SPD, të Gjelbrit dhe FDP ranë dakord për këtë çështje qendrore vetëm pas debateve të ashpra.

Janë fusha të tilla mosmarrëveshjeje dhe të tjera që shënjojnë imazhin e qeverisë në një pjesë të madhe të popullsisë dhe shkaktojnë rritjen e pakënaqësisë. Megjithatë, sipas studimit, gati dy të tretat e premtimeve të koalicionit tashmë janë zbatuar plotësisht ose të paktën kanë filluar të zbatohen.

qeveria gjermane foto
Fotografi: TOBIAS SCHWARZ/AFP

Konflikte të inskenuara publikisht dhe punë të pambaruara

Nën këtë përshtypje, Robert Vehrkamp e përmbledh kështu rezultatin e studimit: "Në përgjithësi një bilanc afatmesëm që është shumë premtues, por i lënë në hije dhe i shënuar nga një sherr koalicioni i inskenuar publikisht dhe projekte të shumta të hapura".

Nga këndvështrimi i ekipit të studimit, marrëveshja e koalicionit e nënshkruar në vitin 2021 është shumë ambicioze që për shkak të numrit të madh të premtimeve që përmban. Në krahasim me koalicionin e mëparshëm qeverisës, të përbërë nga socialdemokratët dhe konservatorët (CDU/CSU), ky numër u rrit nga 296 në 453. Aleanca, e quajtur zakonisht "semafor" për shkak të ngjyrave të partive të saj, e kuqe (SPD) , jeshile dhe e verdhë (FDP), i ka vendosur vetes 50% më shumë objektiva konkrete.

Marrëveshje koalicioni me shumë premtime dhe ambicie të mëdha

"Numri i madh i premtimeve reflekton nga njëra anë kompleksitetin e koalicionit semafor, si një koalicion që kapërcen kampet dhe i përbërë nga tre parti programatikisht të pavarura, por nga ana tjetër edhe nivelin më të lartë të ambicjes së marrëveshjes së koalicionit”, shpjegon Theres Matthieß nga Universiteti i Trierit.

Kjo bie ndesh me perceptimin që kanë qytetarët për qeverinë e semaforëve: vetëm 12% besojnë se "të gjitha, pothuajse të gjitha ose një pjesë e madhe" e premtimeve të dakorduara në koalicion do të përmbushen. Edhe 43 për qind supozojnë se do të përmbushet vetëm "një pjesë e vogël ose pothuajse asnjë" nga premtimet.

Habeck dhe Scholz
Fotografi: Frank Ossenbrink/IMAGO

Rifillimi i bashkëpunimit dhe vetëpromovimi?

Për të përmirësuar imazhin e saj në mesin e popullatës, qeveria federale ka nevojë për një fillim të ri në bashkëpunimin e saj të koalicionit të brendshëm dhe në prezantimin e saj, beson Wolfgang Schröder nga Qendra studimore në Berlin Das Progressive Zentrum, që mori pjesë në analizë. Konkluzioni i tij: "Mosmarrëveshja e inskenuar publikisht e koalicionit çon në nënvlerësimin e performancës reale të qeverisë dhe të besnikërisë së saj ndaj zbatimit”.

Rezultatet e studimit duket se pasqyrojnë një dilemë me të cilën duket se përballen rrënjësisht aleancat politike në Gjermani: "Një sfidë e madhe për të gjitha qeveritë dhe partitë e koalicionit në Gjermani mbetet toleranca e ulët ndaj zhgënjimit dhe gatishmëria e ulët për kompromis në gjykimin e votuesve", shkruajnë Robert Vehrkamp dhe Theres Matthieß.

Pak tolerancë për kompromise politike

Është e vërtetë që 85% e të anketuarve e konsiderojnë "shumë të rëndësishme ose të rëndësishme" që partitë të zbatojnë realisht objektivat dhe planet që përmbajnë programet e tyre elektorale. Por, në të njëjtën kohë, vetëm 40% e të anketuarve kanë pranuar se mund të ketë "arsye të pranueshme” për mospërmbushjen e premtimeve të tyre elektorale. Prej tyre, vetëm më pak se një e treta (31%) e panë nevojën për të bërë kompromise si një arsye të pranueshme për mosmbajtjen e premtimeve.

"Duket se shumë njerëz e shohin formën parlamentare të qeverisjes, e cila bazohet dhe varet nga kompromisi, si një tradhti ndaj parimeve dhe idealeve partiake” supozon dyshja investigative Vehrkamp/Matthieß.

Deutsche Welle Marcel Fürstenau Kommentarbild ohne Mikrofon
Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore