1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukrainë: Qeveria gjermane kërkon bisedime diplomatike

dpa, afp, kna/mck3 Mars 2014

Angela Merkel bën thirrje për kthimin e bisedimeve diplomatike për zgjidhjen e krizës në Ukrainë. Lavrov mbron veprimet e Moskës që po fuqizon prezencën ushtarake në Krime.

https://p.dw.com/p/1BIiv
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kancelarja Angela Merkel i ka bërë thirrje të gjitha palëve të konfliktit në Ukrianë që ti kthehen bisedimeve diplomatike. Procesi politik është e vetmja rrugë për daljen nga kriza, tha Merkel përmes zedhënësit të saj në Berlin. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier e sheh Europën për shkak të konfliktit në Ukrainë në krizën më të rëndë qysh prej rënies së Murit. Gjatë një takimi krize të ministrave të jashtëm në Bruksel, ai paralajmëroi për rrezikun e një përçarjeje të re në Europë dhe kërkoi përsëri negociata ndërkombëtare me pjesëmarrjen e të dyja palëve. Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së do të flasin për gjendjen në Ukrainë gjatë një samiti të posaçëm në Bruksel ditën e enjte (06.03).

Ndërkohë nën hijen e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, në Gjenevë ka nisur punimet takimi i Këshillit të OKB për të drejtat e njeriut. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov mbrojti qëndrimin e vendit të tij për Gadishullin e Krimesë. Për Moskën kjo do të thotë mbrojtje e qytetarëve rusë dhe sigurinë e të drejtave të tyre njerëzore, veçanërisht të drejtën për jetën, tha Lavrov para Këshillit. Ai akuzoi qeverinë e përkohshme në Kiev që nuk respekton të drejtat themelore të rusëve në Ukrainë. Për këtë arsye Moska iu kishte ofruar atyre ndihmë dhe mbrojtje, argumentoi Lavrov.

Gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave nga pala ukrainase Rusia ka rritur prezencën e saj ushtarake në kufirin lindor të Gadishullit të Krimesë me helikopterë luftarakë dhe avionë transporti.