1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria gjermane ndihmon zhvillimin e veriut të Shqipërisë

26 Mars 2009

Një financim prej 16 milion eurosh i qeverisë gjermane, do të shërbejë për rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve dhe menaxhimin e integruar të liqenit të Shkodrës.

https://p.dw.com/p/HKEh
Fotografi: DW

Ka nisur nga zbatimi, njëri prej projekteve më të rëndësishëm në drejtim të furnizimit me ujë të pijshëm dhe mbrojtjes ambjentale të liqenit të Shkodrës. Ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve, do të jetë zbatuesja e këtij projekti, që financohet me fondin prej 16 milion eurosh, të akorduara nga Banka Gjermane e Kreditimit KFV, Agjensia Austriake për Zhvillim ADA dhe Sekretariati Shtetëror Zviceran për Ekonominë SECO.

Për drejtorin e ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve Shkodër, Ëngjëll Gjondrekaj: “Ky është projekti më i madh që realizohet në qytetin e Shkodrës dhe rasti i parë, që tre donatorë të fuqishëm punojnë së bashku në Shqipëri. Unë falenderoj për ndihmën dhe mbështetjen”.


Drejtori Ekzekutiv i njërës prej firmave zbatuese Frank Enrischer, thekson se ky projekt vjen si rezultat i bashkëpunimit 20-vjeçar me donatorin gjerman, i cili ka investuar më shumë se 130 milion euro për këto dy sektor të rëndësishëm: “Ne, jemi shumë të ndërgjegjëshëm, se sa i rëndësishëm është ky projekt për këtë rajon. Ne do të vendosim një bashkëpunim shumë të ngushtë njëri me tjetrin, të cilin e shohim si bazë për kryerjen me sukses të këtij projekti".


Me financimin dhe ndërhyrjen e donatorit të huaj, është bërë i mundur rehabilitimi i një prej ujësjellësve kryesorë në Malësi të Madhe. Sipas Kryetarit të Komunës Kastrat Gjovalin Vneshti, janë në përfundim edhe tre ujësjëllës të tjerë në këtë rajon. Me rehabilitimin e plotë të sistemit, rreth 80 përqind të popullësisë, do të furnizohet me ujë të pijshëm: “Për fazën e parë, vlera e projektit të përfunduar shkonte në 800 mijë euro. Ndërsa shuma për rehabilitimin e ujësjellëit që është në vazhdim, arrin në 700 milion lekë. Dhe mendohet që brenda muajve mars-pril do të përfundojë ujësjellësi i Kastratit”.


Në projektin e parë, 1995-2007, nga investitorët Gjermanë, u investuan rreth 8 milion euro për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Për projektin e dytë, që sapo ka filluar, donatori Gjerman investoi 9 milion euro, ndërsa pjesa tjetër prej 6 milion eurosh u financuan nga donatorët partner në këtë projekt.

Autor: Leka Plani

Redaktoi: Aida Cama