1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140611 China Proteste

15 Qershor 2011

Fundjavën e kaluar, më shumë se 1000 vetë demonstruan në qytetin e Kinës Jugore Zengcheng në mënyrë të dhunshme kundër autoriteteve. Ky nuk është rast i veçuar.

https://p.dw.com/p/11am2
Protestat në qytetin jugor Xintang
Protestat në qytetin jugor Xintang, 13.06.02011Fotografi: AP

Hendeku midis të varfërve dhe të pasurve, midis qytetit dhe fshatit po zgjerohet gjithnjë e më shumë. Ndërkohë në Kinë po zhvillohen herë pas here demonstrata të dhunshme. Qeveria përpiqet të shtypë që në filllim çdo protestë. Reformat e sistemit politik megjithatë nuk diskutohen për pushtetmbajtësit e Pekinit.

Policisë në qytetin e Kinës Jugore Zengcheng iu desh të ndërhynte në fundjavë me forca të mëdha, për të vënë nën kontroll protestat e punëtorëve të zemëruar endacakë. Me njësi të armatosura, automjete të blinduara dhe gaz lotsjellës, autoritetet vepruan kundër demonstruesve. Protesta u ndez që të shtunën (11.06.2011) në darkë. Forcat kineze të sigurisë patën keqtrajtuar punëtoren shtatzënë Wang Lianmei në periferi të Dadunit.

Pasi u përhapën thashetheme se 20 vjeçarja Wang u plagos dhe se burri i saj madje qe vrarë, nisën përleshjet. Dëshmitarët folën për më shumë se 1000 demonstrues. Disa automjete qeveritare u përfshinë nga flakët, demonstruesit shkatërruan godinën e qeverisë rajonale. Përleshjet në Zengcheng janë shprehje e shtimit të problemeve sociale të Kinës, deklaron gazetari kinez dhe eksperti i ekonomisë, Guo Zhingxiao: "Zhvillimi ekonomik i së ashtuquajturës banka e punës së botës ka arritur një pikë kritike. Dallimet midis fshatit dhe qytetit janë ashpërsuar. Dallimet në të ardhura midis forcave të ardhura rishtas të punës dhe vendasve bëhet gjithnjë e më i madh. Kjo çon në probleme të pazgjidhshme sociale."

Protestat në qytetin jugor Xintang
Protestat në qytetin jugor XintangFotografi: Yomiuri Shimbun, Shiomi Kadoya/AP

Një sërë protestash pjesërisht të dhunshme antiqeveritare javët e fundit

Vetëm pak javë më parë, rreth 1500 vetë demonstruan në qytetin aziatik qendror Lichuan, pasi një burrë vdiq kur po mbahej në arrest në polici. Në fundjavë u plagosën dy vetë nga një shpërthim bombe në Tianjin. Motivi i dorasit ishte "hakmarrje ndaj shoqërisë." Në fund të majit, një burrë ndezi lëndë shpërthyese para godinave qeveritare në qytetin Fuzhuo dhe vrau me to dy vetë dhe veten. Me sa duket, burri ishte i zemëruar sepse i kishin shembur shtëpinë. Në mes të majit, në Mongolinë Qendrore në Veri të Kinës mijëra mongolë demonstruan para godinës së qeverisë qendrore, pasi një mongol nomad u shtyp me automjet nga një kinez Han.

Për Pekinin, këto protesta në rritje janë shqetësuese. Përballë përmbysjeve në botën arabe udhëheqja kineze tregohet vecanërisht vigjilente. Në Kinën e Jugut u arrestuan tani 25 vetë. Qeveria qendrore bëri të qartë në një konferencë shtypi se kishin qenë thashetheme plagosja e punëtores së re endacake dhe vrasja e të shoqit.

Autor: Christoph Ricking / Autorn Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora