1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vitet e ndryshimeve në Evropë

Bernd Riegert / Elert Ajazaj27 Prill 2012

Ndryshim eventual pushteti në Francë, dorëheqje e qeverisë në Holandë dhe krizë qeveritare në Çeki - të gjitha brenda një jave. Që prej fillimit të krizës së borxheve,16 shtete të BE-së kanë përjetuar ndryshim pushteti.

https://p.dw.com/p/14m3P
Pamje simbolike: hedhja e votës
Fotografi: Fotolia/Gina Sanders

Në më shumë se gjysmën e 27 shteteve anëtare të BE-së që prej pranverës së 2010-s kanë ndryshuar shumicat qeverisëse. Në pjesën më të madhe të rasteve shkak për ndryshimin e pushtetit ishte situata ekonomike dhe kursimet drastike në buxhetet publike. Pas Britanisë së Madhe, Spanjës dhe Italisë, Franca mund të jetë vendi i ardhshëm i BE-së që ndodhet në prag të ndryshimit. Kandidati socialist për president François Hollande ka shanse të mira për të mundur në raundin e dytë të zgjedhjeve në 6 maj presidentin konservator Nicolas Sarkozy.

Raporte të qendrueshme pushteti ka ende në Gjermani dhe Poloni si dhe në shtetet më të vogla Lituani, Estoni, Austri, Luksemburg dhe Maltë. Në Holandë pass dorëheqjes së qeverisë për herë të dytë që nga shpërthimi i krizës së borxheve, priten zgjedhje të reja. Në Greqi, epiqendrën e krizës, në 6 maj do të zgjidhet një parlament i ri që mund të sjellë edhe ndryshimin e qeverisë. Në Suedi dhe Bullgari qeveritë aktualisht mbështeten nga pakica në parlamentet kombëtare.
 

Ndryshime qeverish në të gjitha vendet në krizë

Në Eurozonë, pra në 17 shtetet që kanë euron si monedhë të përbashkët, gjatë dy viteve të fundit kanë humbur zgjedhjet ose janë rrëzuar 11 qeveri. Ngjyrimi politik ka qenë i dorës së dytë. Qoftë koalicionet konservatore, qoftë ato socialiste apo liberale nuk morën mbështetje nga zgjedhësit. Në Spanjë për shembull në pushtet erdhën konservatorët, ndërsa në Francë pritet të ndodhë e kundërta. Në Itali dhe Greqi qeveritë drejtohen nga teknokratë pa parti. "Na duhet të mësohemi vazhdimisht me fytyra dhe koncepte të reja", ankohej një diplomat i BE-së për takimet e Eurogrupit, i cili përbëhet nga ministrat e financave të vendeve me monedhë të përbashkët. Kjo mungesë vazhdimësie e bën më të vështirë zbatimin e masave të shpëtimit për Eurozonën. Me Nicolas Sarkozy-në, kancelarja gjermane Angela Merkel mund të humbasë aleatin më të rëndësishëm për kursin e saj të kursimeve dhe konsolidimit buxhetor. Deri tani mbështetje Merkel ka edhe nga Austria, Finlanda, Luksemburgu dhe Holanda, të gjithë pagues neto në buxhetin e përbashkët të BE-së.

Kush drejton daljen nga kriza?

Eurozona vuan nën një problem të madh drejtimi, mendon eurodeputeti socialdemokrat Udo Bullman, ekspert për financat i Partisë Socialdemokrate gjermane. "Ka shumë pak personalitete udhëheqëse në mesin e atyre që qeverisin në Evropë, të cilët kanë guximin të dalin para njerëzve në vendet e tyre dhe të thonë: unë do bëj diçka jopopullore por është e domosdoshme. Unë duhet ta kaloj këtë kufi që të mund të ofroj një të ardhme më të mirë për të gjithë." Asnjë politikan nuk e ka këtë guxim, beson Udo Bullmann. "Nëse nuk bëjmë kujdes Evropa mund të dështojë në misionin e saj historik. Dhe kam frikë se kjo mund të ndodhë."

Rinegociim i paktit fiskal?

Kandidati socialist për presidenti në Francë, François Hollande
Kandidati socialist për presidenti në Francë, François HollandeFotografi: dapd
Dhjetëra mijëra çekë protestojnë kundër politikës së kursimeve të qeverisë
Dhjetëra mijëra çekë protestojnë kundër politikës së kursimeve të qeverisëFotografi: Reuters

25 shtete të BE-së (me përjashtimin e Çekisë dhe Britanisë së Madhe) kanë nënshkruar një pakt fiskal. Kandidati socialist për president në Francë François Hollande kërkon tani të rinegociojë këtë pakt, çka refuzohet prerë nga kancelarja gjermane Merkel. Në Irlandë pakti fiskal duhet të kapërcejë një referendum në fund të majit. Presidenti i Këshillit të BE-së Herman van Rompuy kërkon të mbledhë një samit të posaçëm për të diskutuar rreth një pakti rritjeje ekonomike si plotësim i paktit fiskal. Shtetet e Eurozonës me aftësi të mirë paguese, të cilat kanë ende notën më të mirë nga agjencitë e vlerësimit ekonomik, kundërshtojnë me forcë të përgjigjen bashkarisht për borxhet apo të emetojnë obligacione të përbashkëta. Por pikërisht kjo është kërkesa e vendeve debitore.