1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

QUINT-i dënon ashpër dëmtimin e varreve dhe monumenteve serbe në Kosovë

22 Janar 2013

Përfaqësuesit e QUINT-it, thonë se incidentet e 24 orëve të fundit në Kosovë, tregojnë se disa persona e konsiderojnë të justifikueshme shprehjen e mllefit, për shkak heqjes së lapipdarit të UÇPMB-së në Preshevë.

https://p.dw.com/p/17P0b
Eine belebte Straße in Pristina im Kosovo am 06.04.2008, links eine Werbeplakat der KFOR (Kosovo Force). Foto: Matthias Schrader +++(c) dpa - Report+++
Kosovo PristinaFotografi: picture-alliance/dpa

Ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara, Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së e dënojnë fuqishëm dëmtimin e varrezave dhe monumenteve serbe në Kosovë. Në një deklaratë të përbashkët e publikuar nga ambasada gjermane në Prishtinë, thuhet se gjatë 24 orëve të fundit janë dëmtuar varreza dhe monumente serbe në tërë Kosovën.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve dënojnë valën e fundit të sulmeve kundër varrezave dhe monumenteve serbe në Kosovë. Vargu i ngjarjeve që ndodhën në orët e fundit tregon se disa persona e konsiderojnë të justifikueshme shprehjen e mllefit, për shkak heqjes së lapipdarit të UÇPMB-së në Preshevë, duke dëmtuar varreza në Kosovë, në të cilat gjenden serbë të varrosur. Aktet e tilla janë plotësisht të papranueshme dhe kryesit e veprave duhet të sillen para drejtësisë”, thuhet në deklaratën e shteteve të QUINT-it.

Ambasadorët në Prishtinë të vendeve më të industrializuara iu bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës që të tregojnë përmbajtje, ndërsa, shprehin mbështetjen e plotë për institucionet e Kosovës që të parandalojnë këto veprime.

Qeveria e Kosovës: i papranueshëm dëmtimi i varrezave serbe në Kosovë

Edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, të gjithë pa përjashtim i kanë dënuar ashpër siç thonë “aktet vandale”, të dëmtimit të varrezave dhe monumenteve serbe në disa lokacione të Kosovës, në Kllokot, Prizren, Viti e Gorazhdec. Këto akte u cilësuan të papranueshme.

Kjo valë e incidenteve në Kosovë filloi menjëherë pas heqjes së lapidarit të UCPMB-së nga xhandarmëria serbe në Luginë të Preshevës. Ky veprim i autoriteteve të Serbisë u gjykua ashpër nga qeveria në Prishtinë e cila konsideroi se është dëmtuar procesi i dialogut Prishtinë-Beograd.

Incidentet në Kosovë nuk e ndalin procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Megjithatë, përfaqësues nga Bashkimi Evropian dhe autoritetet e Serbisë, thanë se nuk presin që heqja e lapidarit në Preshevë të ndikojë në procesin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiç do të mbahet gjatë muajit shkurt. Por gjatë muajit shkurt pritet të ndodhë edhe një takim ndërmjet presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliç me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Këshilltari politik i presidentës së Kosovës, Ramush Tahiri, ka thënë se "data e takimit ndërmjet Jahjagës dhe Nikoliçit, akoma nuk është caktuar". Kjo do të bëhet në koordinim të ngushtë me faktorin ndërkombëtar ka thënë Ramush Tahiri.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi