1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

290709 DIW Prognose

30 Korrik 2009

Duket se kriza ekonomike po i habit edhe një herë të gjithë. Thuajse askush nuk e parashikoi atë para se të fillonte dhe tani duket se ekonomia po fillon të rimëkëmbet më herët nga sa pritej.

https://p.dw.com/p/J074
Instituti Gjerman për Studime Ekonomike (DIW) në Berlin flet vetëm për një stabilizim të ciklit të biznesit në Gjermani. Ne Foto: ndertesa e DIW ne Berlin
Instituti Gjerman për Studime Ekonomike (DIW) në Berlin flet vetëm për një stabilizim të ciklit të biznesit në Gjermani.Fotografi: picture-alliance

Në Gjermani librat e porosive po mbushen pak nga pak, në Kinë prodhimi po shënon rritje dhe në SHBA firmat shohin drejt së ardhmes me pak më shumë optimizëm. Por edhe nëse më e keqja ka kaluar, një rritje e fuqishme ekonomike nuk pritet së shpejti. Të paktën kjo është ajo që parashikojnë ekspertët e ekonomisë. Për këtë arsye Instituti Gjerman për Studime Ekonomike (DIW) në Berlin flet vetëm për një stabilizim të ciklit të biznesit në Gjermani.

Një rritje e mirëfilltë ende nuk duket në horizont

DIW i ka zbutur shpresat se së shpejti do të ketë një rritje ekonomike. Vërtet në shumë vende si p.sh. në SHBA dhe Kinë vërehen shenjat e para të një çtensionimi të lehtë të situatës. Megjithatë një rritje e mirëfilltë ende nuk duket në horizont. Ekonomia gjermane gjatë këtij viti do të pësojë një tkurrje prej 6,4 për qind dhe vitin e ardhshëm do të ketë një rritje minimale prej 0,5 për qind. Pikërisht Gjermania do të mbetet për një kohë të gjatë në këtë minimum, thotë Christian Dreger, drejtuesi i sektorit për koniunkturën në DIW.

E rëndësishme për Gjermaninë është situata në Evropën Lindore dhe Qendrore

"Gjermanisë i nevojitet një impuls i fuqishëm nga ekonomia botërore, në mënyrë që të kemi sërish norma rritjeje më të forta tek eksportet. Por duhet thënë se tani për tani jemi të pranishëm në tregje, të cilat po rimëkëmben ngadalë nga kriza. Ajo çka është e rëndësishme për Gjermaninë është situata në Evropën Lindore dhe Qendrore. Këto vende po dalin më ngadalë nga kriza dhe kjo natyrisht përbën pengesë shtesë për eksportet."

Me vend do të ishte një program afatmesëm koniunkturor, jo investimet sporadike dhe selektive

Për rimbëkëmbjen e sektorit gjerman të eksporteve është shumë e rëndësishmë që të mos përhapet proteksionizmi i disa shteteve të veçanta. Sipas DIW, ekonomia gjermane në rrugën e saj të gjatë përmes pikës më të ulët të ciklit të biznesit do të shoqërohet edhe nga rreziqe të tjera. Kështu p.sh. ende nuk është larguar rreziku i bllokimit të kredive, kredidhënia mbetet pjesërisht në kushte mjaft restriktive. Nëse koncepti i qeverisë gjermane për ngritjen e të ashtuquajturave "bad banks" nuk do të ketë efekt, shteti do të jetë i detyruar në rast nevoje të furnizojë bankat me kapital, çka nënkupton një përfshirje më të madhe të tij në financa.

Edhe paketat koniunkturore nuk do të shpalosin të gjitha efektet e dëshiruara. Në këtë drejtim më kuptimplotë do të ishte një program afatmesëm koniunkturor dhe për rritjen, se sa investimet sporadike dhe selektive. Nuk duhet harruar edhe se kriza ekonomike ende nuk ka mbërritur në tregun gjerman të punës. Megjithë situatën e keqe në fushën e porosive, sektorët e goditur nga kriza i kanë ruajtur punonjësit e tyre të kualifikuar, gjë që e bën më të shtrenjtë prodhimin:

"Këtu natyrisht luan rol edhe subvencionimi nga shteti i punës me orar të reduktuar, pra kemi të bëjmë me një konkluzion të rremë. Nëse kriza vazhdon do të shënohet një rritje masive e papunësisë", shprehet Klaus Zimmermann, President i DIW-së. Instituti i tij parashikon një kuotë dyshifrore papunësie për vitin e ardhshëm dhe një mesatare vjetore prej 4,7 milionë të papunësh në Gjermani.

Ekonomia gjermane mund të mbështetet fuqishëm te konsumi privat

E megjithatë ekonomia gjermane mund të mbështetet tek një nga motorët e rritjes ekonomike: konsumi privat. Megjithë krizën, gjermanët vazhdojnë të blejnë. Stefan Kooths nga Instituti gjerman për Studime Ekonomike shpjegon se nga vijnë paratë:

"Vendimtare është që ndikimi i krizës mbi makroekonominë gjermane prek kryesisht prodhimin dhe rënia e të ardhurave vihet re në sektorin e biznesit. Ekonomitë shtëpiake vazhdojnë të përfitojnë nga situata e qëndrueshme e punësimit. Madje rritja jashtë planit e pensioneve nga shteti bën që vitin e ardhshëm ekonomitë shtëpiake të kenë më shumë të ardhura në dispozicion."

Pra dëshira e gjermanëve për konsum do të vazhdojë edhe njëfarë kohe. E sigurtë është ndërkohë një gjë: shpenzimet buxhetore, të cilat kanë shënuar një rritje dramatike gjatë krizës do të çojnë në një deficit buxhetor rekord edhe vitin e ardhshëm.

Autor: Beniamin Braden/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi