1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

190210 Missbrauch Kirche Bonn

25 Shkurt 2010

Së pari në SHBA, më pas në Irlandë dhe tani në Gjermani: Kisha katolike është tronditur sërish nga një tjetër valë akuzash për abuzime seksuale të priftërinjve me fëmijët e shkollave.

https://p.dw.com/p/MAZ5
Rastet e reja të abuzimeve seksuale trondisin kishën katolike .
Rastet e reja të abuzimeve seksuale trondisin kishën katolike.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Në Berlin, një avokat i pavarur i ngarkuar nga Urdhëri i Jezitëve të hetojë skandalin, thotë, se rreth 115 deri në 120 viktima tregojnë, se me ta është abuzuar duke përmendur raste që të çojnë deri në vitet 1950. Një nga shkollat implikuara është në Bon.

Dy priftërinj janë akuzuar për abuzim seksual ndaj nxënësve në Kolegjin Aloisius, një shkollë Jezuite me konvikt në Bon. Njëri nga priftërinjtë ka vdekur në vitin 1972, dhe një tjetër është tani 82 vjeç në një azil pleqsh. Në bazë të kodit të procedurës penale në Gjermani rastet e dyshuara janë të vjetëruara dhe u ka kaluar afati ligior për hapje proces.

Rastet të vjetëruara

Kolegji Aloisius, i cili u vlerësua kohët e fundit si shkolla e katërt më e mirë në Gjermani, tani po bëhet shkas për hapjen e hetimeve lidhur me të gjitha pretendimet e ngritura kundër shkollës dhe fakultetit të tij. Në sfondin e kësaj krize shtrohen çështje të rëndësishme lidhur me transparencën dhe veprimet abuzive të kishës.

Dy priftërinj janë akuzuar për abuzim seksual ndaj nxënësve në Kolegjin Aloisius.
Dy priftërinj janë akuzuar për abuzim seksual ndaj nxënësve në Kolegjin Aloisius.Fotografi: AP

Robert Wittbrodt, një mësues i shkollës, është anëtar i komisionit hetimor të shkollës.“Qëkurse të gjitha rastet që unë kam parë klasifikohen në kategorinë e tejkalimit të afateve, për fat të keq ne nuk kemi mundësi që të zbardhim plotësisht të kaluarën. Proceset gjyqësore në këtë rast do të na jepnin shumë më tepër qartësi. Por, mendoj që mund të themi se kanë ndodhur vërtetë shumë abuzime. Ne duhet të shtrojmë pyetjen se çfarë ka ndodhur brenda kontekstit të kulturës së kohës, dhe nëse konstatojmë që kemi të bëjmë me praktika të papranueshme duhet t' i ndalojmë ato. “


Një drejtor i shkollës, Ati Theo Schneider, ka qenë gjithashtu anëtar i komisionit hetimor. Megjithatë Schneider u largua nga funksioni i tij në shkollë, kur u ngritën akuzat, se ai me qëllim kishte bërë një sy qorr ndaj abuzimeve me studentët e tij. Dekani jezuit Volfgang Picken e mbështet këtë vendim. “Unë mendoj se ai ka vepruar drejt. Ai ka pasur një miqësi të ngushtë me njërin nga prftërinjtë, ndaj të cilit janë ngritur akuzat më të shumta, dhe ai nuk mund të ishte palë objektive. Atë e kanë akuzuar gjithashtu si të implikuar. Ndaj ai ka vepruar drejt me tërheqjen duke i bërë të qartë kujtdo, se nuk dëshiron të qëndrojë për t' u bërë pengesë për informacionin.

Ati Theo Schneider largohet

Shumë studentë në Kolegjin Aloisius u pikëlluan kur panë largimin e Atit Schneider. Studentët organizuan një ceremoni lamtumire me qirinj të ndezur, duke kënduar himne si dhe me një poster lamtumire që e nënshkruan të gjithë.

Darius Kramer, që është student në Kolegjin Aloisius dhe njëkohësisht anëtar i kryesisë së studentëve, ishte njëri prej organizatorëve të ceremonisë së lamtumirës. “Ishte mbrëmja e tij. Askush nuk e vriste mendjen për vendimin që kishte marrë. Mbrëmja iu kushtua vetëm personit At Schneider dhe karakterit të tij për t' i treguar atij se sa shumë e duam. Ne donim ta qetësonim atë dhe t' i dëshmonim se jemi këtu për të.

120 viktima tregojnë, se me ta është abuzuar.
120 viktima tregojnë, se me ta është abuzuar.Fotografi: AP

Helen, i cili është në klasën e 8-të, nuk beson se Schneider ka pasur dijeni për abuzimet. “Ati Schneider s' do të kish ndenjur kurrë duarkryq nëse do të abuzohej me fëmijët. Të gjitha çfarë thuhen për të janë absolutisht marrëzi".

Studentët shprehin keqardhjen

Studentët vazhdojnë të shprehin mbështetjen e tyre për drejtorin e shkollës, edhe tani që ai është larguar. “Ka shumë të shenja që tregojnë se studentët janë duke vepruar në mbështetje të Atit Schneider. Shumica e tyre veshin bluza me simbolet e shkollës. Në posterat e përgatitura prej tyre shkruhet “Pro Sshneider-it” dhe “Shkolla jonë pa At Shnajderin është si një shnicel pa kontorno me patete të skuqura.”

Ndonëse Dr. Wittbrodt është i trishtuar për largimin e mentorit të tij, ai vë në dukje, se preokupimi kryesor i shkollës tani është ta çojë deri në fund zbardhjen e asaj që ka ndodhur. “Unë e kuptoj se shumë njerëz dëshirojnë të shprehin mendimin e tyre, se At Schnajderi është një person i mrekullueshëm Por në këtë moment ne kemi një tjetër detyrë: Ndonëse ne e vlerësojmë që njerëzit këtu duan ta ruajnë reputacionin e shkollës, imazhi i saj varet edhe nga transparenca. “

Kohët e fundit ka pasur mjaft telefonata në Kolegjin Aloisius jo vetëm nga ish-viktimat e nga media, por edhe nga nxënësit e saj. 500 ish-studentë kanë nënshkruar një letër të hapur, përmes së cilës shprehin keqardhjen për dorëheqjen e Atit Schneider dhe njëkohësisht kërkojnë hetimin e plotë të të gjitha akuzave.

Hotline për viktimat

Ndërkohë, Dean Picken ka hapur një shërbim telefonik hotline në Bon enkas për ata që janë të prekur nga këto veprime. Kujtdo mund t' i jepet shërbim në anonimitet.“Për mua është e rëndësishme që viktimat dhe ata që janë të prekur nga kjo krizë të marrin mbështetjen tonë. Kjo ndihmë nuk duhet të konsistojë në fjalë boshe, që ato mund t' i lexojnë në gazetë. Ne si njerëz të kishës jemi përgjegjës për të ofruar kujdesin baritor dhe është e qartë se për shumë njerëz ky është një problem shpirtëror.”

Kisha duhet të vazhdojë të jetë aktive për të parandaluar abuzimet.
Kisha duhet të vazhdojë të jetë aktive për të parandaluar abuzimet.Fotografi: AP

Picken do të dëshironte që një shërbim i tillë hotiline të shtrihej në nivel kombëtar. Qëllimi është që të konsultohen të prekurit nga kriza duke nisur qysh nga viktimat e abuzimit e deri tek ata që janë të pakënaqur me akuzat. Picken thotë se të ngarkuarit me shërbimin hotline do t' u rekomandojnë drejtpërdrejtë atyre që kontaktojnë në telefon që të kërkojnë konsultë prokologjike ose ligjore në rast se kjo është e nevojshme.

Edhe pse akuzat në lidhje me rastet e abuzimit janë me dekada të vjetra, Picken beson se kisha duhet të vazhdojë të jetë aktive për të parandaluar abuzimet këtej e tutje si dhe për të përmirësuar komunikimin e saj me publikun.

Priftërinjtë dhe nudizmi

Ndër akuzat e ngritura për abuzime serioze në Kolegjin Aloisius janë ato drejtuar ndaj një prifti të moshuar 82-vjeçar, i cili shpesh ka fotografuar nxënës nudo.

Studenti Darius Kramer thotë se ai nuk ka konstatuar asnjëherë që në shkollë të ketë pasur abuzime. Megjithatë, ai është i vetëdijshëm që priftërinjtë praktikojnë nudizmin me studentët. Ai thotë, se një prift njihej që i ftonte studentët të shkonin me të në sauna. Në Gjermani nudizmi në sauna është diçka e zakonshme. “Nëse dikush shkon në të njëjtën sauna me ju, ju jeni nudo ashtu si edhe kushdo tjetër atje. Unë nuk shoh ndonjë problem këtu. Por ka një dallim nëse dikush ju imponon që të shkoni atje.”

Ndërsa këto raste mund të kenë natyrë inoçente, kisha duhet të tregohet e mençur të marrë masa më të rrepta ndaj të tilla veprimeve në të ardhmen, në mënyrë që të mbrojë studentët dhe reputacionin e saj.

Autor: David Levitz / Vilma - Filaj Ballvora

Redaktoi: Aida Cama