1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rathfelder: Vendimi për Haradinajn të pritet me qetësi

Auron Dodi27 Nëntor 2012

Vendimi i Hagës për Haradinajn nuk është deklaratë pro ose kundër pavarësisë së Kosovës. Trysnitë e ndryshme mbi Hagën janë propagandistike e mbi baza nacionaliste, thotë gazetari gjerman Erich Rathfelder.

https://p.dw.com/p/16qcm
Fotografi: Erich Rathfelder

Dodi: Zoti Rathfelder, si e vlerësoni ju Ramush Haradinajn, si person dhe si luftëtar të UÇK-së?

Rathfelder: Haradinaj ka qenë pa dyshim një nga komandantët më të aftë të UÇK-së dhe ka dhënë kontributin e tij për çlirimin e vendit. Në të njëjtën kohë ai është përfshirë në veprime (para së gjithash pas luftës), të cilat nuk mund të pranohen aq lehtë. Mirëpo në gjyq ai ka dalë për veprimtarinë e tij si komandant i UÇK-së dhe jo si dikush, për të cilin mendohet se ka vënë nën trysni kundërshtarë politikë apo thjeshtë njerëz në të ashtuquajturën sferë të pushtetit të tij në perëndim të Kosovës.

Dodi: Nganjëherë te disa ekspertë vërehet njëfarë prirjeje që klanet familjare të shihen si struktura mafioze të gatshme. Mos është bërë kjo edhe me familjen Haradinaj? Sidoqoftë për pretendime të tilla të ngritura mungojnë dëshmitë. Megjithatë, një pyetje për ju si njohës i rajonit: A janë të përshtatshme, si të thuash në mënyrë të natyrshme, klanet familjare në Ballkan për të ngritur struktura mafioze?

Rathfelder: Nga njerëz të ndryshëm Haradinaj vështrohet në mënyra të ndryshme. Ithtarët e tij e ngrenë atë në qiell, edhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare e ka mbështetur shumë; dhe të tjerë, me të cilët kam folur gjithashtu, flasin për presion mbi ta që është ushtruar mbi ta. Cila është e vërteta? E vërteta për këtë duhet gjetur dhe është përgjegjësi e kosovarëve që ta gjejnë. Nuk është fjala nëse ai është apo nuk është diçka, po kjo pyetje mund të marrë përgjigje vetëm me fakte, ose me një investigim, kjo është mënyra e duhur.

Dodi: Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë bashkëpunuar ngushtë me Haradinajn. Në radhë të parë thuhet se ai ka lidhje të ngushta me amerikanët. Në rast se ai do të ishte i përfshirë në ndonjë gjë, a nuk do të ishte sjellë bashkësia ndërkombëtare me rezerva në bashkëpunimin me Haradinajn?

Rathfelder: Bashkësia ndërkombëtare ka interesat e saj. Ajo përpiqet t'i realizojë ato dhe këtë gjë e bën me ata persona, për të cilët ajo beson se janë në gjendje t'i realizojnë ato.

Rrethana që nëpërmjet themelimit të dy partive, partisë së Thaçit dhe partisë së Haradinajt, UÇK-ja u nda, dhe si të thuash trashëgimia e UÇK-së u depozitua në dy parti, nuk lindi krejt rastësisht, po pas luftës nga ana e bashkësisë ndërkombëtare është bërë përpjekja që të arrihet kjo ndarje. Mund të thuhet se kësaj gjëje bashkësia ndërkombëtare ia ka dalë. Parimi "përça e sundo" është më se i njohur.

Për sa i takon afërsisë së Haradinajt me përfaqësues ndërkombëtarë të ndryshëm, ajo është gjithashtu një tregues për faktin se përfaqësuesit e tyre në terren zgjedhin shpesh rrugën e rezistencës më të vogël. Kjo do të thotë, atje ku ata presin prej njërës palë rezistencën më të madhe, në rast se e vendosin atë në pozitë të vështirë, atje ata parapëlqejnë të mos hyjnë në konflikt, po përpiqen ta integrojnë atë.

Edhe kjo anë e politikës duhet mbajtur parasysh kur e sheh tabllonë e përgjithshme nga këndvështrimi i bashkësisë ndërkombëtare. Kjo e fundit dihet që nuk është bashkësi, po një konglomerat institucionesh, në të cilat takohen interesa nga më të ndryshmet dhe ku mbizotërojnë interesa të ndryshme.

Dodi: Haradinaj u nxor sërish në gjyq, kur njerëzit në Kosovë po prisnin vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare mbi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo mund të jetë rastësi. Megjithatë, jo vetëm në Kosovë, po në gjithë Ballkanin lind vazhdimisht diskutimi në lidhje me pyetjen se në ç'masë mbetet e painfluencuar prej politikës ndërkombëtare Tribunali i Hagës.

Rathfelder: Fillimisht duhet parë juridikisht se çfarë ndodh atje, ku bazohet padia, cilat pika të padisë janë të reja. Në opinionin kosovar, para së gjithash në opinionin ballkanik, këto janë interpretuar gjithmonë si vendime politike. Le të marrim rastin e gjeneralëve kroatë, Gotovina und Markaç. Vendimi nuk ishte i besueshëm dhe u korrigjua tani nga gjykata. Opinioni në Kroaci dhe në Serbi e pa këtë si deklaratë politike. Në Kroaci si përligje e luftës për atdheun dhe si shpallje pafajësie për Kroacinë në lidhje me atë çka ngjau atje më vonë, megjithëse natyrisht krahasuar me krime të tjera, ajo ishte diçka relativisht e vogël. Në Serbi e gjitha kjo u pa si vendim antiserb "Evropa shprehet kundër Serbisë". Në këtë kuadër harrohet të mbahet parasysh se vendimi i gjykatës është problem juridik. Gjykata përbëhet nga njerëz, të cilët përpiqen të hetojnë dhe të japin drejtësi. Pra kjo nuk është aq e thjeshtë.

Kështu është edhe në rastin Haradinaj. Të krijosh prej kësaj direkt një histori për apo kundër pavarësisë së Kosovës, kjo më duket krejtësisht e gabuar, sikurse e thashë edhe në lidhje me Kroacinë e Serbinë për rastin e Gotovinës.

Dodi: Veçanërisht pas lirimit të gjeneralëve kroatë në Hagë ka një fushatë në medien serbe, se Tribunali i Hagës duhet të mendohet mirë në rastin e Haradinajt. Qeveria kosovare ka kërkuar nga qeveria serbe që ta presë në qetësi vendimin ndaj Haradinajt. A e shihni të rrezikuar prej hapave të tillë lirinë e gjykatës në gjetjen e vendimit?

Rathfelder: Që mbi Tribunalin e Hagës ka trysni të ndryshme, fakti që ka përpjekje nga palët përkatëse dhe opinioni përkatës për të bërë presion, kjo nuk është gjë e re. Çështja është sa e pavarur është vërtet Haga. Meqenëse i njoh edhe personalisht disa prej këtyre gjykatësve, të cilët japin vendime edhe në çështje shumë të rëndësishme, qysh në fillim do ta përjashtoja mundësinë që ata të lejojnë të influencohen në këtë mënyrë. Janë padyshim gjykatës të nderuar, ata që punojnë atje.

Natyrisht që politikisht bëhen përpjekje -ndoshta edhe nga pala ndërkombëtare- që vendime gjykate të pakëndshme të mos përmenden, apo që këto vendime të influencohem... por një gjykatë e pavarur nuk lejon këtu që të influencohet. Dhe këtë kemi për ta parë, nëse këtu ka pasur influencim. Unë nuk e përfytyroj dot një gjë të tillë.

Që opinioni serb thotë, e shpallën Gotovinën të pafajshëm, tani të paktën të dënojnë Haradinajn, kjo nuk është ligjore, nuk është në përputhje me shtetin e së drejtës, po është thjesht propagandistike e nacionaliste, dhe e influencuar nga ndjenja e jo e mbështetur në një pozicion të shtetit ligjor. Dhe anasjelltas, opinioni kosovar gjithashtu nuk duhet ta bëjë këtë. Qëndrimi i qeverisë së Kosovës në lidhje me pavarësinë e Gjykatës së Hagës më duket i drejtë, dmth. për të parë njëherë dhe për të pritur, se me ç'arsyetim do të jepet vendimi, si argumentohet vendimi.

Erich Rathfelder - gazetar, prej 20 vitesh i pranishëm në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë. Autor i librit "Kosova- historia e një konflikti", shtëpia botuese Suhrkamp Verlag. Prej 1987-s e viziton Kosovën praktikisht çdo vit.

Intervistën e zhvilloi: Auron Dodi