1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raund i ri dialogu mes Prishtinës e Beogradit

20 Shkurt 2012

Zyra e ndërmjetësit të Bashkimit Europian për bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper, konfirmon se të martën në Bruksel, zhvillohet takimi i radhës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

https://p.dw.com/p/145vT
Festimet në katërvejtorin e pavarësisë
Festimet në katërvejtorin e pavarësisëFotografi: picture alliance / dpa

Qeveria e Kosovës ka rënë dakord që Kosova në nisma rajonale të përfaqësohet me një fusnotë, që krahas emrit Kosova, të shkruhet edhe Deklarata e Pavarësisë, opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që njohu të drejtën e Kosovës për shpalljen e pavarësisë dhe poashtu me rezolutën 1244 të KS-it.

Këtë e konfirmoi të hënën kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke hedhur poshtë mundësinë që Kosova po heqë dorë nga emri i saj kushtetues, Republika e Kosovës. “Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk do të vihet në pikpyetje. Përfaqësimi rajonal i Republikës së Kosovës dhe rregullimi i brendshëm i kushtetutës i Kosovës janë dy gjëra të ndara”, thotë kryeministri Hashim Thaçi.

Borisllav Stefanoviq
Borisllav StefanoviqFotografi: picture alliance/dpa

Serbia nuk bie dakord me qëndrimin e Kosovës

Ndërkohë, udhëheqësi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, tha për mediat lokale serbe se pala serbe nuk pajtohet që Kosova të përfaqësohet në nisma rajonale ku përmendet edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës. Ai thotë se për Beogradin zgjidhje e pranueshme do të jetë mbishkrimi, Kosova së bashku me Rezolutën 1244 dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por jo Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e cila paraqet përpjekje për legjitimimin e pavarësisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka pranuar ndërkohë që Kosova në nisma rajonale të përfaqësohet me një fusnotë, pas vizitës që bëri në Prishtinë, zëvëndës-sekretari amerikan i shtetit, William Burns. Ai tha se Prishtina dhe Beogradi, duhet të jenë fleksibël dhe kreative për të siguruar që edhe Serbia edhe Kosova të jenë në gjendje të marrin pjesë në forumet rajonale. Të dyja palët sipas William Burns, duhet të gjejnë një formulë, me të cilën të jenë dakord.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi