1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raundi "vendimtar" i dialogut Serbi-Kosovë në Bruksel

Bahri Cani2 Prill 2013

Në Bruksel po zhvillohet raundi i tetë i dialogut mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit. Në rend dite është asiciacioni i komunave me shumicë serbe dhe gjendja në veri të Kosovës.

https://p.dw.com/p/188GL
Fotografi: DW/Marina Maksimovic

Takimi i delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit, të kryesuara nga kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, ka nisur pas mesditës (02.04.2013) në zyrën e të ngarkuarës së Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Chaterine Ashton. Më parë baronesha Ashton ka pasur konsultime të veçuara me delegacionet.

Zëdhënësja e saj Maja Kocijançiq deklaroi se Ashton dhe krerët e Brukselit shpresojnë një marrëveshje, sepse dialogu gjendet në fazën vendimtare. Ajo theksoi se palët do të duhej ta shfrytëzojnë këtë shans, sepse ka mbetur shumë pak kohë deri në paraqitjen e raportit të baroneshës Ashton, nga i cili varet nëse Serbisë dhe Kosovës do t'i jepet drita jeshile për vazhdimin e procesit të integrimeve evropiane dhe afrimit me Bashkimin Evropian. Baronesha Ashton shpreson se do të arrihet marrëveshje, ndonëse "nuk do të jetë e lehtë".

Në delegacionin serb kësaj radhe, për herë të parë, gjendet edhe zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq, për të cilin në Beograd mendohet se aktualisht mund të marrë vendimet më të rëndësishme për këtë vend.

Palët kanë ardhur në Bruksel me qëndrime diametralisht të kundërta për kompetencat dhe përgjejësitë që duhet të ketë asociacioni i komunave me shumicë serbe. Beogradi ka kërkuar që asociacioni të ketë përgjegjësi ekzekutive dhe legjistlative. Pas konsultimeve të së hënës (01.04.2013) në Brograd, presidenti Tomisllav Nikoliq, u shpreh se Serbia nuk do të heqë dorë nga kërkesat që serbët të kenë përgjegjësitë kryesore në polici dhe gjykata. Ai tha se "pala serbe nuk do të pranojë as që në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, të futet ushtria e Kosovës".

Hashim Thaci mit Catherine Ashton und Ivica Dacic
Fotografi: Council of the EU - M@S

Brukseli pret që palët të bien dakord dhe të arrijnë një marrëveshje

Ndërkohë që pala kosovare, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kundërshtuar kërkesat për një nivel të tretë të pushtetit (krahas nivelit qendror dhe komunal). Prishtina ka rënë dakord që në Kosovë të krijohet një asociacion i komunave me shumicë serbe, por vetëm në kuadër të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, që do të thotë se nuk mund të ketë të drejta ekzekutive apo legjislative. Këtë theksoi edhe kryeministri i Kosovës, i cili në prag të takimit tha se "pala kosovare nuk do të pranojë asgjë që nuk është në përputhje me kushtetuten dhe ligjet e Kosovës".

Zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane tha se Brukseli nuk ka përgatitur ndonjë dokument të posaçëm mbi të cilin do të debatohet. Por ajo pret që palët të dakordohen dhe të arrijnë një marrëveshje. Në qarqet diplomatike në Bruksel thuhet se ky është shansi i fundit për një marrëveshje në këtë përbërje të delegacioneve. Por jozyrtarisht nuk përjashtohet mundësia e mbajtjes edhe të ndonjë takimi tjetër. Sidoqoftë, Chaterine Ashton do të hartojë së shpejti një raport për ecurinë e dialogut, që do t'i paraqitet Komisionit Evropian. Nga sugjerimet e saj varet nëse Serbia do të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.