1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refugjatët sirianë në Turqi

Senada Sokollu/Eliana Xhani6 Nëntor 2013

Që prej fillimit të luftës civile në Siri, vendi fqinjë Turqia është nga destinacionet kryesore të refugjatëve sirianë. Në qytetet e mëdha turke si Stambolli shumë prej tyre lypin në rrugë.

https://p.dw.com/p/1AD7D
Fotografi: DW/M. Olivesi

Ethemi është ulur këmbëkryq në dhomën e ndenjes. Në televizor shfaqet një film vizatimor, zëri është në kupë të qiellit. Qeshjet e fëmijëve mbyten nga zhurma. Nëntë janë ata. "Nuk janë të gjithë fëmijët e mi. Këtu jetojnë tri familje. Unë dhe gruaja ime dhe gjashtë fëmijët tanë, vëllai im me gruan dhe dy fëmijët. Dhe një vejushë me djalin e saj 11-vjeçar", tregon siriani 28-vjeçar në bisedë me Deutsche Welle. Ethemi dhe vëllai i tij më i vogël Mecid nuk duan t'i tregojnë mbiemrat, pasi asnjë nga anëtarët e familjes nuk është i regjistruar zyrtarisht tek autoritetet turke. Shumë e madhe është frika që të kthehen mbrapsht në kampet e refugjatëve apo Siri.

Ethemi dhe Mecidi po kujdeset për fëmijët në shtëpi, ndërkohë që tri gratë punojnë. Të paktën kështu e quajnë ata. Puna e tyre është të lypin në rrugë.

Ethem në Aleppo ka qenë këpucar për këpucë grash dhe kishte një dyqan të vetin. Tani punon si pastrues në një hotel në Stamboll dhe fiton rreth 220 euro në muaj. Vëllai i tij Mecid ka një punë në një kinkaleri dhe fiton 150 euro. Qeraja mujore për apartamentin e vogël me dy dhoma në lagjen Fatih në Stamboll është 330 euro. "Ne i bashkojmë paratë. Ia dalim disi t'i përballojmë shpenzimet", tregon Ethemi. Të dy vëllezërit janë larguar para tre muajsh nga Siria së bashku me familjet. Ata kanë ardhur në Turqi nëpërmjet kufirit turk. "Fillimisht ishim në një kamp refugjatësh në Gaziantep. Më vonë deshëm të punonim dhe për këtë arsye udhëtuam me autobus direkt në Stamboll", tregon 28-vjeçari Ethem. Vëllezërit bëjnë pjesë në pakicën kurde në Siri. Stambolli është qyteti më i madh kurd në Turqi. Edhe kjo është një arsye përse kanë ardhur këtu.

"Qeveria turk bën sa mundet"

Sipas të dhënave të autoritetit turk për mbrojtjen nga katastrofat, në Turqi ndodhen aktualisht 600.000 refugjatë sirianë. Rreth një e treta e tyre janë strehuar në kampe refugjatësh, dy të tretat në banesa me qera. Vetëm në Stamboll jetojnë sipas vlerësimeve 150.000 refugjatë sirianë. Dhe do të vijnë edhe të tjerë: Kombet e Bashkuara presin që vetëm gjatë vitit të ardhshëm dy milionë Sirianë të braktisin vendin e tyre. Nga flukset e refugjatëve lindin kosto: kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan flet për rreth dy miliardë dollarë, që Turqia ka shpenzuar për pranimin dhe asistencën për refugjatët.

Syrische Flüchtlinge Riyad Ahmed Husein und Dilges Husein
Familje refugjatësh sirianë në TurqiFotografi: DW/S. Sokollu

"Qeveria turke bën sa mundet", thotë Halim Yilmaz, zv/president i organizatës për të drejtat e njeriut Mazlumder. Në shtator autoriteti turk për mbrojtjen nga katastrofat i pemtoi asistencë mjekësore falas në spitale të gjithë refugjatëve sirianë të regjistruar zyrtarish, thotë Yilmaz në bisedë me DW. "Dhe Ministria turke e Arsimit ka deklaruar zyrtarisht se fëmijët e refugjatëve sirianë mund të ndjekin mësimin në institucionet mësimore. Por meqenëse kush për këtë është regjistrimi i vendbanimit, ka vështirësi në zbatimin në praktikë", thotë Yilmaz. Kjo prek para së gjithash familje si ato të Ethemit dhe Mecidit, të cilat nuk mund të përfitojnë nga këto shërbime.

Ndihma vullnetare e qytetarëve turq

Të jesh mik, këtë detyrë përpiqet të përmbushë Lezgin Akan. Sa herë ka mundësi studenti 23-vjeçar i shkencave të komunikimit shkon të shëtisë në rrugët e lagjes Fatih për t'u njohur me gjendjen e refugjatëve. Pas vetëm pesë minutash ai zbulon dy vëllezër sirianë që rrinë të shtrirë mbi bar në park. "Kisha gjetur punë për të dy por për shkak të mungesës së njohurive të gjuhës patën probleme. Tani janë përsëri këtu", thotë Akan në bisedë me DW.

Studenti është aktiv në "Platformën e solidaritetit për sirianët në parqe", një organizatë vullnetare me një faqe në Facebook, e cila ka më shumë se 2000 mbështetës. Akan angazhohet bashkë me nëntë të tjerë nga organizata për rreth 150 familje siriane në Stamboll. Ata përpiqen t'i ndihmojnë sirianët të largohen nga rruga, organizojnë për ata banesa, paguajnë me para donacionesh qeranë e parë dhe përpiqen të gjejnë për ta punë.

Syrische Flüchtlingskinder mit Lezgin Akan Aktivist in Istanbul
Lezgin Akan, aktivist që ndihmon refugjatët në StambollFotografi: DW/S. Sokollu

Akan flet edhe gjuhën kurde dhe kujdeset kryesisht për kurdët sirianë. Angazhimi i të riut nuk shihet nga të gjithë me sy të mirë. Ka ndodhur që të njohur të tij e kanë kritikuar, tregon studenti. "Pse i ndihmon? Ata janë lypsarë, hajdutë ddhe ciganë", është shprehur një herë me fjalë diskriminuese një fqinj i tij.

"Mendova që ishte luftë"

Ethemi dhe familja e tij mbështeten gjithashtu tek Akani. Edhe atyre ai u gjeti shtëpi dhe punë. Veçanërisht për Saqr 11-vjeçar, i cili jeton bashkë me nënën në një apartament me Ethemin dhe Mecidin, Akani është personi tek i cili ka besim. Saqr e ka humbur babanë në një sulm me bomba në Siri. Ai vuan nga një traumë e shkaktuar nga lufta. Kur Turqia festoi 90 vjetorin e themelimit të republikës, ai u tremb. "I mora fishekzjarret për bomba. (...) rashë duke qarë përtokë dhe i mbylla veshët me duar. Kujtova se edhe në Turqi po bëhej luftë", tregon 11-vjeçari. Akan përpiqet t'i japë kurajë atij. Djali i vogël i ka sytë me lot.

Megjithatë Saqr dëshëron të kthehen në Siri. "Kur lufta të mbarojë dua të kthehem në shtëpi. Këtu ndihem i huaj", thotë ai.