1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Regjistrimi në Kosovë do të jetë konform standardeve ndërkombëtare

28 Mars 2011

Në Kosovë, me një prill fillon regjistrimi i popullsisë dhe i ekonomive familjare. Ky proces mbështetet nga organizata evropiane e statistikave, EUROSTAT

https://p.dw.com/p/10jFR
Pieter Everaers, drejtor i Eurostatit
Pieter Everaers, drejtor i EurostatitFotografi: DW

Njëri nga udhëheqësit e organizatës evropiane të statistikave, EUROSTAT, Pieter Everaers, tha në Prishtinë se ai është i bindur se regjistrimi i popullsisë në Kosovë, i cili po ndodhë pas tri dekadave do të zhvillohet konform standardeve të përcaktuara ndërkombëtare. Ai tha se ekspertët evropianë dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që nga viti 2005, janë duke u përgatitur për këtë proces dhe sipas tij, çdo gjë është gati që me një prill të fillojë regjistrimi i popullsisë dhe ekonomive familjare në Kosovë. Mirëpo, e paqartë akoma mbetet se a do të marrin pjesë në procesin e regjistrimit serbët e pjesës veriore të Kosovës dhe sipas Pieter Everaers, kjo do të varet shumë nga bashkëpunimi i Kosovës dhe Serbisë.

“Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këtë proces është shumë i rëndësishëm, se si do të ecin gjërat më tej sidomos në veriun e Kosovës. Pra kjo çështje nuk është më një problem i madh teknik, sesa që është politik. Por, ne jemi të bindur se në ditët dhe javët e ardhshme ky problem do të zgjidhet”, thotë Pieter Everaers.

Ai thotë se që regjistrimi i popullsisë të ndodhë edhe në komunat veriore të Kosovës, por nevojitet një kohë shtesë dhe jo vetëm nga një prilli deri me 15 prill ashtu sic ishte planifikuar më herët.

“Nevojitet edhe pak kohë në mënyrë që të ndërtohet besimi në komunat veriore dhe pastaj të jemi në gjendje ta kryejmë këtë proces ashtu sic duhet”, thotë Pieter Everaers.

Kohë shtesë për veriun, por jo pa kufi

Ndërkohë, ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, thotë se ai është pajtuar që të ketë një kohë shtesë për regjistrimin e popullsisë në komunat veriore, mirëpo jo në një afat të pacaktuar.

“Ne do të kemi takime tjera në komitetin drejtues dhe do të caktojmë një afat kohor kur do të jetë dita përfundimare e regjistrimit”, thotë Mahir Jagxhillar.

Mahir Jagxhillar, ministri i Administratës Publike në Kosovë
Mahir Jagxhillar, ministri i Administratës Publike në KosovëFotografi: DW

Ndërkohë, një pjesë e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës e mbështesin procesin e regjistrimit, ndërsa, një pjesë jo. Përfaqësuesit e serbëve, që marrin pjesë në institucionet e Kosovës, tashmë edhe formalisht janë të përfshirë në komisionet komunale për regjistrimin e popullsisë. Kryetari i Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviç, thotë se komuna që ai e drejton do t'u ofrojë qytetarëve serbë mundësinë për t'u regjistruar.

“Serbët e Kosovës duhet t'i karakterizojë mençuria, qetësia dhe vendosmëria, për të arritur një konsensus për të gjitha çështjet e rëndësishme që lidhen me ta. Në këtë linjë realiteti është i tillë që gjithsesi duhet të marrim pjesë në një proces siç është regjistrimi i popullsisë”, thotë Bojan Stojanoviç.

Serbët e Veriut me qëndrimin e Serbisë

Mirëpo, qëndrim ndryshe mbajnë përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës. Sipas mediave lokale serbe, serbët e Veriut do të veprojnë konform qëndrimit që do të mbajë për këtë proces qeveria e Serbisë. Qeveria e Serbisë, akoma nuk ka një qëndrim të prerë zyrtar për pjesmarrjen e serbëve të Kosovës në regjistrim. Mirëpo, gjatë një vizitë që bëri në Kosovë javën e shkuar, ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, ai tha se:

“Është e papranueshme që regjistrimi i popullsisë në Kosovë të bëhet nga Enti i Statistikave të Kosovës, e jo nga ana e Kombeve të Bashkuara, ashtu sic kërkon Serbia. Ai tha se dyshon që institucionet kosovare do të manipulojnë me numrin e serbëve që jetojnë në Kosovë."

Projekti i regjistrimit të popullsisë në Kosovë, do të kushtojë 11 milionë euro. 30 për qind e kësaj shume është siguruar nga buxheti i Kosovës, ndërsa 70 për qind e mjeteve janë dhënë nga Bashkimi Evropian. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 1981 nga Enti i Statistikave të Kosovës. Një regjistrim tjetër i popullsisë i organizuar nga institucionet e Serbisë, ishte bërë edhe në vitin 1989, mirëpo, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Kosovës nuk e njohën këtë regjistrim, sepse ai ishte bërë pa pjesëmarrjen dhe pëlqimin e tyre.

Autor: Bekim Shehu/Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi