1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reljic mbi zgjedhjet në Kosovë

Angjelina Verbica5 Nëntor 2013

Intervistë me Dusan Reljic, ekspert për Ballkanin në fondacionin gjerman Shkenca dhe Politika, mbi zgjedhjet në veriun e Kosovës.

https://p.dw.com/p/1ABxe
Fotografi: DW

DW: Procesi i votimit në veri të Kosovës është dëmtuar nga incidente të dhunshme. Kush mund të jetë më së shumti i interesuar t'i bëjë të pavlefshme votimet, në këto komuna veriore, ku popullsia serbe voton për herë të parë në zgjedhjet e shtetit të Kosovës?

Reljic: Sigurisht ata, që nuk e mirëpresin atë që ka filluar mes Beogradit dhe Prishtinës me ndihmën e BE dhe që duan t'i japin fund asaj. Por është e vështirë të tregosh me të vërtetë me gisht, se kush mund të jetë pas këtyre incidenteve, sepse në fakt kundërshtarët e zgjedhjeve komunale në veri të Mitrovicës mund të ishin të kënaqur sepse pjesëmarrja në zgjedhje ishte minimale. Kështu që nuk ka qenë në interesin e tyre, që të kishe incidente të dhunshme. Por tani dëgjohet nga të gjitha anët, nga Beogradi, Prishtina, nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, se duan ta hetojnë këtë çështje dhe ndoshta tani edhe në Kosovë do të bëhet e njohur se kush qëndron pas gjërave të këtilla.

Punonjësit janë larguar pa mundur të marrin me vete materialin zgjedhor, një pjesë e të cilit është dëmtuar dhe humbur. A do të ketë përsëritje të zgjedhjeve?

Po, mendoj se kjo është rruga, që parashikon ligji. Por edhe me përsëritjen e zgjedhjeve, fakt është se në veri, në tri komunat, që ndodhen në veri, Zveçan, Leposavic dhe Mitrovicë, pjesëmarrja në votime ka qenë relativisht e ulët. Mendoj se më e larta ka qenë në Leposavic, më më shumë se 20%. Pra 80% e personave me të drejtë vote nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë. Kështu që në fund do të jetë një çështje e oportunitetit politik, nëse këto rezultate interpretohen ashtu, që të kenë vlerë shprehëse të atmosferës në popull, për synimet politike të njerëzve atje.

Pjesëmarrja në zgjedhje e serbëve në veri ka qenë shumë e ulët. A mbahen ata fort pas kësaj statuskuoje, sepse i druhen ndryshimeve do të sjellë zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, që parashikon krijimin e bashkësisë së komunave serbe?

Këtë nuk e di, sepse duhet biseduar me shumë kujdes me njerëzit atje dhe jo të merren parasysh vetëm deklaratat e politikanëve, por të zhvillohen biseda më të thella. Por jam i sigurtë se në pjesën më të madhe të popullsisë në veri të Kosovës nuk ekziston vullneti për t'u bërë pjesë e një shteti shqiptar. Dhe në këtë kuptim këto zgjedhje komunale kanë konfirmuar edhe një herë se ata, që janë më të prekurit, nuk besojnë në planin e paqes dhe në perspektivat, që sjell ky plan për to.

A ka bërë qeveria serbe punë të mjaftueshme për të bindur qytetarët serbë të veriut për të dalë në zgjedhje, sepse për vite me rradhë ajo i ka dhënë këtyre qytetarëve një orientim krejt tjetër?

Para zgjedhjeve qeveria në Beograd i ka bërë thirrje të qarta popullsisë në veri të Kosovës që të dalë në votime, por nuk më duket se popullatës i është komunikuar sa duhet, se çfarë avantazhesh sjell kjo gjë për to, sepse në fund, në 48 orët e fundit, ku ishte e qartë, se pjesëmarrja në zgjedhje do të ishte e ulët, përfaqësuesit e Beogradit u përpoqën të frikësonin njerëzit, duke u thënë, nëse nuk votoni, atëherë kanë për të sunduar shqiptarët mbi ju. Nga Prishtina do të emërohen njerëzit, që do të marrin pushtetin, nese pjesëmarrja do të jetë e ulët. Beogradi nuk e ka komunikuar mirë politikën e tij. Duhet marrë parasysh edhe se përgjegjësit e politikës në Beograd, pra kryeministri Dacic, edhe zëvendëskryeministri Vucic, i vetmi njeri i fuqishëm në Serbi momentalisht, kanë qenë për dhjetra vjet për një politikë krejt tjetër, dhe ky ndryshim, kjo kthesë e beftë tani i ka bërë të pabesueshëm për shumë njerëz me prejardhje serbe në Kosovë.

A është dashur që Prishtina të bënte diçka më mirë?

Pa dyshim. Për shembull përpjekja nga Prishtina për t'i përdorur këto zgjedhje edhe si pjesë të forcimit të legjitimitetit të shtetit të Kosovës, duke vendosur në materialin zgjedhor simbolet e shtetit të Kosovës. Këto kanë qenë veprime politike aq të qarta, që serbët nuk i nxisin për të votuar, por i largojnë. Pastaj edhe ndalimet për politikanët serbë, që të mos hyjnë në Kosovë etj. Të dyja palët si Beogradi, ashtu edhe Prishtina e kanë fryrë në mënyrë artificiale numrin e zgjedhësve. E gjitha kjo ka treguar se këto zgjedhje kanë qenë shumë të politizuara. Dhe që në fakt të dyja palët kanë shpresuar se e gjitha do të shkojë mirë, por nuk kanë bërë sa duhet për këtë.

Pra veriu vazhdon të mbetet një mollë sherri. Sa e dëmtojnë këto zhvillime marrëveshjen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e BE?

Pa dyshim që është një goditje, sepse këto zgjedhje se paku në veri nuk kanë qenë të rregullta dhe kjo do të thotë se procesi dhe kërkimi i të përbashkëtave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që mbështetet nga Brukseli, që ky proces ka mbartur me sa duket një gabim në vetvete. Dhe gabimi është që interesat e njerëzve në veri të Kosovës nuk janë marrë parasysh. Ky plan mes Beogradit dhe Prishtinës as nuk është publikuar zyrtarisht, as nuk është debatuar zyrtarisht. E gjitha kjo ka krijuar pakënaqësi. Dhe ka treguar, se në fakt nuk mund të bësh politikë, që të ketë suksese, nëse nuk merr parasysh ata, që preken direkt prej saj. Se çfarë do të vijë tani është e hapur. Unë nuk e besoj se në Beograd, në Prishtinë, apo në Bruksel do të thonë se kemi patur një disfatë. Përkundrazi do të thuhet, gota është gjysëm plot, tani duhet të vazhdojmë më tej, duhet të shohim mundësi të reja dhe natyrisht kështu është. Do të ishte e papërgjegjshme, që çdo proces të filluar ta deklarosh të dështuar, por që procesi të ketë sukses, atëherë ai duhet të përfshijë edhe të prekurit, njerëzit atje. Njerëzit duhet ta mbështesin këtë proces, ai nuk duhet të kryhet pa i marrë parasysh ata.

Si është e mundur, që disa njërëz ekstremistë të mund të mund të dëmtojnë procesin e votimit, a nuk janë marrë masa të mjaftushme sigurie?

Zgjedhjet, që mund të zhvillohen nën mbikqyrjen e ushtrisë, nuk sinjalizojnë një atmosferë demokratike, përkundrazi. Prezenca e madhe e ushtrisë dhe forcave të sigurisë sinjalizon gjithmonë se kemi ende të bëjmë me gjendje të jashtëzakonshme. Po të kishte ndodhur në kohën e duhur sqarimi politik në Beograd dhe Prishtinë, po të ishte folur në kohë në njerëzit në terren, atëherë do të kishin qenë më të pakta mundësitë, që tri, apo disa kuti votimi të vënë në diskutim të gjithën.

Çfarë do të bëhet më tej me serbët me veriun e Kosovës dhe me idenë e asosiacionit të komunave serbe?

Një diplomat amerikan ka thënë një herë serbët në veri të Kosovës, kanë dy mundësi to fight, ose to flight, dhe ndërkohë përderisa nuk e kanë të prerë rrugën me Serbinë, perderisa nuk ka përpjekje nga Prishtina për të zgjeruar pushtetin mbi veriun e Kosovës me mjete ushtarake, apo policore, njerëzit atje kanë për të bërë rezistencë, dhe nuk duket se ata do të pranonin ndonjë integrim në shtetin e Kosovës. Por e gjitha mund të ndryshojë, ose nëse situata acarohet nga përdorimi i dhunës. Ky version nuk më duket i besueshëm, por nga ana tjetër nuk shoh as se çfarë përfitimi do të kishin njerëzit në veri të Kosovës, po t'i pranonin planet, që i paraqiten nga Brukseli, Beogradi dhe Prishtina. Pra njerëzve u duhet shpjeguar, se çfarë përfitimi kanë, ky përfitim duhet të jetë i qartë dhe konkret dhe pastaj mund të ndryshojë atmosfera politike.