1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reljiq: Pritja për dritë jeshile nga Brukseli nuk ka qenë reale

Bahri Cani13 Dhjetor 2012

Nuk do të ketë normalizim të shpjetë të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, pohon në intervistën për DW, Dushan Reljiq, bashkëpuntor i Insitutit të studimeve Shkenca dhe Politika në Berlin.

https://p.dw.com/p/171gi
Das Bild hat Maja Kocijancic, Spokesperson of HR/VP Catherine Ashton geschickt . Beschreibung: Brüssel, 07.11.2012 Hashim Thaci - Kosovo Premierminister, EU-Außenbeauftragte Catherine Ashton und Ivica Dacic, Premierminister, Serbien. Zulieferer: Ivan Djerkovic
Fotografi: Council of the EU - M@S

DW: Zoti Reljiq, Beogradi dhe Prishtina kanë pritur se në këtë samit të Bashkimit Evropian, do të marrin dritën jeshile për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, respektivisht për fillimin e negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit. Kjo nuk ndodhi megjithëse palët kanë qenë konstruktive në dialogun që po zhvillohet në Bruksel. Pse?

Dushan Reljiq: Një mundësi e tillë nuk ka ekzistuar fare. Vendet kryesore të Bashkimit Evropian nuk janë fare dakord për përparimet në procesin e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, gjë që është edhe parakushti kryesor që Gjermania dhe vendet e tjera kryesore të bien dakord për hapat e tjerë në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në hapsirat e Evropës Juglindore. Pritjet që kanë zgjuar politikanët në Beograd dhe në Prishtinë dhe shpresat që kanë zgjuar tek popujt e tyre, nuk janë në përputhje me qëndrimet reale të vendeve kryesore në Bashkimit Evropian.

DW: Megjithatë Prishtina dhe Beogradi kanë qenë konstruktive në dialogun e zhvilluar në nivelin e kryeministrave, ndaj edhe pritej më shumë...

Dushan Reljiq: Presioni i vendeve perëndimore dhe në veçanti i SHBA-së dhe Komisionit Evropian ndaj Beogradit dhe Prishtinës ka qenë shumë i madh javët dhe muajt e fundit, në mënyrë që t'u ikin konflikteve dhe të arrijnë ndonjë marrëvesje të qëndrueshme. Por raportet mes Prishtinës dhe Beogradit ende janë shumë larg rregullimit dhe normalizimit. Ende nuk është zgjidhur çështja kryesore - nëse Serbia pranon ndarjen e Kosovës, apo nëse Kosova është e gatshme të heqë dorë nga kontrolli ndaj pjesës veriore, me qëllim që të arrijë një marrëveshje me Beogradin. Këto janë çështje të hapura, të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me raportet mes Serbisë dhe Kosovës por kanë të bëjnë edhe me raprotet mes fuqive të mëdha botërore dhe me raportet mes vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo do të thotë se normalizimi i marrëdhënieve mes Serisë dhe Kosovës do të jetë shumë i vështirë dhe se ky proces do të zgjatë shumë.

DW: Zoti Reljiq, para disa ditësh filloi zbatimi i marrëveshjes për kontrollin e përbashkët të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. A do të thotë kjo se kanë përfunduar debatet rreth mundësisë së ndarjes së Kosovës?

Dushan Reljiq: Jo, sepse statusi i Kosovës nuk është zgjidhur. Kjo do të thotë se të gjitha mundësitë ende janë në tavolinë. Çështja kryesore që duhet të zgjidhet është: a është e mundur një marrëveshje sipas së cilës një shtet është i gatshëm të heqë dorë nga një pjesë e territorit të tij? Kjo vlen si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën, sepse ashtu si shqitparët e Kosovës nuk kanë pranuar kurrë të jetojnë si pjesë e Serbisë, as serbët e veriut nuk pranojnë të jenë pjesë e një shteti shqiptar në Kosovë. Kjo është një çështje për të cilën do të bisedohet shumë gjatë dhe e cila duhet të shikohet në kontekstin rajonal. Kjo nuk varet vetëm nga raportet mes Prishtinës dhe Beogradit, por edhe nga raprotet mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni, si dhe nga e ardhmja e Bosnjë e Hercegovinës. Pra zgjidhje të shpejta dhe të qarta nuk mund të priten.

DW: Kjo do të thotë se nuk mund të pritet as normalizimi i shpejë i raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, ashtu siç kërkojnë Berlini dhe Brukseli, apo jo?

Dushan Reljiq: Një shembull i mirë në këtë drejtim janë edhe marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Francës, të cilat kërkuan shumë kohë, 20 deri në 30 vjet u deshën për zgjidhjen e problemeve, madje edhe për çështje shumë banale, siç ishte përdorimi i austostradave. Në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me çështje shumë serioze dhe probleme shumë të mëdha. Ndaj zgjidhje të shpejta nuk do të ketë.